KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Ειδικός του NDI: Ο νόμος για την προστασία από την ενδοοικογενειακή βία έχει ελλείψεις

Ειδικός του NDI: Ο νόμος για την προστασία από την ενδοοικογενειακή βία έχει ελλείψεις

Ekspertja e NDI-së, Luljeta Plakolli-Kasumi, ka ngritur shqetësimin për zbatimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, duke thënë se pavarësisht risive që ka sjellë, disa dispozita të tij nuk po funksionojnë në praktikë.

Gjatë diskutimit për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji, Plakolli Kasumi ka thënë se ligji ka hapësirë për përmirësime, për shkak të disa dispozitave kontradiktore dhe paqartësive në përkufizimet institucionale, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka theksuar se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e akteve nënligjore dhe mosfunksionalizimi i disa mekanizmave që janë paraparë me ligj.

“Për me filluar ndoshta me ligjin vet, nga ajo çka kam parë edhe çfarë kam lexuar edhe diskutuar pak, nuk është ligj i keq, po, ka hapësirë për me u përmirësuar, ka dispozita kontradiktore, ka paqartësi sa i përket përkufizimeve institucionale, por në fund të fundit është një ligj i mirë, mirëpo si i tillë, domethënë, ka sjellë edhe risi të shumta, mbas parë ka zgjeruar rrugën mbrojtjen nga dhuna në familje, edhe ka përfshirë dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore, pastaj ka paraparë, domethënë, edhe ministrinë si koordinator, apo koordinatore kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje”, tha ajo.

Plakolli Kasumi ka përmendur si risi edhe financimin shumëvjeçar të strehimoreve dhe ndalimin e ndërmjetësimit e pajtimit në rastet e dhunës në familje.

Megjithatë, sipas saj, problemi kryesor paraqitet te zbatimi i ligjit, pasi disa mekanizma të paraparë nuk janë funksionalizuar, përfshirë linjën telefonike emergjente dhe fondin emergjent për viktimat e dhunës në familje.

“Ka paraparë një financim shumëvjeçar të strehimoreve, domethënë që përkon me një prej rekomandimeve të Këshillit të Evropës që kjo duhet të jetë një financim shumëvjeçar. Një risi tjetër është që e ka ndaluar ndërmjetësimin edhe pajtimin në rastet e dhunës në familje, që është një gjë shumë pozitive, dhe domethënë, në letër është gjithçka çka kërkon Konventa e Stambollit. Kështu që problemi fillon kur fillojmë prej ligjit tek zbatimi, pikërisht tek kjo, sepse shumë prej këtyre dispozitave nuk funksionojnë vetvetiu, edhe ligji e ka paraparë hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se linja telefonike emergjente ekziston në letër, por ende nuk është funksionalizuar, ndërsa fondi emergjent për viktimat gjatë qëndrimit në polici nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së financimit. Sipas saj, ende mungojnë edhe disa akte nënligjore që duhet të hartohen nga ministritë përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë diskutim, kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, ka thënë se ligji parasheh përgjegjësi për një numër të madh institucionesh, duke filluar nga mekanizmat koordinues në nivel lokal e deri te institucionet shëndetësore, policia, gjykatat dhe prokuroria.

Deputetja e VV-së ka theksuar se mbikëqyrja e këtyre mekanizmave dhe zbatimi i përgjegjësive institucionale janë të rëndësishme për reagimin ndaj rasteve të dhunës në familje.

Kollçaku ka rikujtuar se në vitin 2020, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar përfshirjen e Konventës së Stambollit, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet e rëndësishme në luftën kundër dhunës në familje.

Ajo ka kërkuar që të përshpejtohet hartimi i akteve nënligjore që ende mungojnë, duke vlerësuar se mosmiratimi i tyre në kohë mund ta bëjë ligjin të pazbatueshëm në disa pjesë.

“Ky komision e ka shprehur vullnetin që një ligj që ka qenë në duart e disa prej neve këtu në legjislaturat e kaluara, mirëpo të cilët sot jemi të interesuar ta shohim se në aspektin, qysh ta fuqizojmë, cilat akte nënligjore ende nuk janë hartuar? Sepse është shumë e qartë që mos nxjerrja me kohë e akteve nënligjore në një pjesë ligjin e bën të pazbatueshëm. Andaj është i imediatë përpjekja që këto, ato që kanë mbetur pa u hartuar”, ka deklaruar Kollçaku.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e parandalimit të dhunës përmes edukimit, veçanërisht në familje dhe në institucionet arsimore, duke kërkuar luftimin e stereotipeve dhe edukimin e brezave të rinj për barazi mes vajzave dhe djemve.

Sipas Kollçakut, parandalimi duhet të nisë që në fëmijëri, në mënyrë që barazia gjinore të jetë pjesë e edukimit në familje dhe shoqëri.

Deputetja Duda Balje ka ngritur shqetësimin për vazhdimin e rasteve të dhunës në familje, pavarësisht diskutimeve dhe angazhimeve institucionale për parandalimin e saj.

Gjatë diskutimit për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, Balje ka thënë se nga rasti i fundit i raportuar e deri në ditën e diskutimit janë shënuar më shumë se shtatë ose tetë raste të tjera të dhunës në familje.

Ajo ka kritikuar mungesën e veprimeve konkrete, duke thënë se institucionet duhet të kalojnë nga diskutimet dhe deklaratat në hartimin e një plani të qartë veprimi, me përgjegjësi të përcaktuara për secilin institucion.

“Megjithëse është më mirë, se ne, qysh ne shumë jemi duke folur për këtë, edhe sa më shumë jemi duke folur na praktikisht në teren prapë kemi, na prej rastit më të fundit deri sot prapë kemi pasur më shumë se shtatë ose tetë raste e dhunës në familje. Edhe vërtet këtu na kemi ndonjë, se këtu kemi ndonjë, ndonjë gabim na, prapë, prapë kemi shumë gabime të cilat duhet me u hambulacuar diqysh edhe me, me bë puna konkrete, se na, vërtet shumë jemi duke folur. Jemi duke shkruar statuse, krejt na e dimë, është lehtë, na edhe përgjegjësi nuk mundemi me marrë, se unë nuk jam fajtor, ti je fajtor, jo prej këtij fajtori, këtij… ndoshta nuk kemi sa këtu mirë, domethënë kush është fajtor edhe ku është fajësia e parë?. Ne duhet tash për tash me u propozuar, se, ne s’mundemi jonë edhe në mënyrë elektronike na mundemi me, me e komunikuar deri takimin e radhës, me bë një, domethënë, me bë një plan ku me fillu. Domethënë prej cilit institucion, çështja e akteve nënligjore është me plotësu ligjin. Edhe vërtet duhet me dhënë edhe ministria e, domethënë punët e brendshme, edhe ministria e drejtësisë, me kontaktu edhe me nivelin lokal, qysh me ekspertë mendoni se është më mirë për me bë një plan, prej ku me fillu, edhe mbasi ne mundemi me, me diskutuar bashkë edhe me thënë personat që janë përgjegjës”, ka deklaruar Balje. /EkonomiaOnline