KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Ο Κανταρέ έπλεκε στίχους από τον ουρανό για το Κόσοβο, στο οποίο δεν μπορούσε να κατέβει.

Ολόκληρη η σύνδεση του Κανταρέ με το Κόσοβο

Krejt lidhja e Kadaresë me Kosovën –  mbase përjetimi më intim deri më tash –  është ekspozuar në Prishtinë. Në vitin kur Ismail Kadare do të mbushte 90 vjet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka nderuar me ekspozitën “Kosova e Kadaresë” (Foto: MKT)

Një pjesë e fondit personal të shkrimtarit, letra të rralla, dorëshkrime, botime dhe objekte që dëshmojnë për lidhjen e tij me Kosovën, janë bërë bashkë në ekspozitën “Kosova e Kadaresë”, e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Nga poezia “Kosova”, e shkruar mbi qiellin e Kosovës, te britma e studentëve të shtypur në demonstratat e vitit 1981, e deri te tragjedia e luftës, Kosova u bë prej temave që e shoqëruan krijimtarinë dhe angazhimin intelektual të shkrimtarit shqiptar me famë botërore

Kosovën e shihte nga qielli, por për një kohë të gjatë nuk mundi të zbriste në të. Kufiri politik i kohës ia kishte mohuar këtë takim. Mallin për të, Ismail Kadare e shndërroi në vargje, ndërsa historinë e saj në letërsi, ese, artikuj, intervista e letra që do t’u drejtonte personaliteteve dhe institucioneve ndërkombëtare. Nga poezia “Kosova”, e shkruar mbi qiellin e Kosovës, te britma e studentëve të shtypur në demonstratat e vitit 1981, e deri te tragjedia e luftës, Kosova u bë prej temave që e shoqëruan krijimtarinë dhe angazhimin intelektual të shkrimtarit shqiptar me famë botërore.

Krejt kjo lidhje e Kadaresë, mbase përjetimi më intim deri më tash, është ekspozuar në Prishtinë. Në vitin kur Ismail Kadare do të mbushte 90 vjet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka nderuar me ekspozitën “Kosova e Kadaresë”. Të premten, aty është ekspozuar një pjesë e fondit personal të shkrimtarit, letra të rralla, dorëshkrime, botime dhe objekte që dëshmojnë për lidhjen e tij me Kosovën.

“Në vitin 1966, një poet i ri shqiptar fluturonte mbi Kosovë. Kufiri i asaj kohe nuk e lejonte të zbriste. Kosovën ai e takonte atëherë vetëm nga qielli. Dhe ai shkroi: ‘Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë, midis reve të tua të rënda...’. Ai poet ishte babai im. Kështu nisi lidhja e tij me Kosovën, nga largësia, si një mall që nuk kishte ku të ulej”, është shprehur e bija e shkrimtarit, Besiana Kadare. 

“Kadareja i shkroi Kosovës në vargje, pastaj në roman, pastaj përmes letrave drejtuar presidentëve dhe institucioneve ndërkombëtare, përmes artikujve në shtypin botëror, intervistave, pyetjeve të dërguara përtej hekurave të një burgu dhe, më në fund, në një ditar”, ka thënë ajo. 

Kujtesa për të nuk kufizohet në librat që mbajnë emrin e tij, as në fotografitë e takimeve që ka pasur me lexuesit. Ajo ruhet edhe në letrat që dërgoi për Kosovën, në librat që mori dhuratë nga krijuesit e saj dhe në rreshtat ku e ktheu dhimbjen e një populli në dëshmi (Foto: MKT) 

Kosova do të hynte në letërsinë e tij edhe përmes ngjarjeve që tronditën shoqërinë shqiptare në vitet ’80. Në vjeshtën e vitit 1980, kur “Rilindja” botoi veprat e Kadaresë në dhjetë vëllime, ai erdhi në Prishtinë. 

“Prishtina e priti si birin e saj. Pranvera që pasoi ishte e ftohtë. Studentët e Kosovës dolën në rrugë dhe u shtypën egërsisht. Ai shkroi ‘Krushqit janë të ngrirë’. Libri u botua edhe në frëngjisht dhe në anglisht, dhe britma e atyre studentëve i kapërceu kështu kufijtë që synonin ta mbytnin”, ka thënë trashëgimtarja e Ismail Kadaresë. 

Këto gjurmë janë bërë pjesë e ekspozitës, e cila ka sjellë letra proteste drejtuar krerëve të shteteve dhe zyrtarëve të lartë botërorë, përfshirë edhe letra për çështjen e Kosovës, si dhe dokumente që lidhen me Papa Gjon Palin II, krahas materialeve të tjera të diplomacisë dhe shtypit të kohës. Në mesin e tyre është letra që Kadareja ia kishte dërguar akademikut Rexhep Qosja lidhur me Konferencën e Rambouillet, si dhe letra protestuese për burgosjen e profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti.

Koleksioni përfshin edhe botime të veprave të Kadaresë nga shtëpia botuese “Rilindja”, të vitit 1980, shtypin e kohës në Kosovë, dorëshkrime dhe libra që ai kishte marrë dhuratë nga krijuesit e Kosovës. Në mesin e tyre janë botime të Flora Brovinës, Ali Podrimjes dhe Rexhep Ismajlit, të cilat kishin zënë vend në bibliotekën personale të shkrimtarit. Portretet e tij janë një tjetër pjesë e ekspozimit, përfshirë edhe një vepër origjinale të Ibrahim Kodrës, e ruajtur në fondin e botuesit të Kadaresë, Bujar Hudhri.

Drejtoresha e muzeut “Shtëpia Studio Kadare”, Anisa Ymeri, ka treguar se përgatitjet për ekspozitën kishin nisur më shumë se një vit më parë, kur ekipi i muzeut në Tiranë kishte filluar të hulumtonte fondet për aktivitetet që do të shënonin 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit.

“Në vitin 1966, një poet i ri shqiptar fluturonte mbi Kosovë. Kufiri i asaj kohe nuk e lejonte të zbriste. Kosovën ai e takonte atëherë vetëm nga qielli”, ka thënë e bija e shkrimtarit, Besiana Kadare (Foto: MKT) 

“Nuk kishim asnjë dilemë se një nga aktivitetet themelore të këtij viti duhej të zhvillohej këtu, në Prishtinë. Ndërsa kërkonim në fondet e muzeut dhe zbulonim çdo ditë letra, nënshkrime, shënime, artikuj gazetash, kishim filluar punën intensive për këtë ngjarje që na ka bërë bashkë sot, nuk kishte asnjë dyshim se titulli duhej të ishte ‘Kosova e Kadaresë’, sepse Kadareja dhe Kosova duket se nuk kanë pasur asnjëherë kufi, edhe kur ai e shihte nga larg”, ka thënë Ymeri. 

Ajo ka shpjeguar se në shtëpinë e shkrimtarit në Tiranë kishin mbërritur vazhdimisht botime dhe libra të nënshkruar nga krijuesit e Kosovës, të cilat kishin një vend të veçantë në bibliotekën e tij dhe që ruhen ende të paprekura.

Ymeri ka theksuar se dokumentet e mbledhura nga fondi i muzeut, diplomacia shqiptare dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës dëshmojnë për angazhimin e vazhdueshëm të Kadaresë në mbrojtje të Kosovës. Letrat e protestës drejtuar krerëve të shteteve dhe zyrtarëve të lartë, sipas saj, janë dëshmi historike të një misioni që shkrimtari e kishte marrë përsipër përtej krijimtarisë letrare.

Për drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, dokumentet që lidhen me Kosovën përbëjnë një prej pjesëve më domethënëse të ekspozitës. 

“Përtej vlerës së tyre historike, çdo dokument na rikujton fuqinë që bart fjala publike, atëherë kur historia e vë njeriun përballë zgjedhjeve të mëdha morale. Për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, realizimi i kësaj ekspozite, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, ‘Shtëpinë Studio Kadare’ dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, është një akt dokumentimi dhe përpjekja jonë për ta ruajtur memorien kulturore”, ka thënë Rogova-Gaxha.

Sipas saj, pos ruajtjes së memories kulturore ekspozita synon t’ua ofrojë brezave të rinj gjurmët e një prej krijuesve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.

“Ekspozita synon t'i ofrojë publikut mundësinë për ta parë Kadarenë përmes dokumenteve, për ta njohur nëpërmjet gjurmëve të dorës së tij, për të zbuluar atë që ruajnë dokumentet dhe për të reflektuar mbi kuptimin që koha u jep atyre”, ka thënë ajo. 

“Ra ky mort e u pamë” përkonte me vizitën e tij në Kosovën e sapodalë nga lufta...(Foto MKT)

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, Kadareja i përket asaj kategorie të rrallë krijuesish që kanë arritur ta kapërcejnë kohën dhe kufijtë e vendit të tyre. 

“Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale. Ai i dha letërsisë sonë shqiptare një përfaqësim dhe një jehonë ndërkombëtare të jashtëzakonshme, duke mbetur njëkohësisht gjithmonë i lidhur me rrënjët, identitetin dhe historinë tonë”, ka thënë Malaj. 

Ai është shprehur se Kosova zinte vend të veçantë te Kadareja. 

“Për Kadarenë, ajo nuk ishte një realitet i largët apo thjesht një temë letrare. Ajo ishte pjesë e ndërgjegjes së tij historike dhe e përgjegjësisë së tij intelektuale. Në krijimtarinë dhe në angazhimet e tij publike, Kosova ishte e pranishme si çështje dinjiteti, lirie dhe identiteti. Ai ishte ndër zërat që ndihmuan ta përcillnin të vërtetën e Kosovës përtej kufijve të saj, duke dëshmuar se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të ndahen kurrë nga njëri-tjetri”, ka thënë ambasadori Malaj. 

Zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi-Krasniqi, ka thënë se për Kosovën, Kadare ishte më shumë se një shkrimtar i madh, pasi kishte vënë autoritetin dhe famën ndërkombëtare në funksion të çlirimit të vendit dhe denoncimit të politikave diskriminuese e spastruese ndaj shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.

“Kadareja nuk e ndau çështjen e Kosovës nga angazhimi i tij intelektual. Ai e mbrojti të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe e përdori autoritetin e tij si shkrimtar për ta bërë këtë çështje të dëgjueshme edhe përtej hapësirës shqiptare. Ekspozita që hapim sot sjell letra, fotografi, dorëshkrime, botime dhe objekte nga fondi personal i shkrimtarit, si dhe nga fondet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, ka thënë ajo. 

Por, përtej dokumenteve që dëshmojnë angazhimin politik e intelektual të Kadaresë, në ekspozitë zënë vend edhe kujtimet e takimeve të tij me Kosovën. Një prej tyre është Panairi i parë i Librit në Prishtinë, i mbajtur në nëntor të vitit 1999, në Kosovën e sapodalë nga lufta. Botuesi i tij, Bujar Hudhri, e ka kujtuar atë ngjarje si një prej momenteve më të veçanta të jetës së tij profesionale.

“Në vitin 1999 është mbajtur Panairi i parë i Librit në Kosovë. Ishte natë, atë e shoqëronte zonja Helena dhe Gresa. Të nesërmen u bë promovimi i librit. Mbaj mend që mijëra lexues erdhën në stendën tonë, që s’e kam parë më kurrë një ngjarje më të bukur. Fytyrat e tyre shndrisnin nga dashuria për Kadarenë. Aty foli profesor Qosja dhe tha: ‘Kam shkruar dy mijë faqe për Kosovën, por këto dyqind janë më të rëndësishme’”, ka kujtuar Hudhri. 

Në po këtë vizitë, “Koha Ditore” e citonte në titull Kadarenë. “Kadare: Libri shqiptar është një, ashtu siç është një kultura shqipe”, shkruante “KOHA Ditore” në numrin e datës 19 nëntor të vitit 1999. Një ditë më parë ishte hapur Panairi. Atë vit, Kadareja kishte promovuar veprën e tij “Ra ky mort e u pamë” që përkonte me vizitën e tij në Kosovën e sapodalë nga lufta. “Kadare për Kosovën e vitit të mbrapshtë” ishte artikulli tjetër i po këtij numri që përshkruante ngjarjen e promovimit. 

Për akademik Mehmet Krajën, çështja e përkatësisë së Kadaresë nuk duhet të ngatërrohet me pretendimet e politikës. 

“Kujt i takon Kadareja? Shteteve, pushteteve, politikës apo letërsisë? Nuk mund të jetë dilemë kjo që sapo shtrova, por, për momentin, ka shumë zëra nga fusha e politikës dhe e pushteteve që duan, në një mënyrë apo në një tjetër, të pretendojnë se kanë hise te Kadareja. Por, nëse këmbëngulim që Kadareja i përket vetëm letërsisë, pak nga pak auditorët do të mbeten pa një pjesë të publikut. Sepse dikush mund të mendojë se e deshën Kadarenë, se u desh dhe se e patën të nevojshëm për një kohë. Pra, e përdorin për të bërë pushtet dhe politikë”, ka thënë Kraja në hapje të fjalës së tij që i ka paraprirë hapjes së ekspozitës që do të qëndrojë në BKK deri më 15 nëntor. 

Ai ka kujtuar edhe njohjen e tij me Kadarenë, e cila kishte nisur më 1980, kur si gazetar i kulturës në gazetën “Rilindja” kishte marrë detyrën për të realizuar një intervistë me shkrimtarin. Bisedën e kishin nisur në Prishtinë dhe e kishin përfunduar në Tiranë, në dhjetor të atij viti, gjatë një vizite të një grupi shkrimtarësh nga Kosova. 

Takimi i parë në Panairin e vitit 1999 nuk do të ishte i fundit. Kadareja u kthye në Kosovë edhe në qershor të vitit 2023, si mysafir i veçantë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Kjo do të ishte vizita e tij e fundit në vend. Më herët, në vitin 2009, ai ishte nderuar me çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi, për romanin “Darka e gabuar”, ndërsa më 2017 kishte marrë çmimin ndërkombëtar “Letërsia shqipe”, të cilin e kishte cilësuar si një nga vlerësimet që i kishin dhënë më shumë kënaqësi.

“Jam i lumtur kur e mendoj se po e marr këtë çmim këtu në Bibliotekën e Kosovës”, kishte thënë ai në prill të vitit 2017.

Ismail Kadare ka vdekur më 1 korrik të vitit 2024, në moshën 88-vjeçare. I lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, ai la pas një vepër që e bëri letërsinë shqipe të dëgjohej në më shumë se 40 gjuhë të botës.

Por, në Prishtinë, kujtesa për të nuk kufizohet në librat që mbajnë emrin e tij, as në fotografitë e takimeve që ka pasur me lexuesit. Ajo ruhet edhe në letrat që dërgoi për Kosovën, në librat që mori dhuratë nga krijuesit e saj dhe në rreshtat ku e ktheu dhimbjen e një populli në dëshmi letrare. 

Ekspozita “Kosova e Kadaresë” i bashkon këto gjurmë në një vend, duke e bërë të prekshëm raportin me Kosovën që, ndonëse nisi nga largësia, nuk u ndërpre asnjëherë.