Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

Xhafa: Es gibt Tote, die lebendiger wirken als viele der heute Lebenden.

Xhevdet Xhafa

Xhevdet Xhafa: Shtëpitë private, kafenetë dhe hapësirat e improvizuara u kthyen në vende pune, sepse nuk kishte të tjera. Por ajo që ka më shumë peshë në atë periudhë është solidariteti i njerëzve për të mbijetuar dhe për të rezistua... Ndoshta pikërisht në atë kohë u bë më e qartë se arti nuk është luks. Është një mënyrë për të mos u zhdukur”

“Sot prodhohet më shumë se kurrë, por rrezikohet më pak. Shumë vepra duken të matura, të konceptuara për të qarkulluar lehtësisht, e jo për të tronditur. Ajo që më intereson nuk lidhet me kohën, por me domosdoshmërinë me atë pikë ku një vepër nuk ka alternativë tjetër veçse të ekzistojë. Shumë artistë sot duken rehat brenda sistemit. Unë tërhiqem nga ata që nuk ndihen rehat në të”, thotë akademik Xhevdet Xhafa kur pyetet për artin e sotëm. “Ka njerëz të vdekur që mbeten më të gjallë se shumë njerëz të gjallë sot”

Hans-Ulrich Obrist

Në vitin 1974 filluat të jepnit mësim. Cila është qasja juaj ndaj mësimdhënies së artit dhe mentorimit të studentëve të rinj?

Xhafa: Kur fillova të jepja mësim në vitin 1974, për mua ishte shumë e rëndësishme që studentët të mos mësonin vetëm teknikën. Natyrisht, vizatimi, kompozimi dhe njohja e materialeve janë themelore, por arti nuk mund të reduktohet vetëm në mjeshtëri teknike.

Gjithmonë kam menduar se roli i pedagogut është më tepër të hapë një mënyrë të caktuar të të menduarit sesa të imponojë një stil. Çdo student/e duhet të gjejë zërin e vet. Nëse një profesor krijon kopje të vetes të studentët, atëherë diçka nuk shkon siç duhet. Jam përpjekur t’i inkurajoj studentët të vëzhgojnë realitetin që i rrethon: jetën, njerëzit, hapësirën ku jetojnë. Arti nuk lind në izolim. Ai lind nga përvoja, nga pyetjet që i bëjmë botës dhe vetvetes.

Po ashtu, jam përpjekur të krijoj në studio një atmosferë dialogu. Arti nuk mësohet vetëm duke dëgjuar profesorët; ai mësohet duke diskutuar, duke eksperimentuar, duke bërë gabime dhe duke kërkuar vazhdimisht diçka të re. Ajo që ka më shumë rëndësi për një student/e të ri/e është zhvillimi i ndjeshmërisë dhe kuriozitetit. Teknika mund të përmirësohet me kalimin e kohës, por mënyra se si e shihni botën është ajo që e bën një artist/e unik/e.

Cila është këshilla juaj për një artist të ri sot? Çfarë këshille do t'i jepnit vetes suaj më të re?

Xhafa: Nuk ka vetëm një këshillë, sepse arti nuk mësohet si një zanat me rregulla të qarta. Ai lind nga një nevojë që nuk të lë të qetë. Nëse më duhet të them diçka: mos u ngutni të bëheni artistë. Mësoni të shihni, të ndjeni, të dyshoni. Mos u fiksoni pas stilit; stili vjen vetvetiu, nëse ajo që ju shtyn të punoni është e vërtetë. Punoni pa frikë. Mos e censuroni veten para se të filloni. Gabimet janë pjesë e punës, jo diçka që duhet shmangur. Mos kini frikë nga pasiguria. Ajo është hapësira ku ndodh diçka e re. Nëse e shmangni atë, përfundoni vetëm duke përsëritur atë që ekziston tashmë. Mos e krahasoni veten me të tjerët. Gjithkush ka ritmin e vet. Arti nuk është garë, edhe pse shpesh duket si e tillë. Dhe mbi të gjitha, ruajeni sinqeritetin me veten. Pa të, mund të krijoni shumë, por nuk mbetet asgjë. Vetes sime më të ri do t’i thosha: mos u përpiq të kuptohesh menjëherë. Nuk ka nevojë. Disa gjëra duhet të mbeten paksa të paqarta për të pasur vlerë. Ki më shumë durim me procesin. Jo çdo vepër do të dalë mirë, dhe kjo është në rregull. Dhe ndoshta gjëja më e rëndësishme: beso tek ajo që ndjen, edhe kur nuk di si ta shpjegosh. Sepse shpesh pikërisht aty fillon puna e vërtetë. Mbi të gjitha: mos prit momentin e duhur, puno pa frikë.

Gjithmonë jam i interesuar të di se në cilin moment mund të konsiderohet fundi i krijimtarisë studentore dhe fillimi i asaj profesionale. Cilën vepër tuajën e konsideroni si numri 1 në katalogun tënd të plotë të veprave (catalogue raisonné)?

Xhafa: Nuk besoj se ekziston një moment ku një gjë mbaron dhe një tjetër fillon. Kjo ide e ndarjes mes studentit dhe profesionistit është më tepër një organizim që i duhet me institucionit, jo vetë veprës Në thelb, vepra është gjithmonë në një gjendje papërfundimi. Madje, ajo që quhet vepër “studentore” mund të jetë më e guximshme, më e lirë, ndoshta edhe më e vërtetë se ajo që vjen më pas.

Ndoshta ndryshimi ndodh kur e humbet alibinë e të qenit student. Kur nuk ke më ku të fshihesh pas provës, pas ushtrimit. Kur gjithçka që bën fillon të të përfaqësojë drejtpërdrejt, pa mburojë. Aty fillon një lloj tjetër vetmie. Sa i përket veprës së parë, ideja e një fillimi më duket e dyshimtë. Sepse çdo fillim është gjithmonë vazhdimi i diçkaje tjetër, shpesh të padukshme.

Nëse duhet ta mendoj si “numrin zero”, ndoshta nuk është një objekt, por një moment kur kupton se ajo që po kërkon nuk ka fund. Një moment i vogël zhvendosjeje, ku marrëdhënia me botën ndryshon, por pa e kumtuar si të tillë. Aty ndodh diçka që nuk mund të katalogohet. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ajo mbetet si një fillim.

Kur e ktheni vështrimin pas te e gjithë krijimtaria juaj artistike, vitet '50, '60, '70 e kështu me radhë, cilat do të thoshit se janë zbulimet e mëdha, ato vepra kyçe që ndiet se shënuan një kthesë të rëndësishme në praktikën tuaj?

Xhafa: Zakonisht, momentet “kyçe” i zbuloj më vonë. Në kohën kur punoja, nuk kishte ndonjë zbulim të menjëhershëm; kishte vetëm dyshime, gabime dhe vazhdimësi. Këto zbulime vijnë gjithmonë me vonesë. Kur vepra ka përfunduar dhe ti ke filluar të harrosh pse e krijove atë.

Cilat janë arritjet për të cilat krenoheni më së shumti? Për çfarë dëshironi të mbaheni mend?

Xhafa: Nuk i kam synuar arritjet si qëllim. Kam dashur thjesht të vazhdoj, pa u ndalur, edhe kur nuk kishte siguri apo kuptim të menjëhershëm të punoj pa u përshtatur vetëm e vetëm për t’u pranuar. Nëse ka diçka për të cilën mund të flas, është pikërisht kjo këmbëngulje për të qëndruar te vepra, edhe kur gjithçka tjetër lëviz. Sa i përket të mbajturit mend, kjo nuk është diçka që mund ta kontrollosh.

Nëse duhet të mbetet diçka, le të mbetet gjurma e një kërkimi që nuk është mbyllur kurrë dhe që ndoshta nuk duhet as të mbyllet. Ndoshta, në fund, mbetet vetëm kjo: të vazhdosh me të njëjtën kureshtje si një fëmijë trevjeçar.

Kuptoj se gjatë viteve '90, praktika juaj u detyrua të zhvillohej në mënyra alternative, pasi universiteti në gjuhën shqipe u ndërpre. Si pasojë, filluat të jepnit leksione në shtëpi private dhe të organizonit ekspozita në kafene. Është e mrekullueshme që asgjë nuk ju pengoi të krijonit art dhe të jepnit mësim. A mund të më tregoni më shumë rreth arsyeve pse ndiet nevojën për të vazhduar, pavarësisht trazirave të asaj periudhe, si dhe për disa nga format e reja që u desh të improvizonit e të krijonit?

Xhafa: Nuk ishte çështje zgjedhjeje, por pasojë e një tranzicioni të dhunshëm, e një apartheidi social dhe politik. Kur të merret hapësira, puna nuk ndalet ajo thjesht zhvendoset. Shpiken hapësira të reja, mendimi lëviz dhe rezistenca merr formë. Universiteti u mbyll, por nevoja për të ekzistuar, për të rimenduar dhe për të krijuar u shndërrua në një urgjencë. Ato që ju i quani “forma të reja” nuk ishin shpikje në kuptimin romantik. Ishin zgjidhje minimale për të vazhduar. Shtëpitë private, kafenetë dhe hapësirat e improvizuara u kthyen në vende pune, sepse nuk kishte të tjera. Por ajo që ka më shumë peshë në atë periudhë është solidariteti i njerëzve për të mbijetuar dhe për të rezistuar. Pa atë ndjesi të përbashkët, as mësimdhënia, as arti dhe as vetë vazhdimësia nuk do të kishin qenë të mundura. Në njëfarë mënyre, ato kushte e zhveshën artin nga çdo iluzion. Nuk kishte më mbështetje, as strukturë, as publik të garantuar. Mbeti vetëm marrëdhënia e drejtpërdrejtë midis veprës dhe nevojës për ta krijuar atë. Edhe mësimdhënia ndryshoi. Ajo nuk ishte më thjesht transmetim i dijes, por një formë qëndrimi dhe ekzistence. Një mënyrë për të mos ndërprerë një vijimësi. Ndoshta pikërisht në atë kohë u bë më e qartë se arti nuk është luks. Është një mënyrë për të mos u zhdukur.

Ju keni jetuar nëpër periudha të ndryshme. Si e shihni epokën aktuale në krahasim me të kaluarën? A jeni optimist për të ardhmen?

Xhafa: Çdo epokë e konsideron veten të veçantë, por në thelb tensionet mbeten të njëjta ndryshojnë vetëm format. Sot gjithçka duket më e shpejtë, më e dukshme, por ndoshta edhe më sipërfaqësore. Ka më shumë zë, por jo domosdoshmërisht më shumë dëgjim. Në krahasim me të kaluarën, nuk e shoh si më të lehtë apo më të vështirë, thjesht si diçka ndryshe. Çdo epokë ka kufizimet dhe mundësitë e veta. Sa i përket së ardhmes, nuk mendoj për të në terma optimizmi apo pesimizmi. Është më tepër çështje qëndrimi: të vazhdosh të punosh, pavarësisht kohës.

Çfarë mendoni për prodhimin artistik bashkëkohor? Cilët janë artistët që ju interesojnë më shumë – qofshin bashkëkohorë apo nga e kaluara?

Xhafa: E ndjek, por gjithmonë me njëfarë mosbesimi. Sot prodhohet më shumë se kurrë, por rrezikohet më pak. Shumë vepra duken të matura, të konceptuara për të qarkulluar lehtësisht, e jo për të tronditur. Ajo që më intereson nuk lidhet me kohën, por me domosdoshmërinë me atë pikë ku një vepër nuk ka alternativë tjetër veçse të ekzistojë. Shumë artistë sot duken rehat brenda sistemit. Unë tërhiqem nga ata që nuk ndihen rehat në të. Sa u përket emrave: jam prekur veçanërisht nga Gustave Courbet, Théodore Géricault, Giorgio Morandi dhe Jacob Lawrence; ndërsa mes bashkëkohorëve, nga Kerry James Marshall, Isa Genzken, Cy Twombly, Doris Salcedo dhe David Hammons. Ka njerëz të vdekur që mbeten më të gjallë se shumë njerëz të gjallë sot.

A mund të na flisni për veprën tuaj më të fundit? Me çfarë po punoni tani? Çfarë ju frymëzon sot? Çfarë mbetet ende një mister për ju?

Xhafa: Nuk i shoh veprat në terma të “më të fundit”. Çdo vepër është vazhdim i një tjetre, edhe kur duket si shkëputje. Ajo që po bëj tani është të ruaj një tension midis asaj që di dhe asaj që ende nuk e kuptoj. Nuk më interesojnë përgjigjet, por ta lë pyetjen të hapur. Frymëzimi nuk është një moment. Është një lloj pakënaqësie që nuk largohet. Sa u përket misterit dhe vlerës, ato qëndrojnë aty ku unë nuk jam në gjendje t’i artikuloj. Ajo që më mban të angazhuar në punë nuk është ajo që kam kuptuar, por ajo që vazhdoj të mos e kuptoj.

A mund të ma përshkruani studion tuaj? Çfarë ndodh aty? A punoni çdo ditë? A keni ndonjë ritual?

Xhafa: Studioja nuk është një vend stabil; është si një ballkon i hapur, pa mbulesë, vetëm nën qiell. Nuk është një hapësirë në kuptimin klasik; është më tepër një gjendje pune. Ndonjëherë një tavolinë, ndonjëherë një rrugë, ndonjëherë asgjë konkrete. Ajo që ndodh aty nuk është gjithmonë e dukshme si “punë”. Shumë gjëra ndodhin pa u parë, të menduarit, pritja apo dyshimi. Punoj pothuajse çdo ditë, por jo në mënyrë lineare. Është e paparashikueshme. Sot jam paksa i kufizuar nga gjendja ime fizike, por kjo më shtyn edhe më shumë; qëndrimi i tyre fillon të marrë formë. Nuk kam rituale fikse. Ndoshta i vetmi është të kthehem sërish, edhe kur nuk ka ndonjë arsye të qartë. Aty gjithçka fillon dhe mbaron. Dhe pastaj fillon sërish.

Jam i interesuar për procesin tuaj artistik: a është gjithçka e planifikuar, apo luan rol edhe rastësia?

Xhafa: Tensioni.

Dan Graham thoshte gjithmonë se duhet të dimë se çfarë muzike dëgjon një artist: çfarë është harmonia dhe çfarë është energjia për ju? Çfarë muzike dëgjoni? A keni ndonjë ngjyrë të preferuar?

Xhafa: Për mua, muzika nuk është sfond, është ritëm i brendshëm. Nuk kam një zhanër të vetëm. Mund të jetë diçka shumë e qetë, minimale, ose e kundërta e plotë: e ashpër, e papastër. Varet nga gjendja e veprës. Nuk e përdor për t’u qetësuar, por për të ruajtur tensionin. Harmonia nuk më intereson si ekuilibër. Ajo që më intereson është pika ku gjërat nuk përputhen plotësisht, por megjithatë qëndrojnë bashkë. Aty ka energji. Energjia nuk është vëllim, është intensitet. Mund të jetë shumë e heshtur, por e fuqishme. Sa i përket muzikës, dëgjoj gjithçka që nuk është “e rehatshme”. Nuk kam ndonjë të preferuar. Jam më i interesuar për ato gjëra që nuk stabilizohen lehtë, që ndryshojnë në varësi të dritës dhe kohës. Ndoshta një ngjyrë që nuk fiksohet kurrë plotësisht.

A mbledh edhe vepra arti, qoftë të tuat apo të të tjerëve? A do të ketë një fondacion për veprën tënde në të ardhmen?

Xhafa: Nuk e shoh veten si koleksionist. Nuk i mbaj veprat e mia si pronë; ato largohen, qarkullojnë, i mbeten kohës. Sa u përket veprave të të tjerëve, ajo që mbetet nuk është posedim, por ajo që ndodh mes meje, veprës dhe kohës. Ideja e një fondacioni nuk më intereson në kuptimin klasik. Më intereson një përmasë tjetër: ndoshta një fondacion 1 x 1 m.

Gjithmonë jam i interesuar të di nëse artistët kanë ndonjë projekt të parealizuar. Këto mund të jenë projekte që ishin tepër të mëdha ose tepër të vogla për t'u realizuar; projekte që u censuruan, qoftë nga forca të jashtme apo përmes vetëcensurës; projekte që ishin tepër të kushtueshme ose të parealizueshme për arsye të tjera praktike; apo thjesht projekte të harruara. A keni ndonjë projekt të parealizuar?

Xhafa: Ajo që nuk realizohet nuk mungon, ajo thjesht merr një formë mendore. Ajo mbetet si presion, si një mundësi e me hapur, si diçka që vazhdon të veprojë pa u shfaqur. Për shembull: të vrapoj në një maratonë tani me karrocën time të invaliditetit. Një ide, një dashuri, një çmenduri. Tani jam i bindur se nuk do ta realizoj kurrë. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston më. Përkundrazi, ndoshta pikërisht sepse nuk është realizuar, ajo mbetet më e fortë, më e pastër, mosrealizimi nuk është dështim. Është një formë tjetër ekzistence. Disa gjëra duhet të mbeten në gjendje tensioni.

Interview im Auftrag der Nationalgalerie des Kosovo für den Katalog zur Einzelausstellung des Künstlers Xhevdet Xhafa. Veröffentlicht mit freundlicher Genehmigung der Nationalgalerie des Kosovo.