KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Τέσσερις ιστορίες από το Κοσσυφοπέδιο «θολώνουν τα σύνορα» στον Καναδά

Σκηνές από: «Η ομορφιά του γαϊδουριού», «Δεν έχω μπει ποτέ σε αεροπλάνο», «Πιστέψτε με, το πορτρέτο μου με έσωσε» και «Τα φτερά των εργατών»

Σκηνές από: «Η ομορφιά του γαϊδουριού», «Δεν έχω μπει ποτέ σε αεροπλάνο», «Πιστέψτε με, το πορτρέτο μου με έσωσε» και «Τα φτερά των εργατών»

Një pasqyrë e asaj se çfarë filmash po prodhohen në Kosovë, e ka cilësuar Veton Nurkollari përzgjedhjen e katër filmave që do të shfaqen këtë vjeshtë në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarëve në Montreal. “Bukuria e gomarit” i Dea Gjinovcit, “Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” i Redon Kikës, “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës dhe “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt do të shfaqen në programin “Western Balkans Focus: Blurring the Lines”, bashkë me filma nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Katër rrëfime nga Kosova do ta kalojnë Atlantikun në vjeshtë, duke e çuar kinemanë dokumentare të Kosovës në një prej skenave më të rëndësishme të filmit dokumentar ndërkombëtar. Në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarëve në Montreal që mbahet prej 19 deri më 29 nëntor, Kosova do të jetë pjesë e programit “Western Balkans Focus: Blurring the Lines”, bashkë me filma nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në ekranet e Montrealit do të shfaqen filmat “Bukuria e gomarit” i Dea Gjinovcit, “Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” i Redon Kikës, “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës dhe “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt. Përzgjedhja është bërë në kuadër të programit që përfshin gjithsej gjashtë filma të metrazhit të gjatë dhe gjashtë të shkurtër nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Titulli “Blurring the Lines” (Mjegullimi i kufijve) nuk është emërtim që synon t’i fusë filmat në një histori të vetme apo në një narrativë të unifikuar. Përkundrazi, festivali i Montrealit e sheh Ballkanin Perëndimor si hapësirë ku historitë personale, kujtesa kolektive, identiteti dhe kufijtë vazhdojnë të negociohen. Në këtë rast, kinemaja bëhet mënyrë për t’i zbehur vijat që ndajnë territoret, historitë dhe përvojat njerëzore.

Siç shkruhet nga Festivali, programi vë në qendër kujtesën, identitetin, punën, migrimin dhe historinë politike. Filmat, sipas festivalit, sjellin rrëfime intime dhe qasje formalisht të guximshme, duke treguar larminë e praktikave bashkëkohore dokumentare që po zhvillohen në rajon.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, i cili ka përzgjedhur filmat nga Kosova, ka shpjeguar për KOHËN se tema është përcaktuar nga vetë festivali në Kanada dhe nuk është ndërtuar mbi një lidhshmëri të drejtpërdrejtë tematike mes të gjithë filmave.

“Temën e ka përzgjedhur Festivali në Kanada. Për ta përthekuar krejt këtë, e kanë lënë temën, por ajo nuk buron prej filmave. Është përzgjedhur për shkak të rajonit, punës së tri festivaleve dhe se çfarë do të arrijë ky Festival me këtë program dhe me këta filma”, ka thënë Nurkollari.

Përzgjedhja e filmave nga Kosova është bërë nga “DokuFesti”, ndërsa dy partnerët e tjerë të programit janë festivali serb “Beldocs” dhe festivali maqedonas “MakeDox”. Vetë festivali kanadez e përshkruan “Western Balkans Focus” si rezultat të marrëdhënieve të vazhdueshme me këto tri ngjarje filmike.

Për “DokuFestin” dhe Festivalin në Montreal, bashkëpunimi është ndërtuar ndër vite përmes shkëmbimit të programeve, pjesëmarrjes në juritë e festivaleve dhe projekteve të përbashkëta.

Në vitin 2023, “DokuFest” dhe RIDM kishin realizuar programin “Focus Canada: Spotlight Québec”, në të cilin festivali nga Prizreni i kishte kushtuar një program të veçantë kinemasë dokumentare bashkëkohore të këtij rajoni kanadez. Përmes tij ishin sjellë në Kosovë filma të kineastëve kanadezë të gjeneratave dhe prejardhjeve të ndryshme, përfshirë edhe një program me filma të shkurtër të krijuesve indigjenë.

Por lidhja ka kaluar edhe nëpërmjet njerëzve. Nurkollari ka qenë dy herë pjesë e jurisë së konkurrencës ndërkombëtare të RIDM-it. Në vitin 2022, ai ishte anëtar i jurisë së konkurrencës ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë.

“Është një bashkëpunim ku një program i kuruar nga Festivali i Montrealit është shfaqur në ‘DokuFest’. Por para kësaj kemi pasur bashkëpunime më të vogla ku unë kam qenë në juri dy herë. Ekziston një bashkëpunim më afatgjatë. Jemi bashkë edhe me një grup të festivaleve që janë përzgjedhur të jenë në Cannes, pra ekziston një lidhje midis dy festivaleve – ‘DokuFest’ dhe Festivalit të Montrealit”, ka thënë ai.

Pikërisht ky parim i shkëmbimit – që filmat të udhëtojnë në të dyja drejtimet – është edhe në zemër të programit të sivjetmë. RIDM e përkufizon programin si të ndërtuar me partnerë lokalë, ku filmat udhëtojnë, pas tyre udhëtojnë edhe bisedat dhe prej këtyre takimeve krijohen forma të reja bashkëpunimi.

“Filmat kanadezë shfaqen në këtë pjesë të botës dhe filmat tanë shfaqen në atë pjesë të botës. Mendoj se është një ngjarje interesante që një pjesë e kulturës sonë po vazhdon të shfaqet në Kanada”, ka thënë Nurkollari.

Katër filmat nga Kosova e përshkojnë këtë hartë të përbashkët ballkanike në rrugë krejt të ndryshme.

“Bukuria e gomarit” e Dea Gjinovcit e kthen kamerën nga kujtesa familjare drejt një kujtese më të gjerë të Kosovës. Në qendër është Asllan Gjinovci, babai i regjisores, i cili pas gjashtë dekadash në mërgim kthehet në Makërmal të Skenderajt, vendin e fëmijërisë së tij. Fshati, i shkatërruar gjatë luftës, bëhet hapësirë ku e kaluara kërkohet, rikrijohet dhe përballet me të tashmen. Në këtë rrëfim është edhe gjyshja e Deas, e cila u vra gjatë luftës dhe ende konsiderohet e pagjetur.

Filmi e rikrijon të kaluarën përmes banorëve të fshatit dhe fëmijëve që luajnë e rindërtojnë kujtimet. Filmi është dhënë premierë kombëtare në edicionin e sivjetmë të “DokuFest” ku edhe është shpërblyer me Çmimin e Publikut në Festival.

Në skajin tjetër të kujtesës është filmi “Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” i Redon Kikës. Filmi e merr izolimin e qytetarëve të Kosovës dhe pamundësinë e lëvizjes para liberalizimit të vizave dhe e shndërron atë në një rrëfim intim. Tre miq të regjisorit – Atdhe Bahluli, Jeta Veseli dhe Tringa Sefedini – bëhen protagonistë të një përvoje që për shumë qytetarë të Kosovës ishte pjesë e përditshmërisë: dëshira për të udhëtuar dhe kufiri që nuk mund të kapërcehej.

Me “Mua besoj më shpëtoi portreti”, Alban Muja e çon kujtesën në një tjetër pikë të historisë së Kosovës. Në dhjetë minuta, filmi rrëfen historinë e babait të tij, piktorit Skënder Muja, i cili gjatë luftës së vitit 1999 u ndalua nga policia serbe dhe u detyrua të pikturonte portretin e komandantit që ishte përgjegjës për burgun e improvizuar ku mbahej. Arti, në këtë rast, bëhet mjet mbijetese. Historia personale e piktorit kthehet në fragment të historisë kolektive të shqiptarëve të Kosovës dhe në një reflektim mbi mënyrën se si arti mund të funksionojë edhe në rrethana ekstreme. Filmi pati premierën botërore në “Berlinale” në fillim të vitit të kaluar dhe më pas vazhdoi rrugëtimin në festivale ndërkombëtare.

“Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt e zhvendos vështrimin nga kujtesa e luftës te një plagë e Kosovës së sotme: pasiguria në vendin e punës. Dokumentari 19-minutësh ndjek tre punëtorë – Fatmirin, Liridonin dhe Milazimin – të cilët kanë përjetuar aksidente të rënda në punë. Filmi ndërtohet si homazh poetik dhe eksperimental për njerëzit e klasës punëtore, ndërsa Hasanaj pati treguar se ideja e tij ishte nxitur nga një rast që kishte parë vetë, kur një punëtor ishte rrëzuar nga lartësia dhe ambulanca kishte mbetur në trafik. Filmi e kishte nisur rrugëtimin ndërkombëtar me premierën në Festivalin e Filmit në Rotterdam, ku kishte fituar “Tigrin” në kategorinë “Tiger Short Competition”, e më pas mori edhe çmime të tjera ndërkombëtare.

Përkrah katër filmave të Kosovës, programi përfshin pesë filma nga Serbia dhe tre nga Maqedonia e Veriut. Nga Serbia janë “Promised Spaces” dhe “Inventory” të Ivan Markoviqit, “Sunset” i Milosh Jaqimoviqit, “This Desirable Device” i Mina Simendiqit dhe “The Divine Feminine” i Ivana Todoroviqit. Maqedonia e Veriut përfaqësohet me “Disturbed Earth” të Kumjana Novakova dhe Guillermo Carreras-Candit, “The Tale of Silyan” të Tamara Kotevskës dhe “Mushrooms Grow in Memory” të Hanis Bagashovit.

Siç ka shpjeguar Nurkollari, njëri film maqedonas prek migrimin, një tjetër kthehet te përdhunimet gjatë luftës në Bosnjë, ndërsa një prej filmave serbë është xhiruar tërësisht në Lindjen e Largët.

“Gjithsesi mund të lidhen, por tema mendoj se është zgjedhur pa ndonjë lidhshmëri direkte të filmave në një temë”, ka thënë ai.

Për Nurkollarin, katër filmat e Kosovës janë zgjedhur edhe me synimin që të tregojnë një pjesë të spektrit të asaj që po prodhon sot kinematografia vendore.

“Ka pasur më shumë filma në një listë pak më të gjatë. Kemi shkëmbyer disa informata se pse ky film do të ishte më i mirë se tjetri. Por, në fund janë përzgjedhur këta katër filma”, ka treguar ai.

Ai ka theksuar se është kërkuar që në program të futeshin edhe filma që nuk janë shfaqur shumë, duke veçuar atë të Kikës dhe interesin që mund të zgjojë historia e pamundësisë së udhëtimit para liberalizimit të vizave.

“Dea ka një film tepër interesant që ka të bëjë edhe me të kaluarën e Kosovës. Iliri ka një film për të drejtat e punëtorëve. Mendoj se është një pasqyrë e asaj se çfarë filmash po prodhohen në Kosovë dhe se cilët do të ishin interesantë për publikun e Kanadasë”, ka thënë Nurkollari.