KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η κυβέρνηση δεν παρέχει στην Ερευνητική Επιτροπή εκθέσεις σχετικά με την Αρλίντα Ζέκαϊ

Komisioni për alinda zekajn

Αρχεία

Φωτογραφία: Driton Pacharada

Është mbledhur sërish Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, por, deputetët e opozitës thanë se Zyra e Kryeministrit nuk i ka dorëzuar raportet e kërkuara të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme, që flasin për mosveprimet e institucioneve për ta parandaluar vrasjen

Me dyer të mbyllura është mbajtur të premten mbledhja e dytë e Komisionit Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. 

Përpara se mediat të përjashtohen nga mbledhja, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani kërkoi të informohej se pse nuk janë dorëzuar dy raportet që janë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme.

Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, tha se i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit që t’i dorëzohen këto raporte, me kërkesën që kjo të realizohet brenda tri ditë pune.

“Deri më tash nuk i kemi marrë raportin ose raportet”, ka thënë deputeti i Aleancës, Ramadani, i cili e kryeson grupin hetimor.

E, deputeti i PDK-së tha se shihet qartë që kryeministri Albin Kurti dhe dy ministrat e tij, Donika Gërvalla Xhelal Sveçla, nuk kanë vullnet për ta përmirësuar këtë sistem. Sipas tij, ata duhet të detyrohen sepse e kanë obligim ligjor.

“Kjo është për keqardhje në qoftë se ne në këtë fazë si komision hetimor nuk gjejmë vullnet për të bashkëpunu ne, kryeministri dhe nga dy ministra që janë nën përgjegjësinë direkte për përmirësimin e këtij sistemi”, ka thënë deputeti Rrahmani.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se puna e komisionit varet edhe nga niveli i bashkëpunimit me Qeverinë dhe se për shkak të rastit të ndjeshëm, nuk duhet humbur kohë.

“Nuk po du me aludu te motivet se pse nuk janë dorëzu, por ne kemi punë jashtëzakonisht komplekse për një rast jashtëzakonisht të rëndë dhe të dhimbshëm dhe nuk kemi kohë me e humbë asnjë ditë të vetme për vonesa të tilla të panevojshme”, ka thënë deputetja Kabashi-Ramaj.

Ndërkaq, Adnan Rrustemi, që është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, ka thënë se për shkak të afateve, komunikimi nuk duhet të jetë vetëm formal, por të telefonohet zyrtari përgjegjës në administratë.

“Nuk ka asnjë arsye që ato dy raporte të mos i vihen në dispozicion Komisionit Hetimor, as edhe sikur të ketë e që s’ka arsye, komisioni nuk mund të privohet nga ato dokumente”, ka thënë Rrustemi.

Këtë e kundërshtoi Rrahmani, i cili kërkoi që asnjë komunikim të mos jetë joformal, sepse mund të dëmtohet procesi.

“Nuk ka struktura paralele në Qeveri. Ka komunikim zyrtar dhe pikë dhe unë mendoj që asnjë komunikim tjetër përveç atij zyrtar nuk duhet të ndodhë prej këtij komisioni. Arsyeja pse Arlinda e ka vërtetu se shteti ka qenë përgjegjës dhe ka dështu në mbrojtjen e saj është pikërisht se ka dështu komunikimi. Ka qenë zyrtar dhe institucional”, ka thënë ai. 

Kryetari i këtij komisioni njoftoi se komunikimi për këto raporte ka qenë edhe me shkresa zyrtare, e po ashtu edhe me telefon, por që nuk janë dorëzuar dokumentet.

Raportet, të cilave u janë referuar deputetët, kanë evidentuar një varg shkeljesh nga institucionet, në parandalimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas tyre mosveprime institucionale që do të mund të parandalonin vrasjen janë evidnetuar në Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Pejë, në Polici, në Qendrën për Punë Sociale e në Komunën e Pejës.

Ministrja Gërvalla, kur me ministrin Sveçla pati folur për raportet, ka thënë se pret nga komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi që të kontribuojë në zbardhjen e veprimeve apo mosveprimeve institucionale. 

Në mbledhjen e Komisionit hetimor, deputeti Rrustemi ka kërkuar zgjatjen e afatit për angazhimin e tre ekspertëve.

Mbledhja është ndërprerë, pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve nga të cilat Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi, ka bërë të ditur kryetari i këtij Komisioni, Burim Ramdani.

Ai ka thënë se pas kundërshtimit të LVV-së, ka dhënë pesë minuta pauzë me shpresën se do të ndryshonte qëndrimi, por kjo nuk kishte ndodhur.

“LVV-ja nuk lejoi që Zyra e Kryeministrit të përfshihej në listën e institucioneve prej të cilave Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi. Kur e kuptova bllokadën, u dhashë pesë minuta pauzë me shpresën se do të ndryshonin qëndrimin, por kjo nuk ndodhi”, ka shkruar Ramadani në Facebook. 

Ai ka thënë se, edhe pas pauzës, LVV-ja mbeti kundër përfshirjes së Zyrës së Kryeministrit, “pavarësisht argumenteve se ky institucion duhet të jetë pjesë e procesit të kërkimit të dokumenteve dhe dëshmive”.

“Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja”, ka thënë Ramadani.

Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor është paralajmëruar të mbahet të hënën. Ramadani i ka bërë thirrje LVV-së që “të reflektojë dhe të mos e bllokojë punën e Komisionit”.

Komisioni hetimor ka 11 anëtarë, e që mandati maksimal i tij është gjashtë muaj.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkaq, ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Vetëm tri ditë para se të vritej, Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.

Kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra, katër ditë pasi ndodhi vrasja. Ndërkaq, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.

Por, gjatë protestave që aktivistë kanë mbajtur në Prishtinë, është kërkuar shkarkimi i ministrave Gërvalla e Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.