Një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale ‘’kundër integritetit seksual’’.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka njoftuar se është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshurit, seanca për të cilën është duke u mbajtur.
Ndërsa viktima, sipas tij po merr trajtim mjekësor nën përkujdesje të institucioneve shtetërore.
‘‘Ajo çka mund të konfirmoj është se një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale kundër integritetit seksual. Për të njëjtin prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit për veprat penale të cilat i vihen në barrë. Viktima ka marrë tretmanin e duhur nën përkujdesje të institucioneve shtetërore’’, ka deklaruar Nikçi.
KOHA ka marrë vesh se viktima në këtë rast është vajza e mitur e të dyshuarit.
Ndërsa në raportin 24-orësh të Prokurorit të Shtetit, bëhet e ditur se, departamenti për të mitur ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj një personi për veprat penale: “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.
Është bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe janë sekuestruar prova, kryesisht mjete elektronike qe janë përdorur në rast.