Ëmbëlsira nuk ka pse të jetë armiku i një ushqyerjeje të shëndetshme. Sipas ekspertëve një ëmbëlsirë herë pas here mund të jetë pjesë e një diete të ekuilibruar. Madje, studimet sugjerojnë se njerëzit që nuk i ndalojnë plotësisht ushqimet e tyre të preferuara mund ta kenë më të lehtë të ruajnë peshën në afat të gjatë, ka shkruar Η Washington Post.
Por çka zgjedhin vetë ekspertët? Ja disa nga ëmbëlsirat e tyre të preferuara.
Mollë, tërshërë dhe arra

Katherine D. McManus, drejtuese e departamentit të ushqyerjes në Brigham and Women’s Hospital, preferon një ëmbëlsirë të bërë në shtëpi me mollë.
Ajo i gatuan mollët me pak lëng molle, kanellë, më pas i përzien me tërshërë e miell integral e i vendos në furrë.
“Është vërtet e shijshme dhe përputhet me një mënyrë të shëndetshme të ushqyeri. Ka shumë fibra, drithëra integrale, fruta dhe erëza”, ka thënë ajo.
Çokollatë e zezë me arrore

Gastroenterologu dhe eksperti i mikrobiomës Chris Damman zgjedh çokollatën e zezë, sidomos atë me fëstëk.
Çokollata e zezë përmban polifenole, ndërsa arroret ofrojnë fibra, yndyra të shëndetshme dhe proteina.
“Kanë shije të mrekullueshme. Janë kaq kremoze. Fëstëkët kanë fibra, yndyra të shëndetshme dhe më shumë proteina se pothuajse çdo arrë tjetër”, ka thënë ai.
Manaferra me krem ose dredhëza me kek të lehtë

Onkologu Arif Kamal këshillon që edhe ëmbëlsira të jetë një mundësi për të konsumuar më shumë fruta.
Zgjedhjet e tij janë frutat e malit me pak krem apo jogurt ose kek i lehtë me dredhëza të freskëta.
Sipas Kamal, frutat sjellin fibra, antioksidantë, vitamina dhe lëndë të tjera ushqyese, ndërsa ëmbëlsirat mbeten relativisht të lehta.
Hurma me gjalpë kikiriku dhe çokollatë

Dietologia Danna Raphael ka një kombinim të thjeshtë: hurma të mbushura me pak gjalpë kikiriku dhe copa çokollate të zezë.
“Është ëmbëlsira perfekte, e butë dhe e shijshme. Dhe ka shumë vlera ushqyese”, ka thënë ajo.
Hurma ofron fibra dhe kalium, ndërsa gjalpi i kikirikut sjell proteina dhe yndyra të shëndetshme. Sipas Raphael, kjo mund të jetë edhe shujtë e mirë para ushtrimeve.
Një copë çokollatë e zezë

Dietologia Nichole Dandrea-Russert konsumon çokollatë të zezë pothuajse çdo ditë, madje shpesh pas çdo vakti.
Ajo rekomandon çokollatë me të paktën 70 për qind kakao, e cila përmban antioksidantë, fibra prebiotike dhe magnez.
“Rekomandoj çokollatë të zezë cilësore, me 70 për qind kakao ose më shumë”, ka thënë ajo.
Akullore me dredhëza ose bajame

Kardiologu Dariush Mozaffarian konsumon ëmbëlsirë tri ose katër herë në javë. Zakonisht zgjedh çokollatë të zezë me kafe, ndërsa një tjetër e preferuar është akullorja.
Ai rekomandon një porcion të vogël akullore me vanilje, të shoqëruar me bajame të prera ose dredhëza.
Sipas tij, akullorja përmban proteina dhe yndyra dhe ka indeks glicemik relativisht të ulët.
“Pothuajse çdo herë që kam dalë për darkë me dikë, më kanë thënë më pas se kishin frikë të porosisnin ëmbëlsirë, por më panë mua duke ngrënë akullore”, ka treguar ai.