KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η πρωτεύουσα αυξάνει τα τέλη στάθμευσης

Πάρκινγκ Prishtina

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka rritur tarifat e parkingjeve. Më shumicë votash është vendosur që për zonën e parë, parkimi të kushtojë 1 euro e 40 centë për një orë, si në parkingjet rrugore ashtu edhe në ato jashtërrugore. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, polemika u bënë për këtë vendim e edhe për raportin e fundit financiar, që tregon për rënie të ndjeshme të të hyrave

Kryeqyteti ka shtrenjtuar tarifat për parkim të automjeteve në qendër. Ndryshimet në Rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve që janë miratuar të premten në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, përcaktojnë që për zonën e parë të Prishtinës, parkimi të kushtojë 1 euro e 40 centë për një orë, si në parkingjet rrugore ashtu edhe në ato jashtërrugore. 

Këtu u përfshinë edhe ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Supreme.

“Pas aktvendimit të Gjykatës Supreme, kemi adresuar vërejtje përkatëse duke e harmonizuar rregulloren me ligjin në fuqi. Në qendër të kësaj rregulloreje është qytetari”, ka thënë Leutrim Retkoceri, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Por, Supremja nuk ka folur për çmimet. Ajo vetëm pati konstatuar se ndërmarrja “Prishtina Parking” nuk mund të ushtrojë disa kompetenca, përfshirë ato që të vendosë bllokada në vetura. Në aktgjykimin e Supremes, nene diskriminuese konsiderohen edhe dispozitat që formën e pagesës e lejojnë vetëm nëpërmjet telefonit. Gjykata e ka obliguar Komunën e Prishtinës që ta mundësojë pagesën me para të gatshme apo me automat parkingu. Pjesa e dispozitës që e lejon parkimin e vizitorëve në zonat rezidenciale vetëm nga ora 16:00 deri në 18:00, sipas Supremes e cenon lirinë për të pasur kontakte familjare, të organizimit të jetës private dhe natyrën normale të vizitave shoqërore ose familjare. Ajo gjithashtu e ka obliguar Komunën që të normojë marrjen e përgjegjësisë nga ndërmarrja për dëmtimet që mund të shkaktohen në automjete.

Por, përpos këtyre çështjeve, ndryshimet në rregullore kanë prekur edhe çmimet. Kësisoj, është vendosur që 1 euro e 40 cent të jetë edhe parkingu në zonat me laura, në zonën e parë. 

Përderisa në zonën e dytë, në parkingjet rrugore dhe jashtë rrugore, tarifa do të jetë 0.70 euro. Ndërsa në zonën e tretë, çmimi do të jetë 0.40 euro për orë. 

Tarifa për zonën e parë vlejnë edhe për ditën e shtunë, ndërsa, gjatë vikendit do të jetë pa pagesë parkimi në zonat dy dhe tre.

Ndryshimet e bëra në këtë rregullore janë kundërshtuar nga Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që për banorët rezidentë të largohet pagesa e përvjetshme dhe tarifimi për ditën e shtunë. 

“Prishtina duhet të lirohet nga laurat, hapësirat duhet të jenë të hapura dhe të qasshme për të gjithë. Jo vetëm që nuk i larguat laurat e vjetra, por po shtoni edhe të reja”, ka thënë asambleistja Nora Kelmendi.

Debati në këtë seancë u përcoll edhe me akuza ndaj pushtetit, gjatë diskutimit për gjendjen financiare të Komunës së Prishtinës, në tremujorin e tretë të këtij viti.

Në këtë mbledhje, temë diskutimi u bë intervistimi nga Prokuroria Speciale i kryetarit Përparim Rama, përderisa opozita ngriti shqetësime për rënien e të hyrave dhe mënyrën e menaxhimit të buxhetit komunal.

Sipas raportit të prezantuar nga drejtoresha e Financave, Valbonë Makolli, të hyrat e Komunës së Prishtinës gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator arritën në 8 milionë e 700 mijë euro.

“Përformanca e të hyrave 8 milionë e 700 mijë. Ka një rënie prej 27 për qind në krahasim me të hyrat e periudhës së njëjtët të vitit të kaluara. Në këtë tre mujor janë shpenzuar mbi 34 milionë apo 22.4 për qind e buxhetit të planifikuar për vitin 2026”, ka thënë drejtoresha Makolli.

Ndërsa, nga radhët e opozitës, Gëzim Sveçla e cilësoi gjendjen financiare të kryeqytetit shqetësuese. Ai kritikoi rritjen e shpenzimeve, rënien e të hyrave dhe milionat e paguara për procedura gjyqësore dhe përmbarimore.

Sveçla, i cili është shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e kritikoi edhe mungesën e kryetarit Rama në seancë, duke e lidhur këtë me intervistimin e tij nga Prokuroria.

“Sot jemi në seancën që do të duhej të mbahej para 1 jave, por asamblistët e partive në pushtet me të kuptuar se kryetari po intervistohej nga prokuroria nuk u kthyen më në sallë dhe unë ju kisha lutur që këto veprime të mos përsëriten më se do mbesim pa seanca. Kryetari më shumë do rrijë në prokurori se që ka me qëndru këtu, për shkak të punëve të tij që i ka bërë, për shkak të kësaj gjendje financiare që po e shohim në raport”, ka thënë Sveçla.

Kritikat e tij nxitën përplasje me shefin e asamblistëve të Lidhjes Demokratike, Egzon Pacollin.

Por, atij i reagoi Sveçla.

“Derisa i duartrokitni veprimet e tilla të një personi që zyrtarisht është i dyshuar për keqpërdorim financiar, ju tash këtë mundoheni ta heshtni se ju delegohen do punë në Termokos, do tenderë që anulohen e që rriten nga 100 mijë euro për dy muaj ditë, por edhe ata do të shkojnë në Prokurorinë Speciale pa merak. Secili prej juve do të jepni përgjegjësi. Nuk mundeni asnjë cent të këtyre qytetarëve me e keqpërdorë. Ka kaluar ajo kohë”, ka thënë ai.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme u diskutuan edhe shumë pika të tjera të rendit të ditës, e ndër to edhe propozim-vendimi për miratimin e Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në komunën e Prishtinës.