“Vendosja e arbneshëve në Zarë” (Doseljenje Arbanasa u Zadar) i Kruno Krstiqit, botoi Bashkësia lokale “Arbneshi”, Zarë, 1988, paraqet studimin më të denjë deri më tani në lidhje me shkaqet e shpërnguljes dhe vendosjen e arbneshëve në territorin e Zarës. Ndër të tjera aty dëshmohet se falë arbëreshëve dhe punës së tyre të vyer, rrethina e Zarës u bë e pëlleshme, sepse para ardhjes së tyre në këtë vend ajo ka qenë tokë e papunuar. Jo vetëm arave të punës, por edhe pronave të tjera arbneshët u jepnin emrat shqip
Ndonëse për diasporën shqiptare në Zarë deri më tani janë shkruar studime dhe artikuj me vlerë nga studiues të ndryshëm, siç janë: G. Weingrandi, C. Tagliavini, T. Erberi, S. Buzoliqi, M. Qurkoviqi, I. Ajeti etj., është evidente se të gjitha këto studime janë mbështetur në një numër shumë të kufizuar dokumentesh si në traditën e ruajtur gojore, kështu edhe të dhënat janë të pakta e aty-këtu edhe të pasakta.
Një hap të rëndësishëm në lidhje me studimin e kësaj diaspore e bën Kruno Kërstiqi, i cili në fund të veprimtarisë së vet shkencore opinionit i dhuroi dy botime me vlerë mbi diasporën shqiptare në Zarë. Libri i parë i tij me titull ”Fjalori i të folmeve të arbëreshëve të Zarës” (1987), është një monografi gjuhësore që është vlerësuar lart nga kritika si kontribut me rëndësi jo vetëm për albanologjinë, por edhe për ballkanologjinë. Ndërsa libri i dytë ”Vendosja e arbneshëve në Zarë” (1988), që po e marrim në shqyrtim paraqet studimin më të denjë deri më tani në lidhje me shkaqet e shpërnguljes dhe vendosjen e arbneshëve në territorin e Zarës.
Eruditi nga Arbanasi
Dr. Kruno Kërstiqi (1905-1987), filozof, filolog dhe leksikograf i spikatur bën pjesë ndër figurat më të shquara nga Arbneshi (Arbanasi) i Zarës. Ai ka qenë njeri me erudicion të gjerë. Përveç se ka shkruar studime dhe artikuj profesionalë në vitin 1937 në Zagreb ka doktoruar nga lëmi i psikologjisë, në mënyrë të veçantë është marrë me hulumtimin e së kaluarës dhe të gjuhës së arbëreshëve të Zarës.
Siç na bën me dije në parathënien e këtij studimi A. Stipçeviqi, i cili e ka përgatitur për botim këtë vepër, vdekja e pengoi autorin që të shkruajë një studim më të gjerë në lidhje me vendosjen e shqiptarëve në Zarë. Autori po ashtu cek se Stipçeviqi ka pasur ndërmend që të shfrytëzojë një lëndë bukur të gjerë të mbledhur kohë më parë në Arkivin Shtetëror të Zarës, ku edhe ka punuar në vitin 1949-1951. Artikullin e parë mbi arbëreshët e Zarës, K.Kërstiqi e pati shkruar me rastin e 225-vjetorit të vendosjes së tyre në Zarë me titull “Arbëreshët e Zarës”, në gazetën lokale “Glas Zadra”, më 21 gusht 1951, ndërsa më vonë këtë punim e plotësoi me të dhëna të reja dhe e botoi me titull “Vendosja e arbëreshëve në Zarë”, botuar në “Zbornik Zadar”, Zagreb, 1964.
Në këtë punim ai bëri ca përmirësime të të dhënave të gjertanishme që patën shkruar Erberi, Qurkoviqi e të tjerë. Por, gëzon fakti se në lidhje me vendlindjen dhe të parët e tij, ai s´pati pushuar kurrë duke hulumtuar të dhëna të reja deri para vdekjes së tij. Vdekja e pengoi që kjo monografi të jetë më e plotë, sepse siç cek Stipçeviqi, këtij studimi ka dashur t’i bashkëngjisë disa dokumente të pabotuara deri më tash në lidhje me vendosjen e arbëreshëve në Zarë.

Shpërngulja e parë e madhe më 1726
Studimi është konceptuar në atë mënyrë që atë e bëjnë katër pjesë, ndërsa përveç parathënies, jepen edhe ilustrimet, shënimet e literaturës së përdorur dhe shënimet mbi autorin. Të dhënat e para mbi shpërnguljen e arbëreshëve nga Kraja, datojnë nga viti 1726, që njëherësh sipas autorit është shpërngulja e parë e madhe. Këtë të dhënë për të parën herë e jep vikari i arqipeshkvisë së Tivarit, Marko Deluchi (Lukish). Shqiptarët e shpërngulur ishin nga krahina e Krajës, përkatësisht pjesa veriperëndimore e saj Shestani, si dhe nga fshatrat Ljare e Brisk, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë edhe nga ndonjë fshat tjetër. Këto të dhëna autori i paraqet në mënyrë të dokumentuar në saje të lëndës arkivore.
Mbi shkaqet e emigrimit të shqiptarëve nga Shqipëria turke, siç ceket në tekst, autori me të drejtë cek se ato janë të komplikuara. Emigrimi, përkatësisht arratisja e tyre nga trojet stërgjyshore nuk është bërë nga shkaku i ruajtjes së fesë katolike, e dhënë kjo që ndeshet në raportet e shumë misionarëve katolikë të kohës. Ndonëse nuk duhet nënçmuar apriori edhe këtë të dhënë, sepse masat represive që pushteti turk ndiqte ndaj shqiptarëve, janë shkaqet kryesore që ndikuan te kjo popullatë për të marrë një rrugë të tillë. Nëse kësaj i shtojmë edhe të dhënën se popullata e përkatësisë katolike ishte rajë, me të drejta të kufizuara në çdo aspekt në krahasim me qytetarët e tjerë, atëherë çdo gjë është e qartë. Hapësira ku jetonte kjo popullatë ishte e papërshtatshme, kryesisht terren malor “monti superiori”, me tokë pune të kufizuar, gjë që ka ndikuar në emigrimin e popullsisë për kushte më të mira të jetës.
Rrethanat që shpejtuan ikjen nga Shestani
Përveç të dhënave të lartshënuara autori po ashtu ka analizuar edhe gjendjen e atëhershme brenda Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë ishte në luftë me Persinë (1772-1736). Mu për nevojat e kësaj lufte, Turqia kishte ndërmend të mobilizonte pesë mijë veta nga Shqipëria për t’i dërguar në fronte me persianët. Kjo e dhënë krahas atyre që u cekën më lart, vetëm sa e ka shpejtuar procesin e emigrimit të tyre nga Shestani dhe të fshatrave përreth për në drejtim të Republikës së Venedikut. Të dhënat e misionarëve të ndryshëm që arbëreshët kanë emigruar nga “dashuria për fenë katolike dhe Republikën e Venedikut” janë të njëanshme dhe nuk kanë mbështetje shkencore.
Pas shpërnguljeve të mëdha të vitit 1726, autori bën fjalë edhe për disa shpërngulje të vogla (1726-1733), me ç´rast në Zarë u vendosën disa grupe të vogla familjesh apo individësh. Në lidhje me vendosjen e tyre në paralagje të Zarës autori cek se kemi të dhëna jo të sakta, të cilat për fat të keq janë interpretuar gabim nga studiues të ndryshëm. Kështu p.sh. duke analizuar një hartë të vitit 1778 në lidhje me ndarjen e pronave të tokës në Arbanas (Arbnesh) e duke i krahasuar ato të dhëna me burime të tjera të verifikuara, del se ajo hartë nuk ka pasqyruar gjendjen reale. Në raportet e misionarëve të ndryshëm, vazhdimisht në Zarë, pothuaj të gjithë kanë shprehur dëshirën që të vendosen pranë bashkatdhetarëve të tyre në Arbanas, e dhënë kjo që ka ndikuar në ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar për një kohë të gjatë.
Shpërngulja tjetër e madhe është në vitin 1733, me ç´rast emigruan 150 individë, që për një trevë me popullsi të pakët siç ishte Shestani e fshatrat përreth do të thotë shumë. Autori na bën me dije se shqiptarëve u është bashkangjitur edhe një numër i vogël malazezësh nga Spiçi.
K. Kërstiqi ngjarjet i shtjellon në diakroni e sinkroni, ai nuk bëhet rob i të dhënave arkivore dhe të materialit tjetër të hulumtuar duke i paraqitur ato në mënyrë statike, por ngjarjet e kohës në Perandorinë Osmane i ndërlidh me konotacionet e mundshme në Ballkan në përgjithësi, e në viset e banuara me shqiptarë në veçanti.
Kultivuesit e parë të misrit
Emigrimi i shqiptarëve nuk mbeti pa jehonë as në qarqet ndërkombëtare, kështu që Republika e Venedikut nuk i pranonte me dëshirë refugjatët pas vitit 1733, sepse nuk donte të prishte marrëdhëniet me Portën.
Në lidhje me vendosjen e arbëreshëve në Zarë dhe ndarjen e pronave në Zemunik, me ç´rast themeluan vendbanimin e tyre me emrin Arbanasi, autori në detaje jep të dhëna me interes rreth përshtatjes së tyre në rrethin e ri, si dhe me veprimtaritë e tyre ekonomike. Shqiptarët ishin të parët që në Zarë kultivuan kulturën e misrit, ata si vreshtarë të mirë që ishin në vendlindje, të tillë u treguan edhe në mjedisin e ri, me ç´rast dëshmohet se dy të tretat e pronave të tyre ishin vreshta. Edhe pse iu përshtatën rrethit të ri, për nga mënyra e të jetuarit ata nuk pësuan ndryshime të menjëhershme. Duke iu falënderuar arbëreshëve, dhe punës së tyre të vyer, rrethina e Zarës u bë e pëlleshme, sepse para ardhjes së tyre në këtë vend ajo ka qenë tokë e papunuar. Jo vetëm arave të punës, por edhe pronave të tjera arbëreshët u jepnin emrat (mikrotoponimet) shqipe siç janë p.sh. Vani i Brodanit, Shkambat, Vidhat, Bregdeti e të tjera. Nga ky studim mund të nxirren të dhëna me interes në lidhje me evoluimin e antroponimeve dhe të patronimeve të popullatës në mjedisin e ri deri në ditët tona.
Në fund të këtij vështrimi nuk na mbetet gjë për të thënë, vetëm për të konstatuar edhe njëherë se po të ishte përfunduar ky studim sa ka qenë gjallë autori, kjo monografi do të kishte qenë më e plotë, por edhe si i tillë, është studim me vlerë dhe me interes jo vetëm për arbëreshët e Zarës, por edhe për të gjithë të tjerët që iu intereson e kaluara e kësaj diaspore shqiptare. Me këtë botim autori i ka bërë një nderim vendlindjes dhe të parëve të tij.
Lexuar në kuadër të tryezës së rrumbullakët, me rastin e 300-vjetorit të vendosjes së arbneshëve në Zarë, Ostros –Krajë, më 3 gusht 2026