Mospërgjigjja në ftesën për raportim në Komisionin për Ekonomi e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, ka nxitur debat mes anëtarëve të kësaj trupe. E si propozim është dhënë edhe shkarkimi i saj. Ndonëse dy prej anëtarëve të kryesisë së Autoritetit ishin prezentë për raportim, me votat e pushtetit është vendosur që të hiqet nga rendi i ditës kjo pikë
Me përplasje verbale mes pushtetit dhe opozitës, largim e rikthim në sallë është mbajtur të martën mbledhja e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës.
Debati në mes të anëtarëve të komisionit nisi për shtimin e Projektligjit për Energji në rend të ditës si dhe largimin e raportimit të kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, e cila për të tretën herë radhazi nuk i është përgjigjur ftesës.
“Zonja Neime Binaku-Isufi është hera e tretë që nuk na përgjigjet në Komision. Ajo e ka obligim që të vijë dhe të raportojë në Komision. I kemi këtu dy anëtare të Komisionit të Konkurrencës, duhet të vijnë të raportojnë. Nuk ka asnjë arsye që të pezullohet, bllokohet puna e këtij komisioni për shkak se një e zgjedhur e këtij Kuvendi nuk zgjedh me i raportu këtij Kuvendi”, ka thënë deputeti Arben Mustafa (PDK), kryetar i Komisionit për Ekonomi.
Mbledhja e Komisionit ka vazhduar me debat në mes të kryetarit Mustafa dhe deputetit të Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti.
“Kur ta jep fjalën, e merr fjalën dhe mos me ndërprit”, ka thënë Mustafa, për të nxitur reagimin e Ahmetit: “Të lutem mos mbaj ligjërata”.
Pas këtij debati sallën e kanë lëshuar deputetët e Vetëvendosjes, Liza Gashi, Ejup Ahmeti dhe Valon Ramadani, por ata janë kthyer pas pak çastesh.
I revoltuar është shprehur edhe deputeti Artan Asllani, që vjen nga partitë minoritare, pas debatit që pati me deputetin nga LDK-ja, Ermal Sadiku.
“I kalum mbi 20 minuta që jena t’u diskutu për këtë temë, qaq thellë hytë dhe qaq shumë diskutut këtu saqë u vu në pyetje se a po e kuptoj shqipen ose jo. Është për mu e papranueshme”, ka thënë Asllani.
Këtë kritikë nuk e ka pranuar Sadiku.
“Je tu u viktimizu dhe je tu rrejt. Të dyja bashkë se nuk e përmenda”, ka thënë Sadiku.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që raportimi i udhëheqjes së Autoritetit të Konkurrencës të mos shtyhet pasi, sipas tij, ka pretendime për shumë shkelje.
“Fatkeqësisht e kemi edhe një shkresë nga zyrtarët publikë që punojnë në atë institucion që e tregojnë për gjendjen toksike që është kriju për moszbatimin e ligjit dhe të vendimeve nga Këshilli i Pavarur mbikëqyrës për shërbyesit civilë të Kosovës dhe nga gjykatat aktuale. Na kemi përgjegjësi publike. Nëse ju nuk doni me e marrë përgjegjësinë publike dhe doni me i ikë, atëherë në këtë mes qenkeni edhe ju përgjegjës sepse po doni me i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli ka propozuar edhe shkarkimin e Neime Binakut nga pozita e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës.
“Kryesuesja nuk po na vjen në raportim. Na nuk mujna me e urdheru me ardhë. Pajtohna që s’o tu ardhë – e ka obligim me ardh. A e shkarkojmë o burra?!”, ka thënë Kërçeli.
Pasi është votuar që raportimi i udhëheqjes së Autoritetit të Konkurrencës të hiqet nga rendi i ditës, opozita ka lëshuar mbledhjen.
Mbledhja ka vazhduar vetëm me deputetët e pushtetit në të cilin ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me projektligjin e ri për energjinë, i cili, sipas saj, forcon mbrojtjen e konsumatorit, forcimin e mbikëqyrjes së tregut të energjisë, mbrojtjen e konkurrencës si dhe lehtësimin e procedurave për pajisje me panele solare.