Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

"Futurama" mit dem Mann, der angesichts des Geheimnisses der Zukunft schwebt

Pikturat e Zake Prelvukajt

Pikturat dhe vizatimet e Zake Prelvukajt janë njëfarë “ngatërrese” midis njerëzores dhe teknologjisë. Nuk dihet ku është njëra e ku tjetra. Në formate të mëdha, pikturat sjellin një lojë të fortë, e cila, nga ana estetike, ka një pastërti të lartë, ndërsa si shprehje artistike lëviz nga surrealja deri te abstraktja

Në ekspozitën “Futurama”, nën kurimin e Arta Aganit, piktorja Zake Prelvukaj, nëpërmjet penelit e lapsit, përshkruan, paralajmëron, shpreh brenga dhe lë dëshmi të kohës së cilës i përket. Tablotë e saj kësaj radhe, sikurse edhe më parë, ngrenë shumë pikëpyetje. Paralajmërojnë diçka që nuk dihet se si do të jetë në kohën kur kontrollin e merr inteligjenca artificiale. Sipas konceptit kuratorial “jeta duket e pezulluar mes asaj që ka qenë dhe asaj që ende nuk është shfaqur”. “Nuk bën të frikësohemi, por koha është bërë enigmatike. Tash na shtohet kureshtja për dije dhe arti na mëson shumë”, ka thënë ajo

“Artisti e ndien një ndryshim para se të jetë në gjendje ta emërojë atë”, shkruhet mbi një vizatim krejt në hyrje të sallës së konferencave në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që shërben edhe si hapësirë ekspozuese. Mbishkrimi jo vetëm që është një paralajmërim, por shkon edhe përtej kësaj. 

Zake Prelvukaj, në ekspozitën inauguruese me rastin e titullimit anëtare korrespondente e ASHAK-ut, ndjesinë e saj për botën dhe realitetin në ndryshim e sipër ka vendosur që, përveçse me tablo e vizatime, ta ilustrojë edhe me fjali. Fjalitë e shpërndara nëpër sallë nganjëherë e zëvendësojnë një tablo. Në raste të tjera, duket sikur i plotësojnë ose u japin më shumë kuptim veprave të ekspozuara. Sikurse pikturat, ashtu edhe vizatimet, janë të viteve të fundit. Dëshmojnë se Prelvukaj e shoshit në mendjen e saj realitetin, i cili është sa lëvizës, aq i brishtë e po aq edhe premtues.

Në ekspozitën “Futurama”, nën kurimin e Arta Aganit, Prelvukaj, nëpërmjet penelit e lapsit, përshkruan, paralajmëron, shpreh brenga dhe lë dëshmi të kohës së cilës i përket. Tablotë e saj kësaj radhe, sikurse edhe më parë, ngrenë shumë pikëpyetje. Paralajmërojnë diçka që nuk dihet se si do të jetë. Hovi teknologjik e ka bërë për vete Prelvukajn, e cila është edhe profesoreshë universitare. Pikturat dhe vizatimet janë njëfarë “ngatërrese” midis njerëzores dhe teknologjisë. Nuk dihet ku është njëra e ku tjetra. Në formate të mëdha, pikturat sjellin një lojë të fortë, e cila, nga ana estetike, ka një pastërti të lartë, ndërsa si shprehje artistike lëviz nga surrealja deri te abstraktja. E panjohura e së ardhmes shfaqet në tablo nëpërmjet personazheve të Prelvukajt. Ajo ngjall një dialog të fortë midis veprave.

Kuratorja e ekspozitës, e cila është hapur të hënën mbrëma, ka thënë se pabarazia gjinore dhe sociale, shkelja e të drejtave të njeriut dhe raportet e pushtetit kanë qenë ndër shqetësimet që kanë gjetur shprehje në veprën e Prelvukajt. Sipas kuratores Arta Agani, sot ky vështrim drejtohet te një transformim që po e përjetojnë të gjithë: revolucioni i inteligjencës artificiale dhe marrëdhënia gjithnjë e më e ndërlikuar mes njeriut dhe teknologjisë.

“’Futurama’ na fton në një udhëtim nga e tashmja drejt së ardhmes, përmes perspektivës së artistes. Është një vështrim kritik ndaj asaj që po jetojmë dhe një përfytyrim i asaj që mund të vijë nga ky ndërveprim, rezultatin e të cilit ende nuk e njohim”, ka thënë ajo.

Narracionin e ekspozitës, Agani e ka ndarë në tri faza. Fillimisht, bëhet fjalë për një të kaluar ose një të tashme plot premtim për jetë. Sipas Aganit, këtë ndjesi e bartin veçmas format ovale dhe harmonike, që kujtojnë zanafillën, rritjen dhe mundësinë e ripërtëritjes. Ato fillojnë të hapen e të shpërthejnë, duke sugjeruar një rilindje, një cikël që përsëritet përgjatë historisë.

“Më pas, ky ritëm ndërpritet dhe janë veprat më të reja të Zakes që paralajmërojnë një cikël të ri në krijimtarinë e saj. Bashkë me vizatimet që na shoqërojnë përgjatë hapësirës, ato shërbejnë si treguese të një ndryshimi që po merr formë. Paraqesin një fazë latente: një pauzë të çuditshme, të ftohtë, pas një ngjarjeje misterioze. Diçka ka ndodhur, por ende nuk e dimë saktësisht çfarë”, ka thënë ajo.

Sipas Aganit, jeta duket e pezulluar mes asaj që ka qenë dhe asaj që ende nuk është shfaqur. Ajo ka thënë se bëhet fjalë për një qetësi që bart brenda vetes tensionin e një transformimi.

“Në fazën e tretë, përmes formave të vendosura përballë njëra-tjetrës dhe marrëdhënieve mes shenjave, shohim një rilindje tjetër. Kësaj radhe, ajo largohet nga rendi organik që njohim. Shfaqen shenjat e para të një jete të ndryshuar, të cilat, në pikturat e pjesës së fundit, përshkallëzohen në kaosin që përfytyron artistja. Organikja ndërthuret me artificialen. Format e njohura transformohen në mekanizma të çuditshëm, herë qesharakë e herë shqetësues”, ka thënë ajo.

Sipas saj, duke e ftuar publikun të përfytyrojë të ardhmen, Prelvukaj e vendos atë përballë përgjegjësisë që ka për të sotmen.

Veprat që sjellin një brengë dhe një dimension të ri të artistes zënë vend edhe në katalogun e botuar nga Akademia. Prelvukaj nuk u ikën formave që e karakterizojnë krijimtarinë e saj, por tashmë i sjell në një dimension tjetër. Me frikë, paqartësi e guxim. Si një thirrje për të menduar më shumë për të ardhmen.

Akademik Eqrem Basha, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka përdorur tekstin që ka shkruar për katalogun. Sipas tij, Prelvukaj di ta shndërrojë artin e kavaletës në art të avangardës, artin informel në artin gjestual, jo rrallë me veprime të ekspresionistëve abstraktë.

“Ajo i vëren objektet rreth saj dhe krijon imazhe duke i inkuadruar copëzat e mozaikut, mikroelemente domethënëse në kompozicione shpesh në kufijtë e abstraksionit, edhe pse tabloja e saj nuk e ka gjithmonë atë qëllim. Duhet vërejtur me kujdes vizatimin e saj, atë që mund të konsiderohet mbështetje e nismave të tilla”, ka thënë ai.

Arti i Prelvukajt ka dhënë vazhdimisht shumë informacion. Në ditë të vështira, “X-ksat” e saj alarmonin botën për shtypjen. Tash Prelvukajt i janë qepur “mjegullave” të kësaj kohe

Sipas tij, artistja e ushtron vizatimin përmes ritualeve të përditshme, me shpërfaqje idesh që rrjedhin pashtershëm, me vija jo të sforcuara e të pandërprera, në ndërtime figurash fantazmagorike, sikur të shëmbëllente jashtëtokësorët e supozuar.

“A mund të thuhet se arti i Prelvukajt është art i revoltës, të paktën ndaj paragjykimeve? Mbase po. Një pjesë. Kështu e përkufizon edhe vetë artistja në njërin nga adresimet e saj. Më parë, do të thoshim, është angazhim në vijën e ballafaqimit me paragjykimet, me të drejtat e munguara në një shoqëri jo të vëmendshme ndaj pabarazive”, ka shkruar ai në një tekst të gjatë.

Sipas Bashës, Zake Prelvukaj është gjithmonë aktive dhe kërkuese. Kahet e interesimeve të saj janë të gjithanshme dhe ajo kalon nga një fushë e interesimit te tjetra, nga arti i kavaletës te kërkimet në artin konceptual.

“Performon, duke i shndërruar tablotë që qëndrojnë edhe vetëm, të pavarura, në pjesë të instalacioneve e performancave. E ndeshim në disa kënde të Prishtinës duke aplikuar mur-artin, është aktive në debate dhe angazhime shoqërore, jo rrallë paraqitet në faqet e revistave, portaleve e ekraneve televizive me mendime për artin. Është vlerësuar puna e saj pedagogjike si profesoreshë e pikturës në Fakultetin e Arteve të UP-së”, shkruan Basha.

Sipas tij, Prelvukaj është në kulmet e krijimtarisë dhe publiku, gjithsesi, do të presë edhe paraqitje të tjera të punës së saj.

Duke lëvizur nëpër ekspozitë, të pranishmit duket sikur gjenden në një laborator ku “epruvetat” e së tashmes bëjnë kombinime për të ardhmen. Prelvukaj e shton kureshtjen për ditët që vijnë, por edhe bën thirrje që të mos humbet kohë. Teksa ka falënderuar të pranishmit, ajo ka kërkuar një minutë heshtje për gruan që u vra këto ditë brenda ambienteve familjare në Pejë. Duke folur për ekspozitën, ka treguar se familja e saj ka pasur vazhdimisht bibliotekë dhe se i vëllai, artisti Musë Prelvukaj, sillte vazhdimisht revista që ofronin informacione për galaktikën.

“Ne, si artistë, edhe kur jemi fëmijë, gjithmonë pyesim se çfarë ka atje lart, kur shohim një yll a diçka. Gjithmonë kam qenë e fokusuar në diçka që për atë kohë mund të jetë surreale, por mund ta paramendoj, pasi si artiste na lejohet gjithçka. Ne mund t’i qesim shtatë zemra dhe nuk vdes kush, e te mjeku një zemër dhe vdes”, ka thënë ajo.

Ka treguar se ka lexuar nga krijimtaria e Osho-s për intuitën dhe intelektin.

“Prej leximeve të shumta kam vërejtur se disa mendime nuk i kam ndrydhur. Kam me qindra vizatime, mos më shumë. Më 2022 kam shkuar në Stamboll me një cikël, por jo bash si ky. Teknologjia po ecën përpara në mënyrë marramendëse dhe na mundëson ta zhvillojmë trurin edhe më shumë. Tash hapet një faqe virtuale dhe si artiste të hapen tri faqe në mendjen tënde. Mendoj se ne e kemi atë leje dhe krijimi nuk është çkado”, ka thënë Prelvukaj.

E panjohura e së ardhmes shfaqet në tablo nëpërmjet personazheve të Prelvukajt. Ajo ngjall një dialog të fortë midis veprave 
 

Ajo ka treguar se nganjëherë i ka zëvendësuar tablotë me citate.

“Edhe e sotmja do të bëhet e djeshme. Nuk bën të frikësohemi, por koha është bërë enigmatike. Tash na shtohet kureshtja për dije dhe arti na mëson shumë”, ka thënë ajo.

Arti i Prelvukajt ka dhënë vazhdimisht shumë informacion. Në ditë të vështira, “X-ksat” e saj alarmonin botën për shtypjen. Tash Prelvukajt i janë qepur “mjegullave” të kësaj kohe. Ajo i paraqet ato, ngre pyetje për të ardhmen dhe e kërkon njeriun në një zallamahi ku njerëzorja duhet të ketë çdo ditë e më shumë rëndësi.