Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Showgeschäft

Pedro Pascal spricht offen über den Selbstmord seiner Mutter und seine persönlichen Probleme.

Pedro Pascal

Aktori i njohur Pedro Pascal ka ndarë një nga rrëfimet më të dhimbshme të jetës së tij, duke folur hapur për humbjen e nënës, Veronica Pascal Ureta, e cila i dha fund jetës në vitin 2000, kur ai ishte vetëm 24 vjeç. Gjatë intervistës për The New York Times, ylli i serialit “The Last of Us” u emocionua dhe shpërtheu në lot teksa kujtoi periudhën e vështirë që përjetoi pas kësaj tragjedie.

Pas shumë vitesh, Pascal foli edhe për betejat e tij personale me mendimet vetëvrasëse, duke pranuar se kishte arritur në një pikë shumë të errët të jetës, por se kishte zgjedhur të kërkonte ndihmë.

“E dini se sa e madhe duhet të jetë dhimbja që një njeri të ketë guximin t'i japë fund jetës? Unë nuk ndiej asgjë tjetër veçse dhembshuri për këtë, dhe gjithashtu e kuptoj. E di saktësisht si ndihet. Ajo që kam bërë unë është të kërkoj ndihmë”, u shpreh aktori.

Ai theksoi se humbje të tilla shpesh përpiqen të shpjegohen përmes diagnozave apo etiketave të ndryshme, ndërsa sipas tij, në rastin e nënës së tij, një nga aspektet që nuk është diskutuar sa duhet është dhimbja e thellë emocionale.

“Unë mendoj se ajo për të cilën nuk kemi folur kurrë vërtet është zemërthyerja”, tha Pascal.

Aktori tregoi se jeta e nënës së tij kishte qenë e mbushur me sfida që në moshë të re. Ajo ishte vetëm 15 vjeçe kur u njoh me babanë e tij dhe, në moshën 22-vjeçare, ishte tashmë refugjate politike në një shtet të ri, së bashku me dy fëmijët e saj. Më vonë, në të dyzetat, ajo u kthye në vendlindjen e saj, në Kili, ku Pascal beson se u përball sërish me rrethana të vështira familjare dhe psikologjike.

Ai pranoi se një nga frikat më të mëdha të jetës së tij ishte mundësia që nëna të mos ia dilte mbanë. Sipas tij, kishte vite që e ndiente se ajo ishte në rrezik dhe përpiqej dëshpërimisht të gjente një mundësi për ta rikthyer në Shtetet e Bashkuara.

“E dija se ishte në rrezik dhe kjo ishte frika ime më e madhe. Ishim të ndarë nga kontinente të tëra dhe unë po përpiqesha me çdo kusht të gjeja një punë, një serial televiziv që do të më mundësonte të paguaja që nëna ime të vinte të jetonte me mua në Amerikë”, rrëfeu ai.

Pascal kujtoi gjithashtu se e ëma ishte një nënë e mirë dhe se humbja e saj la një boshllëk të madh në familje. Pas vdekjes së saj, ai ndihmoi në kujdesin për motrën dhe vëllain më të vogël, Lux dhe Nicolas, së bashku me motrën e madhe, Javiera.

Në përfundim, aktori theksoi se dëshiron të jetë shumë i kujdesshëm kur flet publikisht për vetëvrasjen e së ëmës, pasi ka ende njerëz të dashur për të, të cilët mund të preken nga këto rrëfime. Megjithatë, duke ndarë përvojën e tij, Pascal tregoi rëndësinë e kërkimit të ndihmës dhe të të folurit hapur për dhimbjen emocionale, humbjen dhe vështirësitë që shpesh mbeten të pathëna.