Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Meinung

Exporte, die nicht gemessen werden

U mat apo s’u mat dot me saktësi, një gjë dihet: impakti është i madh. Qindra mijëra konsumatorë me pagë evropiane që vijnë me paratë e tyre çdo verë janë një nga shtyllat mbajtëse të ekonomisë. Kaq mjafton për të ndërtuar politika mbi realitetin e prekshëm, jo mbi shifrat që i shpëtojnë matjes

Marrëdhënia me diasporën është duale në rrënjë. Në njërën anë janë vëllezërit e motrat që kthehen, nipat që u rritën pa i parë, mbesat që erdhën edhe më të bukura. Në anën tjetër janë të tjerët, të panjohur, që përqeshen se janë ndryshe, për të cilët nuk dihet ku e kanë vendin vërtet. A janë të këtushëm apo të huaj. Nëse janë të huaj, pse votojnë. Pse përzihen.

Këtë marrëdhënie shpirtërore, identitare e politike nuk po e shpjegoj këtu. Po e shoh nga një kënd i vetëm, ai ekonomik. Sepse i njëjti person që ngjall këtë ngatërrim emocional kryen edhe një funksion që matja mezi arrin ta kapë.

Kur një pjesëtar i diasporës vjen në verë, ai konsumon këtu. Ha në restorant në Prizren, ndreq dhëmbët në një klinikë në Prishtinë, hundën, mbjell flokët, i prenë, i ondulon, mbush veturën naftë, paguan një dasmë, lë bakshish. Sipas përkufizimit të kontabilitetit ndërkombëtar, kjo është eksport shërbimesh: një jorezident që shpenzon brenda territorit prodhon të njëjtin efekt sikur vendi t’i kishte dërguar mallrat jashtë. Dallimi është vetëm logjistik. Në eksportin klasik, malli udhëton dhe klienti rri; në eksportin in-situ, klienti udhëton dhe malli rri. Dhe këtë udhëtim nuk e paguan Kosova, e paguan vetë vizitori, me biletën e tij të avionit, me orët e kaluara në kolona.

Këtu fillon ndërlikimi i matjes. Malli që kalon doganën lë një gjurmë të saktë. Ky shpenzim njerëzor jo. Vizitori nuk fle në hotel të regjistruar; fle në shtëpinë e vet, të mbyllur pjesën më të madhe të vitit. Nuk paguan me kartelë; paguan më shumë kesh. Sjell mall në dorë, pajisje, para në zarf. Është arketipi i vizitorit që u shpëton anketave në kufi dhe regjistrave të hotelerisë.

Banka Qendrore tenton ta kapë këtë vlerë, dhe shifra që del është e madhe, mbi 2 miliardë euro në vitet e fundit.

ebenfalls Meinung Kosovos Zukunft gestalten, ein Job nach dem anderen

Por, sipas mendimit tim, ajo mbetet (nën) vlerësim, jo matje. Një pjesë e rrjedhës regjistrohet si eksport i shërbimeve të udhëtimit; një pjesë e madhe rri në hijen e statistikës. Prandaj nuk duhet ndalur gjatë te shifra. Mjafton të dihet se posti ndoshta më i madh i eksportit matet me përafërsi, kurse importi matet me saktësi. Kjo asimetri deformon çdo alarm që ngrihet mbi numra: flitet vazhdimisht për deficitin e madh tregtar, por ai lexohet i izoluar, pa u zbritur shpenzimi që diaspora e lë këtu çdo sezon.

U mat apo s’u mat dot me saktësi, një gjë dihet: impakti është i madh. Qindra mijëra konsumatorë me pagë evropiane që vijnë me paratë e tyre çdo verë janë një nga shtyllat mbajtëse të ekonomisë. Kaq mjafton për të ndërtuar politika mbi realitetin e prekshëm, jo mbi shifrat që i shpëtojnë matjes.

Vlera që hyn nga jashtë në një ekosistem i bashkohet prodhimit vendas dhe i shtohet bazës, duke qarkulluar aty një kohë të gjatë para se të largohet. Dikur këtë bazë e ushqenin ndihmat; sot ndihmat nuk janë më në atë nivel dhe prodhimi ende nuk është ngritur sa duhet. Në këtë boshllëk, vlera që sjell diaspora zë një vend jetik: është ajo që mban gjallë qarkullimin, derisa prodhimi vendas të rritet sa të mbahet vetë.

Popullsia e disa rajoneve dyfishohet e trefishohet gjatë verës. Shëtitoret, korzot e mbrëmjet e gjata hijeshohen me qindra mijëra të rinj e të reja nga gjithë bota, që zgjodhën t’i kalojnë pushimet këtu. Restorantet, kafiqet, butikët, dugajat, çajtoret e qebaptoret bëhen gati për sezonin. Vendasit janë bujarë e mikpritës, gjithmonë gati t’i ndryshojnë planet për vizitën e miqve. E megjithatë ky sektor, ndoshta eksporti ynë më i madh i shërbimeve, nuk ka pasur kurrë një institucion të vetin. Vetëm nga viti 2026 turizmi ka një resor së bashku me kulturën. Deri atëherë nuk ishte rastësi; ishte vetë padukshmëria, e shprehur në resoret e qeverisë. Ajo që matej me përafërsi, menaxhohej me përafërsi, dhe zakonisht nuk menaxhohej fare.

Pyetja e vërtetë nuk është nëse duhet pritur kjo rrjedhë, por si të mbahet vlera e saj brenda vendit. Kjo nuk varet nga sasia e vizitorëve, por nga struktura e pronësisë së vendeve ku ata shpenzojnë. E njëjta euro që hyn mund të qarkullojë brenda dhe të ushqejë disa duar vendase, ose mund të kalojë shpejt dhe të dalë sërish jashtë. Dy modele zhvillimi e tregojnë qartë këtë ndarje.

Malta zgjodhi vëllimin. Për të ngritur infrastrukturën e rëndë që kërkon turizmi masiv, resortet, hotelet e mëdha, portet, nuk kishte kapital të mjaftueshëm të vetin, prandaj ftoi kapitalin e huaj. Shifrat totale u rritën shpejt, por me një defekt strukturor. Meqë pronësia e këtyre aseteve mbetet e huaj, marzhi kryesor i fitimit nuk ka arsye të rrijë brenda vendit. Ai largohet menjëherë, si divident për aksionarët ndërkombëtarë, duke lënë pas vetëm pagat e ulëta të shërbimit dhe kostot e larta të jetesës për vendasit. Turisti shpenzon shumë dhe arka regjistron shumë, por paraja vetëm kalon nëpër vend pa lënë pronësi. Kështu një shtet mund të shënojë rritje të lartë të Prodhimit të Brendshëm pa e ngritur në të njëjtën masë mirëqenien reale të popullit të vet.

Modeli i kundërt është Toskana. Montalçino nuk ka resorte gjigante të korporatave të largëta. Ka restorantin që e mban një familje prej brezash, kantinën e vogël të verës me pamje nga lugina, prodhuesin e vajit e të djathit, artizanin. Kur udhëtari shpenzon një darkë atje, fitimi nuk del jashtë: kalon nga zotëruesi i restorantit te fermeri fqinj që solli perimet, te vreshtari që bëri verën, dhe secili prej tyre e rishpenzon brenda po asaj lugine. E njëjta euro qarkullon disa herë para se të largohet, duke mbajtur brenda vendit jo vetëm pagën, por edhe fitimin.

ebenfalls Meinung Wenn Deutschland niest...

Shqipëria është sot fusha ku këto dy modele përplasen hapur, në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Në veri ka lindur vetë modeli toskan, nga bujtinat familjare të Thethit te agroturizmi i Mrizit të Zanave, ku vlera e vizitorit ndalet te bariu, te vreshtari, te fermerët e zonës që furnizojnë kuzhinën. Në jug, mbi breg, po ndërtohet modeli tjetër: shteti u hap derën konglomerateve të huaja për resorte luksoze mbi gjire e zona të mbrojtura, ku pronësia, dhe fitimi, do të jetë e huaj. Nuk është rastësi që kundërshtimi më i qartë ndaj kësaj kthese erdhi nga një deputete që vetë e mban një bujtinë në malësi dhe zgjodhi të dalë nga mazhoranca për të mbrojtur pikërisht modelin që e jeton. Marjana Koçeku nuk la një parti për një tjetër; la shumicën për të mbrojtur atë ku vlera e turistit i mbetet vendasit, kundër asaj ku ajo i shkon aksionarit të largët.

Protestat që e shoqëruan këtë kthesë do të lexoheshin gabim po t’i quaje thjesht mjedisore. Në thelb janë një kundërshtim ekonomik: refuzim i modelit maltez para se të bëhet i pakthyeshëm, ndjenja e saktë se një pasuri e përhershme po shitet për një fitim që do t’u mbetet të tjerëve.

Për Kosovën, që nuk ka bregdet por ka pikërisht diasporën e vet si burim vizitorësh, mësimi është i drejtpërdrejtë. Byreku duhet të jetë byrek, dhe djathi duhet të jetë djathë. Një byrek me mazë e djathë nga stanet e bjeshkës e mban brenda vendit çdo hallkë të vlerës: fermerin, bariun, dorën që e mbështjell brumin. I njëjti byrek, i mbushur me vaj palme e pluhur qumështi të importuar, e këput këtë zinxhir. Dhe kur zinxhiri thyhet nga brenda vetë tregut tonë, kur një zinxhir ushqimor vendas, me pronësi fundore të regjistruar në Maltë, e zëvendëson prodhimin e fermerit tonë me përbërës të importuar, atëherë eksporti in-situ mbahet në këmbë nga jashtë, por zbrazet nga brenda. Vizitori paguan duke besuar se po blen një produkt të atdheut. Por euroja e tij rrjedh jashtë dy herë: një herë për të paguar furnizuesin e huaj të lëndës së parë, dhe një herë kur fitimi fundor i shkon aksionarit jashtë. Pa tatim në dividendë. Kosovës i mbetet vetëm paga minimale e punëtorit që e mbështolli byrekun. E fitojmë transaksionin në arkë dhe e humbim vlerën e tij.

Këtu qëndron thelbi që shpesh lihet anash. Eksporti in-situ nuk është vetvetiu shtylla e begatisë; ai është vetëm dera nga e cila hyn paraja. Çka e bën atë para të mbetet a të ikë është prodhimi vendas që qëndron pas shërbimit. Kur diaspora paguan një darkë, ajo euro bëhet e frytshme vetëm nëse mishi është rritur këtu, vera është shtypur këtu, buka është pjekur me miell të bluar këtu. Atëherë e njëjta euro nuk shpenzohet një herë, por disa herë: kalon te fermeri, te bariu, te mullisi, te transportuesi, dhe secili prej tyre e rikthen sërish në qarkullim. Ky shumëfishim i brendshëm, jo numri i vizitorëve, është ajo që prodhon begati. Një vend pasurohet jo nga sa para i hyjnë, por nga sa gjatë ato para rrinë e punojnë brenda kufirit para se të largohen.

Pa këtë prodhim pas shërbimit, qarkullimi është iluzion. Nëse restoranti furnizohet me mish, perime e verë të importuara, euroja e diasporës hyn nga një derë dhe del menjëherë nga tjetra: brenda mbetet vetëm një pagë e vogël, ndërsa pjesa më e madhe e vlerës i shkon furnizuesit të huaj në faturën e parë. Ekonomia atëherë nuk është shtëpi ku paraja rri, por korridor nëpër të cilin ajo kalon në rrugën e vet të kthimit jashtë. Ky është ndryshimi mes një vendi që pret vizitorë dhe një vendi që pasurohet prej tyre: i pari e mban euron për një natë, i dyti e mban për një brez. Eksporti in-situ e sjell klientin te dera; vetëm prodhimi vendas e bën vizitën e tij të mbetet vlerë. Të dyja bashkë janë shtylla e prosperitetit; secila pa tjetrën, është rrjedhje.

E gjithë kjo, në fund, kthehet te politika, jo si digresion, por si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj vetë rrjedhës. Sepse ky eksport i madh varet nga një element i vetëm dhe i brishtë: vullneti i njeriut për të ardhur. Malli fizik nuk ka vullnet; e kalon doganën kur e urdhëron tregtari. Vizitori nga diaspora e bën këtë rrugë qindra kilometërshe vetëm sepse ndien një fije lidhëse. Gjenerata e parë e mbajti atë fije të tendosur me një ndjenjë të hekurt detyrimi. Kjo llogari nuk trashëgohet vetvetiu. Gjenerata e dytë e e tretë ka lindur atje, e ka jetën dhe punën atje, dhe nuk ndien asnjë borxh ekzistencial për ta shpenzuar verën pikërisht këtu. Për ta, ardhja nuk është detyrim që duhet larë, por zgjedhje që atdheu duhet ta fitojë.

ebenfalls Meinung Erste Risse im IKT-Sektor im Kosovo?

Dhe pikërisht këtu ndarjet politike bëhen kosto ekonomike, edhe pse nuk dalin në asnjë tabelë. Kur zëra publikë e trajtojnë diasporën si objekt talljeje, dhe kur qindra komentues në internet përbuzin gjeneratën e parë, atë që derdhi betonin dhe dërgoi zarfin, fyerja nuk ndalet te babai. E dëgjon i biri. E dëgjon nipi. Ai brez nuk mbahet as me faj as me detyrim; mbahet vetëm me ndjenjën se është i mirëpritur. Hiqja atë, dhe nuk humbet një votë. Humbet një verë. Humbet dy javët e pushimit që shkurtohen në një, ardhjen që nga çdo vit bëhet çdo dy, pastaj asnjëherë.

Çdo shpërfillje në ligjërimin e përditshëm godet pikërisht shtyllën që mban ekonominë tonë. Meqë ky eksport nuk matet saktësisht, rënia e tij nuk do të japë alarm në statistika. Do të shfaqet ngadalë: restorante më bosh, klinika më të qeta dhe shtëpi ku dritaret nuk hapen më gjatë verës. Ftohtësia ndaj gjeneratës së parë largon të dytën e të tretën, ardhja e të cilëve nuk është më detyrim, por zgjedhje. Një vend që largon ata që e gjallërojnë, po heq dorë, koment pas komenti, nga aktivi i vet më i qëndrueshëm.