KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Συμπλήρωμα Πολιτισμού

Από το Μνημόνιο της SANU στον «σερβικό κόσμο»

Στο Μνημόνιο, το Κοσσυφοπέδιο δεν αντιμετωπίστηκε απλώς ως ένα συνταγματικό ή οικονομικό πρόβλημα. Παρουσιάστηκε ως η κύρια απόδειξη της ιστορικής διακινδύνευσης του σερβικού λαού.

Στο Μνημόνιο, το Κοσσυφοπέδιο δεν αντιμετωπίστηκε απλώς ως ένα συνταγματικό ή οικονομικό πρόβλημα. Παρουσιάστηκε ως η κύρια απόδειξη της ιστορικής διακινδύνευσης του σερβικού λαού.

Memorandumi i SANU-së nuk duhet lexuar vetëm si një dokument i vitit 1986, por si formulimi intelektual i një paradigme nacionaliste që e paraqiti kombin serb si viktimë historike, Jugosllavinë federale si burim të padrejtësisë dhe riorganizimin territorial e politik si domosdoshmëri kombëtare. Dyzet vjet pas Memorandumit dhe njëzet e shtatë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, pyetja nuk është më vetëm se çfarë shkruante Memorandumi më 1986. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë mbeti prej tij pasi luftërat përfunduan?

Këtë tekst nuk do ta filloja me shumë shpjegim se çfarë është Memorandumi. Tema është e njohur. Do ta filloja kështu: Një regjim mund ta humbasë luftën. Mund ta humbasë pushtetin. Mund të përfundojë edhe në bankën e të akuzuarve. Por kjo nuk do të thotë se ka humbur edhe narrativa që e solli në pushtet.

Slobodan Millosheviqi i humbi të tria: luftën, pushtetin dhe, në fund, lirinë. Por një pjesë e doktrinës politike dhe ideologjike që e kishte ushqyer regjimin e tij nuk u zhduk bashkë me të.

Regjimi u mund. Narrativa mbijetoi.

Dhe pikërisht këtu, besoj, duhet ta fillojmë diskutimin për Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

Sepse dyzet vjet pas Memorandumit dhe njëzet e shtatë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, pyetja nuk është më vetëm se çfarë shkruante Memorandumi më 1986. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë mbeti prej tij pasi luftërat përfunduan?

Më 12 shkurt 2002, në hapje të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Milloseviqit, kryeprokurorja e atëhershme, Carla Del Ponte, e lidhi klimën ideologjike që i parapriu shpërbërjes së Jugosllavisë me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Duke iu referuar pretendimit se në Kosovë po zhvillohej një “gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor” kundër serbëve, ajo shtroi një pyetje thelbësore: si mundën intelektualët serbë ta përdornin nocionin e gjenocidit për ta paraqitur popullin e tyre si viktimë, ndërkohë që pikërisht kjo gjuhë po përgatiste klimën ideologjike në të cilën popujt e tjerë do të përballeshin me dëbime, krime masive dhe gjenocid?

Pra, ky tekst trajton pikërisht mbijetesën e kësaj doktrine ideologjike hegjemonsite, e cila sot na rishfaqet në trajtën e platformës politike të “botës serbe”.

Teza qendrore

Memorandumi i SANU-së nuk duhet lexuar vetëm si një dokument i vitit 1986, por si formulimi intelektual i një paradigme nacionaliste që e paraqiti kombin serb si viktimë historike, Jugosllavinë federale si burim të padrejtësisë dhe riorganizimin territorial e politik si domosdoshmëri kombëtare.

Dokumenti nuk përmbante një plan të hollësishëm ushtarak, por krijoi gjuhën (Daniel Goldhagen), konceptet dhe justifikimet mbi të cilat më vonë u mbështet politika e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Teza e parë: Memorandumi ishte simptomë dhe instrument i krizës jugosllave

Memorandumi u shfaq në një periudhë të krizës së thellë ekonomike, institucionale dhe politike të Jugosllavisë. Megjithatë, ai nuk e interpretoi krizën vetëm si dështim të sistemit socialist, por si rezultat të pozitës së pretenduar të pafavorshme të Serbisë dhe të serbëve në federatë.

Në këtë mënyrë, problemet komplekse të shtetit jugosllav u shndërruan në një narrativë kombëtare serbe të humbjes, diskriminimit dhe rrezikimit. Në këtë kuptim, Memorandumi ishte njëkohësisht simptomë e krizës dhe instrument për riinterpretimin e saj. Ai nuk i shpiku problemet ekonomike, institucionale dhe kushtetuese të Jugosllavisë, por u dha atyre një kuptim të ri politik dhe kombëtar. Siç vëren Holm Sundhaussen, Memorandumi ofroi “shpjegime” për gjendjen e rëndë të viteve 1980, në të cilat faktet ndërthureshin me pretendime të paprovuara dhe akuza. Autoriteti shkencor dhe prestigji shoqëror i Akademisë u jepnin këtyre interpretimeve një shkallë të lartë besueshmërie. Kështu, një krizë shumëdimensionale e federatës mund të përkthehej gjithnjë e më shumë në gjuhën e padrejtësisë kombëtare: problemi nuk paraqitej më vetëm si krizë e sistemit jugosllav, por si krizë e pozitës së Serbisë dhe e popullit serb brenda tij. Në këtë mënyrë, kriza e Jugosllavisë pushoi së perceptuari vetëm si krizë e një sistemi dhe filloi të interpretohej si padrejtësi ndaj një kombi. Pikërisht ky transformim i diagnozës së krizës në narrativë të viktimizimit kombëtar krijoi urën ndërmjet krizës jugosllave dhe mobilizimit nacionalist serb që pasoi.

Teza e dytë: Viktimizimi u shndërrua në burim legjitimimi politik

Një nga mekanizmat më të rëndësishëm të Memorandumit ishte përmbysja e roleve ndërmjet viktimës dhe agresorit. Kombi serb paraqitej si viktimë e vazhdueshme e rendit jugosllav, ndërsa bashkësitë e tjera përshkruheshin si përfituese ose si kërcënim.

Kjo gjuhë e viktimizimit kishte një funksion të qartë politik: krijonte bindjen se veprimi i ardhshëm serb nuk do të ishte agresion, por vetëmbrojtje dhe korrigjim i një padrejtësie historike. Viktimizimi nuk ishte vetëm produkt i nacionalizmit serb; ai ishte një nga mekanizmat përmes të cilëve ankthi për humbjen e Kosovës u transformua në perceptim të kërcënimit, ndërsa perceptimi i kërcënimit në justifikim të represionit.

Këtë mekanizëm të viktimizimit e analizon edhe profesori i Universitetit të Beogradit, Filip Ejdus, përmes konceptit të pasigurisë ontologjike. Sipas tij, viktimizimi, në këtë kuptim, nuk shërbente vetëm për të përshkruar vuajtjen, por për ta organizuar politikisht kujtesën dhe për ta përmbysur raportin ndërmjet viktimës dhe agresorit. Ejdus tregon se riaktivizimi i mitit të Kosovës në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990 ndërthuri heroizmin, martirizimin dhe vuajtjen në një narrativë të vetme, e cila u shfrytëzua nga Millosheviqi për mobilizim politik. Kështu, një politikë represive mund të paraqitej jo si agresion ndaj tjetrit, por si reagim mbrojtës i një kombi të kërcënuar. Viktimizimi krijonte, pra, terrenin diskursiv mbi të cilin përgjegjësia mund të përmbysej: viktima e politikës shtetërore paraqitej si burim i kërcënimit, ndërsa shteti që ushtronte represionin mund ta legjitimonte veprimin e vet si vetëmbrojtje. Këtë mekanizëm e analizon së fundi edhe Aidan Hehir, i cili e vendos viktimizimin e serbëve të Kosovës brenda një “sistemi simbolik” më të gjerë të nacionalizmit serb. Sipas kësaj skeme, narrativa ndërtohet mbi katër elemente të ndërlidhura: kujtesën e një “epoke të artë”, humbjen e saj për shkak të tradhtisë ose përçarjes, vazhdimësinë e persekutimit dhe, në fund, shfaqjen e figurës së shpëtimtarit që premton rikthimin e madhështisë përmes mobilizimit dhe unitetit kombëtar. Në këtë kuptim, viktimizimi nuk funksionon vetëm si interpretim i së kaluarës, por si mekanizëm politik që prodhon nevojën për mobilizim në të tashmen.

Teza e tretë: Kosova zinte vendin qendror në ndërtimin e kësaj narrative

Në Memorandum, Kosova nuk trajtohej thjesht si problem kushtetues ose ekonomik. Ajo paraqitej si prova kryesore e rrezikimit historik të popullit serb. Pozita e shqiptarëve dhe zhvillimet politike në Kosovë përshkruheshin me terma dramatikë, duke përfshirë pretendimin për një “gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor” ndaj serbëve. Përdorimi i nocionit të gjenocidit nuk kishte vetëm funksion përshkrues. Ai e shkëpuste këtë nocion nga kriteret e tij juridike dhe e kthente në instrument mobilizimi, stigmatizimi dhe legjitimimi të masave të jashtëzakonshme ndaj shqiptarëve.

Ky diskurs nuk u krijua nga Memorandumi. Ai mbështetej mbi një repertor shumë më të vjetër mitologjik. Jens Reuter e konsideron mitin e Kosovës një nga mitet themelore identitetformuese serbe: në konstruksionin romantik të shekullit XIX,  ku beteja e Kosovës vitit 1389 si momenti i humbjes së një “epoke të artë”, pas së cilës fillonte martirizimi shumëshekullor. Përçarja dhe tradhtia shpjegonin humbjen, ndërsa rikthimi i Kosovës merrte kuptimin simbolik të korrigjimit të një padrejtësie historike. Memorandumi, pra, nuk e shpiku këtë matricë; ai e riaktualizoi dhe e përktheu atë në gjuhën politike të krizës jugosllave të viteve 1980.

Teza e katërt: Diskursi akademik përgatiti terrenin për veprimin politik

Rëndësia e Memorandumit qëndron edhe në autoritetin e institucionit me të cilin lidhej. Kur një narrativë nacionaliste formulohet në mjedise akademike, ajo fiton pamjen e dijes së ekspertëve dhe të së vërtetës historike. Memorandumi nuk ishte produkt individual i një intelektuali të veçuar, por rezultat i një pune të institucionalizuar brenda Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Më 13 qershor 1985, Presidenca e Akademisë, duke vepruar mbi bazën e një vendimi të Asamblesë dhe rekomandimeve të Bordit Ekzekutiv, emëroi një komision prej gjashtëmbëdhjetë akademikësh për përgatitjen e një memorandumi mbi çështjet aktuale shoqërore. Në këtë komision bënin pjesë figura si: Pavle Ivić, Antonije Isaković, Mihajlo Marković, Milosh Macura, Dejan Medaković, Vasilije Krestić, Kosta Mihailović dhe të tjerë. Kjo e bën të vështirë trajtimin e Memorandumit si një tekst periferik apo spontan: ai ishte produkt i një procesi kolektiv akademik, i lindur brenda institucionit më prestigjioz shkencor të Serbisë. Në këtë kuptim, “Libri i Kaltër” dhe Memorandumi përfaqësojnë dy etapa të së njëjtës zhvendosje ideologjike: i pari artikuloi pakënaqësinë institucionale të Serbisë ndaj autonomisë së krahinave, ndërsa i dyti e shndërroi këtë pakënaqësi në narrativë gjithëkombëtare të diskriminimit, viktimizimit dhe domosdoshmërisë së “ribashkimit” politik të Serbisë. Pra, linja nuk fillon më 1986: ajo mund të ndiqet nga kundërshtimi ndaj Kushtetutës së vitit 1974, përmes “Librit të Kaltër”, deri te Memorandumi i SANU-së dhe më pas te programi politik i Millosheviqit.

Një shembull domethënës të këtij mekanizmi e sjell historiani Ulf Brunnbauer në studimin e tij mbi rolin e demografëve serbë në vitet 1980. Duke analizuar veçanërisht veprimtarinë e demografit dhe akademikut Milosh Macura, një prej anëtarëve të komisionit që hartoi Memorandumin, Brunnbauer tregon se proceset demografike në Kosovë u riformuluan gjithnjë e më shumë në kategori etnike dhe politike. Nataliteti i lartë i shqiptarëve u paraqit jo thjesht si fenomen demografik, por si “kërcënim demografik”, i lidhur me humbjen e territorit dhe dobësimin e pranisë serbe në Kosovë. Në këtë mënyrë, autoriteti i shkencës dhe i ekspertizës demografike i dha një dukje objektiviteti një diskursi që e paraqiste popullsinë shqiptare si kërcënim për mbijetesën kombëtare dhe territoriale serbe. Ky proces nuk mbeti vetëm në nivelin e debatit akademik. Brunnbauer vëren se SANU-ja, nën drejtimin shkencor të Macurës në këtë fushë, u përfshi në prodhimin e ekspertizës për politikat që synonin adresimin e të ashtuquajturit “problem demografik të Kosovës”. Në konferencën e organizuar nga Akademia në Beograd në shkurt 1988, rritja e popullsisë shqiptare u përshkrua si një “proces demografik shpërthyes”, i lidhur me ideologjinë separatiste dhe me pretendimin për një Kosovë etnikisht të pastër. Kështu, demografia nuk funksiononte më vetëm si instrument për analizimin e popullsisë, por po shndërrohej në një gjuhë ekspertësh përmes së cilës ankthi nacionalist fitonte legjitimitet shkencor.

Në këtë rast, akademia nuk mbeti jashtë politikës. Diskursi i prodhuar nga një pjesë e elitës intelektuale serbe u transferua gradualisht në media, në institucionet shtetërore dhe në programin politik të Millosheviqit. Kjo tregon se idetë nuk janë vetëm reflektim i konflikteve: në rrethana të caktuara, ato bëhen pjesë e mekanizmit që i prodhon dhe i legjitimon konfliktet.

Θα συνεχιστεί στο επόμενο τεύχος του Παραρτήματος Πολιτισμού

Kumtesë e lexuar në konferencën shkencore “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”, të organizuar më 4 shtator në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”