Për Yoshitomo Naran, fëmijëria nuk është thjesht simbol i pafajësisë, por një formë lirie, identiteti dhe rezistence që meriton të mbrohet. Në galeritë e David Zwirnerit në New York, afro njëqind vepra bashkojnë piktura dhe vizatime të reja, skulptura të realizuara së fundmi, si dhe punime të mëhershme të përzgjedhura nga vetë artisti. Përmes periudhave dhe materialeve të ndryshme, ekspozita shtron pyetjen se çfarë nevojitet për të ruajtur një mënyrë të të qenit, të cilën strukturat shoqërore përpiqen vazhdimisht ta disiplinojnë dhe ta përvetësojnë
Autore: Margherita Artoni
(whitehotmagazine.com) – Fëmijët e paraqitur në veprat e Yoshitomo Naras dallohen menjëherë. Kokat e tyre të mëdha, trupat e vegjël e të ngjeshur dhe vështrimet shqetësuese janë shndërruar në një gjuhë pamore që ka depërtuar shumë përtej hapësirave të ekspozitave. Nën thjeshtësinë e tyre të dukshme fshihet një reflektim mbi fëmijërinë si një gjendje autonome, e pajisur me inteligjencën, imagjinatën dhe aftësinë e saj për të rezistuar. Figurat e Naras sfidojnë autoritetin e botës së të rriturve për të përcaktuar se çfarë duhet të nënkuptojë fëmijëria.
Në galeritë e David Zwirner në New York, në adresat “533 West 19th Street” dhe “537 West 20th Street”, afro njëqind vepra bashkojnë piktura dhe vizatime të reja, skulptura të realizuara së fundmi, si dhe punime të mëhershme të përzgjedhura nga vetë artisti. Përmes periudhave dhe materialeve të ndryshme, ekspozita shtron pyetjen se çfarë nevojitet për të ruajtur një mënyrë të të qenit, të cilën strukturat shoqërore përpiqen vazhdimisht ta disiplinojnë dhe ta përvetësojnë.

Ideali i fëmijëve të pafajshëm
Në krijimtarinë e Naras, fëmijëria përfaqëson një pozicion nga i cili bota mund të perceptohet ndryshe. Ideali i fëmijës së pafajshëm shpesh u shërben dëshirave të të rriturve për siguri dhe kontroll, duke lënë në hije ekspozimin e fëmijëve ndaj dhunës, ideologjisë dhe konflikteve të trashëguara. Figurat e Naras shprehin pavarësinë psikologjike përmes kundërshtimit, tërheqjes në vetvete, dyshimit dhe heshtjes. Cenueshmëria e tyre bëhet një formë ekspozimi, që mbart mundësinë e refuzimit të identiteteve të imponuara nga të tjerët.
Reflektimet e Walter Benjaminit mbi fëmijërinë ndihmojnë për të kuptuar këtë marrëdhënie alternative me përvojën. Përshkrimi që ai i bën aftësisë së fëmijës për të zbuluar afërsi mes gjërave që në dukje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndihmon të shpjegohet liria imagjinative në veprat e Naras. Objektet dhe imazhet mbeten të hapura ndaj asociacioneve të papritura, përtej sistemeve të konsoliduara të kuptimit. Figurat e tij banojnë në këtë hapësirë të pasigurt: paqartësia e tyre mbron një liri të brendshme, të cilën publiku nuk mund ta përvetësojë thjesht përmes vështrimit.

Duart që formojnë paqen
Gjuha kromatike e pikturave të fundit të Naras i jep kësaj ideje një prani konkrete materiale. Mbivendosjet delikate, shtresat e tejdukshme dhe ndryshimet në dendësinë tonale bëjnë që ngjyrat të shfaqen poshtë njëra-tjetrës, duke ruajtur gjurmët e aplikimeve të mëparshme. Sipërfaqet fitojnë një thellësi atmosferike, që qëndron përtej thjeshtësisë së dukshme të figurave. Ngjyra funksionon si një matës emocional, duke përcaktuar temperaturën dhe intensitetin e një përvoje që ende është në formësim. Nuancat e zbehta të rozës, ngjyrës së fildishtë, të gjelbrës dhe portokall, ndërthurin butësinë me shqetësimin, ndriçimin me melankolinë. Gjendjet emocionale mbeten pezull, duke iu shmangur përcaktimeve përfundimtare.
Në veprën “Foggy Tale” (2026), sytë e mbyllur dhe konturat e zbutura e intensifikojnë këtë gjendje pezull. Nuancat e fildishta dhe krem bashkohen me sfondin e zbehtë përreth, ndërsa veshja portokalli dhe ngjyrat e përmbajtura të flokëve sjellin një lëvizje të qetë. Fytyra thuajse shkrihet në mjedisin e saj kromatik. Duke u tërhequr nga vështrimi i shikuesit, figura sugjeron një përqendrim të brendshëm, përmes të cilit ruan botën e saj të brendshme.
Në veprën “Peace” (2026), atmosfera e zbehtë rozë dhe bluza e gjelbër me shkëlqim krijojnë një tension delikat mes figurës dhe sfondit. Duart e fëmijës qëndrojnë pranë shkronjave të vendosura veçmas, të cilat formojnë fjalën “paqe”. Fjala shfaqet si një ide që po merr formë, si një aspiratë, realizimi i së cilës mbetet i pasigurt. Ndërthurja e lapsave me ngjyra, akrilikut dhe kolazhit prej letre mbi një panel e përforcon këtë ndjesi ndërtimi. Paqja shfaqet si një mundësi e brishtë, e varur nga aftësia për të imagjinuar një botë tjetër.
“Matryoshka” (2026) sjell një fushë kromatike më intensive. Modelet shumëngjyrëshe rrethojnë fytyrën, vështrimi frontal i së cilës krijon një përballje të drejtpërdrejtë me shikuesin. Shprehja e përmbajtur e figurës bie në kontrast me ndjesitë e ndryshueshme që përcjellin ngjyrat përreth. Titulli evokon identitete të vendosura njëra brenda tjetrës dhe një jetë të brendshme që tejkalon pamjen e jashtme. Në të gjitha këto piktura, ngjyra i jep formë një mënyre perceptimi që qëndron pezull mes vetëdijes që po lind dhe procesit të zbulimit.
Imagjinata si mjet mbijetese
Kjo vëmendje ndaj cenueshmërisë krijon një afërsi me artin e Louise Bourgeois, e cila përmes kujtimeve të fëmijërisë lidhte përvojën psikike me ekspozimin trupor dhe frikën. Një tjetër pikë krahasimi është Henry Darger, fëmijët e rrezikuar të të cilit banojnë në një univers alternativ, ku imagjinata bëhet mjet mbijetese përballë një dhune dërrmuese. Figurat e Naras ndajnë me ta këtë marrëdhënie të brishtë mes cenueshmërisë dhe rezistencës, duke ruajtur njëkohësisht gjuhën e tyre të veçantë pamore dhe paqartësinë psikologjike.
Fëmijëria e Naras në zonat rurale të Aomorit përbën një kontekst të rëndësishëm për të kuptuar krijimtarinë e tij. Vetmia, peizazhet e mbuluara me borë dhe afërsia me natyrën kultivuan tek ai një ndjeshmëri të veçantë ndaj distancës, heshtjes dhe jetës jonjerëzore. Edhe muzika luajti një rol formësues. Përmes “Far East Network”, shërbimit radiofonik të operuar nga ushtria amerikane në Japoni, Nara u njoh me muzikën folk, country dhe soul. Edhe pse kuptonte pak nga tekstet e këngëve, ai përvetësoi ritmet, meloditë dhe ngarkesat e tyre emocionale.
Koncepti i perceptimit të mishëruar i Maurice Merleau-Ponty ofron një paralele të dobishme: përvoja merr formë përmes ndërveprimit shqisor të trupit me botën. Në pikturat e Naras, ngjyra, ritmi dhe sipërfaqja i drejtohen pikërisht kësaj përmase paraprake të reflektimit, duke prekur shikuesin përpara se interpretimi të marrë një formë përfundimtare.

Patriotizmi, udhëheqja, lufta dhe paqja
Dimensioni politik i ekspozitës shfaqet përmes titujve të veprave si, “Little Patriot”, “Little Leader”, “From the Bomb Shelter”, “Guns in Hands”, “War Birth”, “Eve of Destruction”, “World Peace”, “Freedom” dhe “Some Small Hope”. Fëmijëria është tashmë e përfshirë në histori, e detyruar të trashëgojë ndarjet dhe dhunën e saj. Patriotizmi, udhëheqja, lufta dhe paqja përcaktojnë kushtet në të cilat zhvillohet një jetë njerëzore. Cenueshmëria e fëmijës bëhet kështu një masë për të vlerësuar përgjegjësinë e të rriturve dhe dështimet e tyre. Një tjetër tension lidhet me qarkullimin global të imazheve të Naras. Figurat e tij janë shndërruar në ikona në art, modë, dizajn dhe kulturën popullore. Njohja e tyre ka zgjeruar ndikimin, por njëkohësisht i ka vendosur brenda një ekonomie të riprodhimit të pafundmë, ku imazhet shkëputen nga konteksti dhe konsumohen me shpejtësi. Kjo ngre një pyetje mbi kuptimin artistik dhe kushtet në të cilat ai përjetohet e interpretohet.
Ikona i tejkalon kufijtë e gjykimit. Qarkullimi i saj nuk nënkupton domosdoshmërisht neutralizimin e kuptimit, ashtu si komercializimi nuk mund ta shterojë atë. Një imazh mund të bëhet i njohur, i riprodhueshëm dhe i koleksionueshëm, duke ruajtur njëkohësisht diçka që i reziston përvetësimit. Figurat e Naras njihen gjerësisht, por përvoja që ato mishërojnë mbetet shumë më e vështirë për t’u përvetësuar. Dallimi qëndron mes imazhit si objekt konsumi dhe imazhit si një përvojë takimi.
Në një kulturë që i konsumon pamjet me shpejtësi, dukshmëria shpesh zë vendin e vëmendjes së vërtetë. Popullariteti i Naras as nuk e garanton, as nuk e anulon fuqinë kritike të veprave të tij. Edhe publiku bëhet pjesë e kësaj marrëdhënieje: akti i të parit shndërrohet në një veprim etik atëherë kur kërkon vëmendje të vazhdueshme ndaj cenueshmërisë së një subjekti tjetër, përtej dëshirës për ta zotëruar apo idealizuar atë përmes sentimentalizmit.
Dimensioni material i ekspozitës e ndërlikon më tej marrëdhënien mes imazhit dhe objektit. Veprat e Naras përfshijnë dru, pëlhurë, letër të shtypur, karton të valëzuar, duke ruajtur gjurmët e përdorimit dhe transformimit. Sipërfaqet e tyre dëshmojnë procesin e akumulimit dhe rishikimit. Trembëdhjetë skulpturat prej bronzi dhe uretani, të realizuara në vitin 2024 dhe të përfunduara me ngjyrë të bardhë, evokojnë format e malit Hakkōda të mbuluara me borë. Marrëdhënia e tyre me peizazhin fton drejt një interpretimi animist të krijimtarisë së Naras, në të cilin malet, pemët, uji dhe gurët marrin pjesë në një rrjet më të gjerë marrëdhëniesh.
Në thelb, krijimtaria e Naras ka të bëjë me të drejtën e fëmijërisë për të mbetur e papërkufizuar. Figurat e tij na ftojnë ta njohim cenueshmërinë pa e shndërruar atë në sentimentalizëm dhe të përballemi me një imazh pa supozuar se njohja e tij nënkupton edhe zotërimin e tij. Fytyrat e tyre mund të qarkullojnë pafundësisht, por kuptimet e tyre mbeten të hapura.
Ekspozita lë pas një pyetje që shkon përtej përfaqësimit të fëmijërisë: nëse liria fillon me të drejtën për të mos u përkufizuar nga dikush tjetër, cilat struktura pushteti duhet të sfidohen për ta ruajtur këtë mundësi? Dhe, më urgjentisht, çfarë lloj bote u lejon këtyre fëmijëve të mbeten të lirë?
Marrë nga whitehotmagazine.com. Përktheu: Edona Binaku