Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

„Deep Space“ – eine Chance für Künstler mit Herausforderungen auf dem internationalen Markt

„Deep Space“ – das einen Teil des ehemaligen Gërmia-Gebäudes einnimmt und im vergangenen Dezember eröffnet wurde – bietet Möglichkeiten zur Interaktion und zum gemeinsamen Erleben in verschiedenen Dimensionen.

„Deep Space“ – das einen Teil des ehemaligen Gërmia-Gebäudes einnimmt und im vergangenen Dezember eröffnet wurde – bietet Möglichkeiten zur Interaktion und zum gemeinsamen Erleben in verschiedenen Dimensionen.

Potenciali i platformës “Deep Space Prishtina” si hapësirë për krijimtari dhe mënyrat se si artistët e pavarur nga Kosova mund të arrijnë te publiku ndërkombëtar, kanë qenë temat e dy paneleve të edicionit të gjashtë të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Diskutimi i parë me temë “Hapësirat kulturore të së ardhmes: Çështja e ‘Deep Space Prishtina’” ka vënë në qendër potencialin e kësaj hapësire për të sjellë një tjetër formë të përjetimit të artit, e i dyti sfidat me të cilat përballen artistët edhe pas heqjes së vizave

Mundësitë që teknologjia e re u ofron krijuesve vendorë dhe pengesat që artistët e pavarur vazhdojnë të hasin për të depërtuar në skenën ndërkombëtare kanë qenë dy tema të diskutuara në ditën e parë të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Përderisa “Deep Space” në Prishtinë është prezantuar si platformë që mund të krijojë mundësi të reja për ndërthurjen e artit, shkencës dhe të teknologjisë, artistët në anën tjetër kanë vënë në pah vështirësi me financimin, viza pune dhe mungesën e një sistemi të qëndrueshëm mbështetës që do t’ua lehtësonte prezantimin e muzikës së tyre jashtë vendit. 

Konferenca ka hapur edicionin e gjashtë të premten, me dy panele diskutimi. Programi i ditës së parë është përqendruar në dy tema: potencialin e platformës “Deep Space Prishtina” si hapësirë për krijimtari dhe mënyrat se si artistët e pavarur nga Kosova mund të arrijnë te publiku ndërkombëtar.

Diskutimi i parë me temë “Hapësirat kulturore të së ardhmes: Çështja e ‘Deep Space Prishtina’” ka vënë në qendër potencialin e kësaj hapësire për të sjellë një tjetër formë të përjetimit të artit. 

Michael Mondria, drejtor menaxhues i “Ars Electronica Solutions”, kompanisë që e ka krijuar dhe sjellë platformën në Kosovë, ka treguar se historia e kësaj hapësire ka nisur disa vjet më parë kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e kishte vizituar për herë të parë këtë hapësirë në Linz të Austrisë. 

“Më kujtohet se, para disa vjetësh, kur Rama dhe unë vizituam Linzin, ai e përjetoi për herë të parë nga afër ‘Deep Space’. Që në atë moment, ai arriti ta kuptonte potencialin që kishte kjo hapësirë. Kjo është e jashtëzakonshme, sepse duhet një vizion i veçantë për të hyrë në një hapësirë të tillë dhe për të mos parë vetëm teknologjinë më të avancuar apo imazhet me rezolucion jashtëzakonisht të lartë, por edhe mundësitë që ajo mund t’i ofrojë një qyteti të tërë”, ka thënë Mondria.

Sipas tij, sjellja e saj në Prishtinë përbën vetëm hapin e parë, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm i saj varet nga përfshirja e komunitetit. 

“Sjellja e ‘Deep Space’ këtu nënkuptonte shumë më tepër sesa thjesht sjelljen e teknologjisë. Kjo hapësirë nuk është konceptuar vetëm si teknologji, por si platformë. Në të vërtetë, është një mundësi për të hapur horizonte të reja për qytetin, qytetarët dhe, veçanërisht, për të rinjtë dhe krijuesit. Prandaj, mendoj se sjellja e ‘Deep Space’ këtu është vetëm hapi i parë. Besoj se kapitulli i ardhshëm u takon vetë qytetarëve të Prishtinës, komunitetit lokal, krijuesve vendorë dhe bashkëpunimeve me universitetet e shkollat”, ka thënë më tej Mondria.

Ka vënë në pah edhe dallimin e kësaj platforme nga hapësirat e tjera imersive që po zhvillohen në botë. Sipas tij, shumë prej tyre janë konceptuar për përjetim individual, ndërsa, sipas tij, “Deep Space” ofron mundësi për ndërveprim dhe përvoja të përbashkëta në dimensione të ndryshme.

“Deep Space” zë vend në një pjesë të ish-ndërtesës së Gërmisë dhe u inaugurua në dhjetorin e vjetëm.

Paneli i dytë, me temën “Si munden artistët e pavarur nga Kosova të arrijnë publikun ndërkombëtar?”, është përqendruar te sfidat konkrete me të cilat përballen muzikantët vendorë në përpjekjet për të ndërtuar karrierë përtej kufijve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar se gjatë vizitës së tij të parë në “Muzeun e së Ardhmes” në Linz, që po ashtu ishte në kuadër të “Ars Electronica”, kishte parë mundësinë që kjo teknologji t’u ofronte artistëve vendorë forma të reja të eksperimentimit dhe krijimit.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për atë që sheh, por edhe për atë që mund të prekësh apo dëgjosh. ‘Deep Space’ ofron shumë mundësi: mënyrën se si lëvizja lidhet me tingullin, tingulli me pamjet dhe të gjitha këto ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Është kjo shumëllojshmëri mundësish dhe elementesh që mund të ndërthuren për të krijuar një vepër arti apo një përvojë të veçantë. Madje, jo vetëm një vepër artistike, por edhe diçka me vlerë nga këndvështrimi shkencor”, ka thënë Rama në panel. 

Sipas Ramës, teknologjia mund të shërbejë edhe për eksplorimin e trupit të njeriut dhe aspekteve të tij që nuk mund të studiohen lehtësisht përmes mjeteve aktuale.

“Njerëz të të gjitha kategorive mund të gjejnë këtu elemente që i argëtojnë, i emocionojnë dhe i frymëzojnë për të krijuar diçka. Dhe jo vetëm të vijnë për të përjetuar atë që ka prodhuar dikush tjetër. Mendoj se aspekti më i rëndësishëm është përfshirja e komunitetit tonë artistik dhe shkencor, në mënyrë që këtë platformë ta përdorë si mjet për të eksploruar më shumë, për të krijuar diçka të re e të ndryshme, për të ndërvepruar me të dhe për të zbuluar mënyra të reja të shprehjes. Mendoj se kjo është jashtëzakonisht fuqizuese për mendjen”, ka konsideruar ai. 

Gjatë diskutimit, ai ka bërë të ditur se hapësira aktuale është e përkohshme, pasi ideja fillestare kishte qenë që teknologjia të vendosej në ish-Fabrikën e Tullave, ku do të kishte kushte për instalime shumë më të mëdha. Sipas tij, ky projekt nuk ishte realizuar për arsye politike. 

“Në të vërtetë, kjo është një hapësirë e përkohshme, sepse teknologjia që gjendet këtu ka shumë më tepër kapacitete. Ajo mund të funksionojë edhe në hapësira shumë më të mëdha. Ideja fillestare ishte që ta vendosnim këtë teknologji në Fabrikën e Tullave. Siç e dimë, për arsye politike, ndonjëherë mund t’ia bllokojmë njëri-tjetrit rrugën. Për këtë arsye, ai projekt nuk u realizua. Tani kemi një investitor që është i gatshëm ta shtyjë përpara zhvillimin e asaj hapësire dhe që pritet ta bëjë këtë së shpejti”, ka thënë kryetari Rama duke dhënë edhe shembuj sesi do të mund të realizohej një prej ngjarjeve. 

“Atje do të kemi hapësira shumë më të mëdha, ndërsa teknologjia që kemi këtu mund t’u përshtatet edhe atyre përmasave. Për shembull, mund të kemi një orkestër të tërë simfonike duke interpretuar një vepër, ndërsa valltarët performojnë dhe publiku përjeton pamje tredimensionale, jashtëzakonisht mbresëlënëse, që nuk mund t’i përjetojë askund tjetër”, ka vazhduar ai. 

Diskutimin e ka moderuar Orgesa Arifi-Berisha.

Paneli i dytë, me temën “Si munden artistët e pavarur nga Kosova të arrijnë publikun ndërkombëtar?”, është përqendruar te sfidat konkrete me të cilat përballen muzikantët vendorë në përpjekjet për të ndërtuar karrierë përtej kufijve. Në të kanë marrë pjesë këngëtarja Arbëreshë, kitaristi Orges Kurtaj, anëtar i bendit “Swada”, dhe Sezgin Curi, vokalist e bas-kitarist i “Offchestra”. Diskutimin e ka moderuar Philipp Konrag Labhart.

Sipas artistëve, përveç cilësisë muzikore dhe mundësive për promovim në platformat digjitale, rëndësi të madhe kanë rrjetet e bashkëpunimit, kontaktet profesionale dhe organizimet e pavarura. Ndërkaq, vështirësitë me dokumentacionin, lejet e punës dhe mbulimin e shpenzimeve vazhdojnë të mbeten pengesë për grupet muzikore që synojnë të performojnë në Evropë.

Këngëtarja Arbëreshë ka rrëfyer se hapat e parë drejt një publiku ndërkombëtar i kishte bërë përmes koncerteve të organizuara nga diaspora shqiptare në Francë dhe Gjermani. 

“Shumica e koncerteve që kam mbajtur deri më tani janë organizuar nga shqiptarët, kryesisht nga diaspora. Kështu ka nisur gjithçka. Kam performuar në Francë dhe në Gjermani. Më pas, fillova të kisha kureshtje të dija se si do të ishte të interpretoja para një publiku joshqiptar. Gjithçka nisi kur aplikova në shumicën e sesioneve të ‘Most Sessions’ në vitin 2025 dhe u pranova”, ka thënë ajo në fillim të fjalës së saj. 

Ka treguar se gjatë këtij aktiviteti kishte marrë pjesë në punëtori dhe kishte pasur mundësi të punonte me një mentor slloven, i cili e kishte përcjellë për gjashtë muaj në zhvillimin e karrierës së saj. Këtë përvojë e ka cilësuar të rëndësishme edhe për realizimin e albumit të saj të parë. 

“Regjistrova albumin tim të parë, i cili përmban dhjetë këngë folklorike shqiptare, të cilave u kam dhënë një interpretim të ri. Më pas, fillova të kërkoja shtëpi diskografike. E dija se do të ishte shumë e vështirë të gjeja një të tillë, pasi deri atëherë nuk kisha publikuar pothuajse asgjë. Megjithatë, pata shumë fat që gjeta një shtëpi diskografike italiane, me të cilën po bashkëpunoj tani”, ka treguar më tej artistja Arbëreshë. 

Kitaristi Orges Kurtaj ka folur për përvojat e bendit “Swada” në të cilin bën pjesë. Ka treguar se koncertet live dhe përhapja e muzikës së tyre përmes kontakteve personale kanë qenë ndër rrugët kryesore për të arritur skenat e huaja. 

“Si bend ‘Swada’ jemi kryesisht grup që e vlerëson performancën live para publikut. Na pëlqen të luajmë në koncerte dhe kjo është diçka tjetër. Edhe ‘Spotify’ ndihmon, natyrisht, por në rastin e Zürichut, mendoj se rolin kryesor e pati ‘Stereospace’. Nëse më kujtohet mirë, organizatori na kishte thënë se na kishte gjetur në ‘YouTube’, përmes sesioneve live ‘Blue Car Live Sessions’. Pra, gjithçka ishte mjaft e thjeshtë, me përjashtim të kalimit të kufirit, që ishte paksa i vështirë”, ka thënë Kurtaj. 

Ka theksuar edhe krijimin e kontakteve për mundësi të reja. 

“Në rastin e Zürichut ishte më e thjeshtë, sepse na kontaktuan ata. Por kemi performuar, për shembull, edhe në Berlin, ku gjithçka u realizua kryesisht përmes nismave të pavarura dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë. Është pikërisht ajo që lajmi përhapet nga njëri te tjetri. Njerëzit që njohin njëri-tjetrin komunikojnë me të tjerë dhe, kur kjo ndodh vazhdimisht, krijohen shumë mundësi”, ka thënë ai më tej. 

Për dallim nga përvojat e përmendura nga panelistët e tjerë, Sezgin Curi ka treguar se “Offchestra” ka pasur më pak mundësi për të performuar në Evropë, ndonëse ka mbajtur më shumë se 70 koncerte brenda një viti, kryesisht në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Ai ka thënë se problemet me vizat dhe lejet e punës kanë qenë ndër pengesat kryesore për grupin, i cili përbëhet nga pesë anëtarë. Madje, sipas tij, një kërkesë për të performuar në Zvicër ishte refuzuar me arsyetimin se grupi nuk kishte mjaftueshëm shikime në YouTube dhe dëgjime në Spotify.

Curi ka bërë të ditur se grupi ka ftesa për të performuar në Belgjikë, Holandë, Suedi, Austri dhe Hungari, por procedurat për lejet e punës vazhdojnë t’ua vështirësojnë realizimin e këtyre koncerteve.

“Në krahasim me folësit, ndoshta ne jemi grupi që ka pasur më pak koncerte në Evropë. Kemi performuar vetëm një herë në Austri, në një aktivitet të organizuar nga një organizatë shqiptare. Ndërkaq, kemi luajtur kryesisht në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Gjatë një viti kemi pasur më shumë se 70 koncerte. Por, meqë ‘Offchestra’ e interpreton muzikën e saj kryesisht në koncerte, gjatë karrierës sonë jemi përballur me probleme të shumta me vizat dhe çështje të tjera, për shkak se jemi grup me pesë anëtarë”, ka thënë ai. 

Ka thënë se një prej arsyeve për moslëshim të një vize pune kishte qenë absurde. 

“Problemi i fundit që patëm ishte me rastin e një performance të planifikuar në Zvicër, ku kërkesa jonë u refuzua me arsyetimin se nuk kishim mjaftueshëm shikime në ‘YouTube’ dhe dëgjime në ‘Spotify’. Mendoj se mund të ketë arsye të ndryshme pse vazhdojmë të performojmë kryesisht në Ballkan dhe pse nuk arrijmë të depërtojmë më shumë në skenat jashtë tij”, ka treguar bas-kitaristi Curi. 

Ka theksuar nevojën për krijimin e një sistemi mbështetës që do t’i ndihmonte artistët e pavarur të depërtonin në tregun ndërkombëtar. 

“Mendoj se duhet të krijohet një ekosistem që do t’i ndihmonte artistët e pavarur nga Kosova të arrinin te publiku evropian dhe ai ndërkombëtar. E dimë se këtij sektori i duhet mbështetje edhe për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, qëndrimit dhe nevojave të tjera të muzikantëve. Prandaj, duhet të krijohet një ekosistem ku artistët dhe shteti të punojnë së bashku për të ndërtuar një sistem që u mundëson të gjithë performuesve këtu të dalin jashtë vendit, ta prezantojnë Kosovën dhe të kontribuojnë në diplomacinë kulturore përmes artit”, ka thënë Curi.

Konferenca e Muzikës në Prishtinë ka vijuar edhe të shtunën me programin e ditës së dytë dhe të fundit.