Sipas ekspertëve të ushqyerjes, një nga pijet që mund të ndihmojë në lehtësimin e fryrjes së barkut është çaji i gjelber. Ai përmban antioksidantë dhe përbërës bimorë që mund të mbështesin shëndetin e zorrëve dhe procesin e tretjes
Fryrja e barkut është një shqetësim i zakonshëm që shkakton presion, parehati dhe ndjesi të ngopjes, edhe kur nuk kemi ngrënë shumë. Ndonjëherë shfaqet pavarësisht përpjekjeve për ta parandaluar, duke e bërë të vështirë identifikimin e shkakut, ka shkruar Gut essen.
Pse çaji i gjelbër mund të ndihmojë kundër fryrjes?
Një nga përbërësit kryesorë të çajit të gjelbër janë antioksidantët që njihen si katekinat, sidomos epigallocatechin gallate (EGCG), një antioksidant që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit.
Sipas dietologes Lauren Manaker, këta përbërës mund të qetësojnë traktin tretës dhe të ndihmojnë në lehtësimin e grumbullimit të gazrave, të cilët shpesh shkaktojnë fryrje.
Studimet sugjerojnë gjithashtu se çaji i gjelbër mund të ndikojë pozitivisht në mikrobiomën e zorrëve, pra në bashkësinë e baktereve që ndihmojnë funksionimin e sistemit tretës.
Një ekuilibër i mirë mes baktereve të dobishme dhe atyre të dëmshme është i rëndësishëm për shëndetin e zorrëve. Çrregullimi i këtij ekuilibri mund të shoqërohet me inflamacion dhe probleme të ndryshme të tretjes, përfshirë kapsllëkun dhe sindromën e zorrës së irrituar.
Përfitimet e tjera nga çaji i gjelbër
1. Mund të mbështesë shëndetin e zorrëve
Polifenolet, antioksidantë që gjenden në çajin e gjelbër, mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të baktereve të zorrëve dhe në mbrojtjen e barrierës intestinale, e cila pengon kalimin e substancave të dëmshme në organizëm.
Disa studime sugjerojnë se përbërësi EGCG mund të ndihmojë në forcimin e lidhjeve mes qelizave të zorrëve dhe në uljen e përshkueshmërisë së tyre.
Dietologia Manaker shpjegon se polifenolet mund të ndihmojnë në reduktimin e shqetësimeve të tretjes, duke mbështetur ekuilibrin e florës së zorrëve.
2. Po studiohet për ndikimin e mundshëm kundër kancerit
Një tjetër fushë kërkimi lidhet me vetitë e mundshme antikancerogjene të çajit të gjelbër.
Shkencëtarët po studiojnë nëse polifenolet, sidomos EGCG, mund të pengojnë zhvillimin dhe përparimin e qelizave kancerogjene. Disa studime laboratorike kanë shqyrtuar ndikimin e tyre në lloje të ndryshme kanceri, përfshirë atë të gjirit, zorrës së trashë, mushkërive, mëlçisë dhe prostatës.
Megjithatë, këto rezultate janë ende në fazë studimi dhe nuk provojnë se çaji jeshil parandalon apo trajton kancerin.
3. Mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve menstruale
Çaji i gjelbër mund të jetë i dobishëm edhe për gratë që përjetojnë dhimbje dhe fryrje gjatë menstruacioneve.
Disa kërkime sugjerojnë se EGCG mund të ndikojë në prodhimin e prostaglandinave, substanca që lidhen me dhimbjen dhe inflamacionin gjatë ciklit menstrual.
Megjithatë, nevojiten studime të tjera për të përcaktuar nëse ky përbërës mund të përdoret si një mënyrë efektive për lehtësimin e dhimbjeve menstruale.
Çaji i gjelbër ka gjithashtu një efekt të lehtë diuretik, që mund të ndihmojë organizmin të largojë lëngjet e tepërta. Kjo mund të jetë e dobishme për personat që përjetojnë mbajtje të lëngjeve dhe fryrje para ose gjatë menstruacioneve.
Ky çaj mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme, por nuk është zgjidhje e garantuar për fryrjen e barkut. Efekti i tij mund të ndryshojë nga personi në person, ndërsa përfitimet e përmendura mbështeten në studime që ende po zhvillohen.
Nëse fryrja është e shpeshtë, e vazhdueshme ose shoqërohet me dhimbje të forta, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për të përcaktuar shkakun.