Për dikë ai është shqiptari i parë në Prishtinë që ka fotografuar për shumë vjet, negativët e shkrepjeve të Rexhep Rakovicës mbeten të pazhvilluar si thesare të çmueshme që presin të dalin në dritë. Dhjetëra fotografi të Rakovicës tashmë, për herë të parë, janë paraqitur në publik nëpërmjet ekspozitës “1928” në galerinë e sapohapur “Lumi91”, në atë që njihet si “Lagjja e Artistëve” në “Ulpianë”. Titulli i ekspozitës i referohet vitit të shkrepjes së parë, e cila qe pikënisje e një rrugëtimi fotografik që sot është trashëgimi
I lindur në Prishtinën e vitit 1909, Rexhep Rakovica, një teknik i ri farmacie, pak pa i mbushur të 20-tat, do të joshej nga një hobi: ai për fotografinë. Ishte punësuar në një barnatore në pronësi të një hebreu në qytet dhe, sipas të dhënave, më 1928, me aparatin fotografik “AGFA” të pronarit të barnatores, Rakovica bëri shkrepjen e parë. E prej aty, Rakovica nuk u ndal më. Shkrepjet e tij sot janë trashëgimi kulturore e kryeqytetit. Dhjetëra fotografi të Rakovicës tashmë, për herë të parë, janë paraqitur në publik nëpërmjet ekspozitës “1928” në galerinë e sapohapur “Lumi91”, në atë që njihet si “Lagjja e Artistëve” në “Ulpianë”.
Shkrepjet s’kanë legjenda e as vjet. Por shihet se janë njëfarë pasqyre e Prishtinës këtu e gati një shekull më parë. Me këmisha të gjata e të bardha, tre burra sapo kanë dalë nga lumi. Poshtë kanë peshqit e renditur dhe në dorë mbajnë nga një ngjalë. Është një fotografi ikonike ku bashkohen një zeje e asaj kohe, kostumet e veçanta dhe tre burra të kohës.

Fotografia e vetme me legjendë, e titulluar “Shëtitja me pajton”, e vitit 1928, paraqet një pamje thuajse të plotë të Prishtinës së asaj kohe. Në pajton janë gjashtë veta. Dy nga vajzat kanë një kostum të veçantë që ngjan të ketë qenë veshje nxënësesh. Në prapavijë janë shtëpitë e imëta të Prishtinës, minaret e xhamive dhe aty-këtu ndonjë ndërtesë pak më e lartë. Rakovica, i cili vdiq më 1988, me shkrepjet që i janë ekspozuar i ka bërë një shërbim të madh traditës. Ka ngrirë momente që tregojnë rrugëtimin e qytetit, veshjet e karakteristikat e kohës. Në objektivin e tij lëvizin kohët, ditët ecin nga veshjet tradicionale tek ato më moderne.
I biri i Rexhep Rakovicës, Enver Rakovica, ka treguar se planet kanë qenë që kjo ekspozitë të bëhej më herët. Ka rrëfyer se edhe profesori Shyqri Nimani ka qenë bashkëpunëtor në këtë nismë dhe ka bërë një monografi për Rexhep Rakovicën. Sipas tij, vazhdimisht dilnin gjëra që bënin të shtyhej hapja.
“Tash vendosëm ta hapim një galeri dhe ta përgatisim këtë ekspozitë. Rreth 90 për qind e fotografive s’janë parë më herët. Madje as ne nuk i kemi parë, pasi ishin vetëm negativët. Ai ka fotografuar shumë, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore ka fotografuar shumë. Mirëpo është detyruar që t’i asgjësojë shumë negativë para se partizanët të hyjnë në qytet. Pak që kanë ngelur gjatë luftës së fundit janë asgjësuar, por diçka ka mbetur”, ka thënë Rakovica, i cili posedon edhe galerinë e hapur të enjten mbrëma. Ka treguar se i ati e ka dashur shumë fotografinë, por s’ka hapur asnjëherë ndonjë studio komerciale.
“Ka fotografuar gjithçka dhe gjithkënd. Nuk e ka pasur biznes atë, por dashuri. Ai ka qenë farmacist me profesion dhe ka ditur si bëhet filmi. Ka ditur shumë gjëra teknike që m’i ka mësuar edhe mua. Pastaj unë kam filluar të fotografoj si nxënës i shkollës fillore më 1953. Asokohe, fotografia është ruajtur pasi ka dalë në letër, kurse tash ruajmë shumë pak”, ka thënë ai. Sipas Rakovicës, i ati i tij është shqiptari i parë në Prishtinë që ka fotografuar. Ka thënë se ka aludime edhe për të tjerë, por s’është paraqitur ndonjë negativ.

Në një sënduk të vjetër, familja ka ekspozuar edhe një fotoaparat të markës “Compur”, bashkë me disa negativë të markës “Lomberg”. Janë mjete të përdorura nga Rexhep Rakovica. Secila prej fotografive ka një rrëfim më vete.
Profesori universitar e etnologu veteran, Ukë Xhemaj, i ka bërë një lexim etnokulturor ekspozitës. Ka thënë se ajo paraqet një thesar të jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore, për jetën e qytetit të Prishtinës gati një shekull më parë. Sipas tij, në fotografi veçohen shumë vlera etnokulturore shqiptare.
“Në radhë të parë, kultura materiale, veshja. Kemi shumë kostume të traditës që flasin se si gati një shekull përpara është bërë jetë aktive në qytet. Është veshja e tirqve me shajak, zhgun e tipologjisë tipike shqiptare, edhe fshatare, edhe qytetare, që do të thotë se kanë bashkëjetuar”, ka thënë ai.

Ka përshkruar fotografitë duke thënë se forma e plisit në kokë tregon shumë.
“Të rinjtë e kishin qeleshen njësoj si të vjetrit, por më të madh dhe ua prekte veshët, që do të thotë është i padjallëzuar. Mosha rreth 20-25-vjeçare shihet se plisin pak e lëviz mbi majën e syrit të djathtë dhe kjo flet shumë për komunikim me mjedisin. Nëse del në qytet, ata që e vërejnë e dinë se është një beqar. I moshuari në fotografi e kishte vënë plisin pak prapa kokës, gjë që tregon se është njeri serioz i fjalës dhe i besës”, ka thënë Xhemaj. Në sqarimet e tij, nëpërmjet plisit si pjesë identifikuese e veshjes, flitet edhe për vlerat etnopsikologjike dhe etnokulturore dhe shprehen shumë ndjesi të brendshme.
“Një fotografi me tre burra që sapo kishin dalë nga peshkimi, me nga një ngjalë në duar, tregonte kostumin shumë interesant. Ajo këmisha e gjatë e burrave që në fshatra edhe sot e kësaj dite, në Has për shembull, e gjejmë si këmishë pune e verës. Është tipike këmishë shqiptare e burrave. Këtu paraqitet një bashkëjetesë e procesit të zhvillimit etnokulturor të veshjes. Nga ajo e traditës që ka arritur edhe në qytet të mbijetojë me veshjen graduale moderne”, ka thënë ai.

Më pas është ndalur te një vajzë e vogël në fotografi, e cila mban një fjongo në kokë, me fustan të bukur, këpucë e çantë dore. Sipas Xhemajt, kjo flet se kultura në qytet ka ecur përpara, por, sipas tij, si gjithkund, ajo kulturë nuk mund të merret ndaras, por e ruan vazhdimësinë. Ka thënë se këtu është vlera e ekspozitës dhe autorit që ka ditur t’i fiksojë ato momente.
“Pra, kjo ekspozitë e ka ruajtur një moment të historisë që brezi i ri i sotëm, kur shikon në retrospektivë, e sheh Prishtinën nga prapaskenat, me shtëpi të vogla njëkatëshe. Si e tillë, ekspozita e freskon kujtesën e brezave të moshuar, por edhe të të rinjve që kanë rastin ta shohin ekspozitën dhe të njihen me Prishtinën e kulturën, sado pak, nëpërmjet këtyre fotografive”, ka thënë Xhemaj.
Fotografitë e Rakovicës shpërfaqin një pjesë të identitetit të qytetit të Prishtinës, këtu e gati 100 vjet më parë. Identitet që sot, pak e hiç, ka mbetur. Por fotografitë e kthejnë në jetë nëpërmjet pamjeve.