Edhe në këto dy javë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka dëshmuar se është institucion, siç ishte titulluar edhe në krye të herës kur u prezantua më 1974, Qendër e Kulturës Shqiptare për të Huaj. Sivjet në gjuhësi tema bosht qe: “Studimet gramatikore, transformimet gjuhësore dhe zhvillimet sociokulturore të shqipes në shekullin 21”. Kurse në letërsi qenë dy tema: “Letërsia shqipe dhe lexuesi” dhe “Atdheu fizik, metafizik dhe surreal në letërsinë shqipe”. Qysh prej ligjëratës së parë të profesorit emeritus, Brian Joseph, e deri tek ajo e fundit, bashkë me sesionet shkencore e kurset e shqipes, Seminari bashkoi dije shkencore për kulturën shqiptare nga vende të ndryshme të botës
Tradita mbi gjysmëshekullore – me gjithë mungesën e disa edicioneve në vitet ’90, shkaku i okupimit serb – e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e ka shndërruar atë në një institucion lider që lidh botën me kulturën shqiptare. Në këtë frymë ka nisur dhe është edicioni i 44-të i atij që është përshkruar edhe forum global i prezantimit të studimeve albanologjike. Edhe në këto dy javë, Seminari ka dëshmuar se është institucion, siç ishte titulluar edhe në krye të herës kur u prezantua më 1974, Qendër e Kulturës Shqiptare për të Huaj.
Sivjet në gjuhësi tema bosht qe: “Studimet gramatikore, transformimet gjuhësore dhe zhvillimet sociokulturore të shqipes në shekullin 21”. Kurse në letërsi qenë dy tema: “Letërsia shqipe dhe lexuesi” dhe “Atdheu fizik, metafizik dhe surreal në letërsinë shqipe”.
Qysh prej ligjëratës së parë të profesorit emeritus, Brian Joseph, e deri tek ajo e fundit, bashkë me sesionet shkencore e kurset e shqipes, Seminari bashkoi dije shkencore për kulturën shqiptare nga vende të ndryshme të botës. Perspektiva gjenetike, ajo gjeo-sociale dhe universaliste janë pikëpamjet nga gjuhëtari amerikan, Brian Joseph, kishte nisur për të shpalosur ligjëratën e tij në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Profesori i Universitetit të Ohios, gjuhëtar i rangut botëror ka shpalosur studimin që midis tjerash shpërfaq se si shqipja jep informacione për gjuhësinë indo-evropiane e po ashtu për rindërtimin e kësaj familjeje.
Më pas ndër të tjerë, Rrahman Paçarizi ka mbajtur ligjëratë për hiperkorreksionin në gjuhë si tejkalim stigme e përtej çdo standardi, historiani dhe antropologu austriak, Robert Pichler, me ligjëratën “Gjurmimi i dinamikave të migracionit në Ballkan përmes kërkimit historiko-antropologjik mbi familjen” ka shpalosur detaje të këtij fenomeni, e studiuesja me nam ndërkombëtar, Vjosa Musliu, ka sqaruar se si Kosova në shkenca politike studiohet me perspektiva që kalojnë nga Beogradi. Akademik Kujtim Shala ka dalë me propozim për një, siç ka thënë ai, dije letrare, teorike dhe empirike: Hermeneutikën e udhëzuar. Kjo dije, sipas tij, merret me udhëzimet e autorit të veprës për lexuesin, siç janë parathëniet, hyrjet e të tjerat të shkruara nga vetë autori. Bëhet fjalë për udhëzimet që i jep autori ose autorja për leximin e veprës së tij ose saj. Nëpërmjet ligjëratës “Hermeneutika e udhëzuar (Udhëzime për lexuesit)”, Shala ka folur gjatë për këtë “nënkategori” të hermeneutikës. Lea Ypi, profesoreshë e filozofisë politike në “London School of Economics” dhe një prej zërave me nam në botë për këtë fushë me ligjëratën e titulluar “Dinjiteti dhe padrejtësia historike: historia e një familjeje shqiptare” ka ardhur në përfundim se kapërcimi i poshtërimit bëhet me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit. Kurse studiuesi Ardian vehbiu ka elaboruar gjerë e gjatë se përse turqizmat në shqipe duhen trajtuar si pasuri, jo si sëmundje. E Arben Hajdari dhe Christophe Goddard ka ligjëruar për Justiniana Secunda, qytetin e u ndërtua pas shembjes së Ulpianës.
Drejtoresha e Seminarit, profesoresha universitare, Linditë Sejdiu, në ceremoninë mbyllëse ka thënë se Perandori Justinian nuk e kishte menduar fare se do të studiohej aq detajisht rindërtimi i qytetit të Ulpianës nga një bashkëpunim me një ekip francez.
“Njësoj se sikurse profesori Arben Hajdari që mbajti ligjëratë nuk e kishte imagjinuar para një viti kur iu kthye kanceri se pikërisht ky bashkëpunim do t’i sillte dritë e diell dhe shumë suksese në punë. As profesori Brian Joseph nuk e kishte menduar se do të përfundonte si studiues i shquar i shqipes kur do të niste të merrej me greqishten”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ishin pikërisht këto ngjarje e rrjetëzime si Seminari që i bënë pjesë të albanologjisë këta emra për një kohë të gjatë e më shumë prurje.
“Jam e bindur se profesorët tonë e kishin menduar mirë e mbarë para 52 vjetësh kur e kishin rrënjosur mirë e thellë vizionin e tyre afatgjatë për organizimin e Seminarit. Po e përmbyllim këtë edicion me 19 ligjërata e parapara, me sesione e program të pasur kulturor gjatë dy javëve. Kemi rritur seriozitetin e përkrahjes financiare institucionale për Seminarin. Mirupafshim me ose pa mua me 16 gusht 2027 në Seminarin e 45-të”, ka thënë ajo.
Në hapje të ngjarjes para dy javësh ajo kishte thënë se ky forum është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.
“Është prezantimi më me vlerë i studimeve albanistike vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, kishte thënë Sejdiu, e cila ka folur e fundit për nga radha. Sipas saj, Seminari nuk është vetëm kaq, janë kontaktet, miqësitë e reja dhe të vjetra mes studiuesish, janë rrjetet e reja shkencore dhe kulturore që e bëjnë më të pranishëm në arenën ndërkombëtare dhe shumë elemente të tjera.
“Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare. Pyetjes njëmilionëshe se sa i rëndësishëm është Seminari për shoqërinë tonë i dhanë përgjigje parafolësit e mi, janë 52 vjet histori, dije, guxim e traditë. Por, si ta mbajmë gjallë këtë traditë në një kohë shumë të pafavorshme për shkencat humanistike në përgjithësi?”, kishte thënë Sejdiu. Sipas saj, tashmë është një realitet ku teknologjia, shkencat ekzakte dhe fushat e lidhura me inovacionin digjital përbëjnë qendrën e vëmendjes, dhe ku disiplinat humaniste, ku bën pjesë edhe filologjia, shpesh perceptohen si më pak të rëndësishme, më pak të leverdishme dhe, fatkeqësisht, edhe si të tejkaluara. Kishte thënë se bëhet fjalë për një kohë ku vazhdimisht duhet shpjeguar se gjuhësia, letërsia, arti, filozofia e historia nuk ofrojnë thjesht njohuri akademike, por kultivojnë atë që në thelb e bën njeriun të ketë aftësi për të menduar në mënyrë kritike, për të kuptuar tjetrin dhe për ta lexuar botën në kompleksitetin e saj njerëzor dhe kulturor.