Të dielën janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet rajonale në lindje të Gjermanisë, të cilat mund të sjellin në pushtet qeverinë e parë shtetërore të ekstremit të djathtë në historinë e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.
Votues të grupmoshave të ndryshme janë parë duke hedhur votën e tyre.
Zgjedhjet për parlamentin rajonal në Saksoni-Anhalt, një rajon me 2.1 milionë banorë në perëndim të Berlinit, kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përfaqësojnë shansin më të madh deri më tani që e djathta ekstreme dhe kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, të marrë postin e guvernatorit.
“Po, shpresojmë që vota jonë, ose vota ime, të ketë ndikim në mënyrë që balanca e forcave në parlamentin e landit të jetë e tillë që të pengojmë të tjerët, të cilët aktualisht janë shumë përpara, të vijnë në pushtet. Ky është mendimi im i sinqertë dhe për këtë arsye votova në mënyrë taktike”, ka thënë Joachim Meier, banor i Magdeburgut.
Nëse AfD-ja fiton, kjo do të ishte fitorja më e madhe në historinë 13-vjeçare të partisë, në një kohë kur ka pakënaqësi të gjerë ndaj një qeverie kombëtare jopopullore, e cila ende nuk ka arritur t’i bindë votuesit se mund ta vërë ekonominë e dobët të vendit në lëvizje.
Kjo do të ishte të paktën një goditje simbolike për kancelarin Friedrich Merz, partia e qendrës së djathtë e të cilit ka drejtuar Saksoni-Anhaltin për 24 vjet.
“Pritshmëria ime është që gjërat të ecin në drejtimin e duhur, duhet ta them shumë sinqerisht. Dhe qytetarët do të vendosin se si do të vazhdohet nga këtu e tutje”, ja thënë Jörg Schulz, një tjetër banor i Magdeburgut.
AfD-ja është partia më e madhe e opozitës në parlamentin kombëtar të Gjermanisë dhe është më e fuqishme në lindjen e vendit, ish-komuniste dhe më pak të zhvilluar ekonomikisht, ku ndodhet edhe Saksoni-Anhalt.
Kandidati i saj për guvernator, Ulrich Siegmund, ka deklaruar se “këtu do të shkruajmë historinë”.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme të fortë, mundësitë e saj për të marrë pushtetin mbeten të pasigurta, edhe nëse ajo përfundon shumë përpara kundërshtarëve të saj
Të dielën, AfD-ja shpreson të fitojë një shumicë absolute në parlamentin e landit.
Kjo do të kapërcente të ashtuquajturën “barrierë mbrojtëse” (“fireëall”) të vendosur nga partitë kryesore, të cilat refuzojnë të bashkëpunojnë me AfD-në.
Dega rajonale e kësaj partie është një nga disa degë që agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme i ka klasifikuar si grupe të konfirmuara të ekstremit të djathtë.