Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Edward Yang, der Anführer einer Revolution im taiwanesischen Kino

Veton Nurkollari

Veton Nurkollari: “Në listën e krijuar nga votat e shumë njerëzve eminentë në botën e filmit dhe e cila botohet një herë në dhjetë vjet nga revista “Sight and Sound”, ku listohen 100 filmat më të mirë të të gjitha kohërave, Edward Yang i ka dy filma”

“Është gati mëkat që një regjisor dhe filmbërës i jashtëzakonshëm, jo vetëm i filmit tajvanez por i filmit botëror, në fakt nuk njihet aq sa do të duhej”, thotë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit” kur flet për maestron Eward Yang, i cili bëri revolucion në kinemanë tajvaneze dhe i priu asaj që u quajt vala e re e filmit të këtij viti. Por një mundësi unike për ta njohur krijimtarinë e këtij emri të shquar botëror është “Fundjava e Filmit Tajvanez” që nis këtë të premte. Për tri ditë, “Kino Armata” ndez projektorin edhe për tre filma të këtij regjisori që impresionoi botën

Kinemaja e Tajvanit, duket e largët por kur përmenden emra si Edward Yang, ajo merr tjetër kuptim dhe është e pashmangshme në historinë botërore të filmit. Për herë të parë në Kosovë, “Fundjava e Filmit Tajvanez” synon ta bëjë më të afërt jo vetëm një emër si ky, por edhe kinematografinë e këtij vendi. Organizuar nga Zyra Përfaqësuese e Taipeit në Budapest, prej të premtes së kësaj jave deri të dielën, tri kryevepra të këtij mjeshtri, do të pushtojnë ekranin e madh të “Kino Armatës” në Prishtinë.

Shfaqjes së triptikut të filmave të tij – “YiYi”, “In Our Time” dhe “A Taipei Story” – do t’i paraprijë dokumentari “A Chip Odyssey” i Hsiao Chu-chen, që do ta hapë “Javën...” me një rrëfim që në thelb ka rrugëtimin gjysmëshekullor të Tajvanit deri te fuqizimi si prodhues i çipave, por edhe nënrrëfime të tjera që shpalosin sakrificat njerëzore.

Njëri prej njohësve dhe adhuruesve në Kosovë të filmave të Edward Yangut – i cili pikërisht me “YiYi” triumfoi në Cannes për regjinë më të mirë në vitin 2000 – është Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”.

Edward Yangut (1947 – 2007)

“Është gati mëkat që një regjisor dhe filmbërës i jashtëzakonshëm, jo vetëm i filmit tajvanez por filmit botëror, në fakt nuk njihet aq sa do të duhej”, thotë Nurkollari teksa “Fundjavën e Filmit Tajvanez” e cilëson si mundësi unike për t’u njohur me veprën e Edward Yangut (1947 – 2007). Regjisori i shquar, është një shkollë më vete e filmit, e rrugëtimi i tij në botën e artit të shtatë është unik. Inxhinieri i kompjuterëve, s’u shkollua kurrë për kinematografi, por vulosi filmin tajvanez.

KOHA:  Zoti Nurkollari, për fillim na tregoni si dhe kur e zbuluat për herë të parë kinemanë e Edward Yangut? Çfarë ju bëri të ndaleshit te filmat e tij?

Nurkollari: Filmi i parë që e kam parë të Edward Yang është filmi i cili do të shfaqet në kuadër të “Taiwan Film Weekend”. Një film i cili titullohet “Yi Yi”. Nuk di si ta përshkruaj çfarë më ka bërë kur e kam shikuar dhe sa kureshtjen më ka zgjuar që të zbuloj edhe më shumë për këtë regjisor. Pastaj kam parë edhe filma të tjerë dhe kam vizituar dhe Tajvanin, ku jam njoftuar me punët edhe të disa regjisorëve të tjerë, mirëpo puna e Edward Yang është mjaft interesant për ata që nuk e dinë, dhe ka shumë të tillë. Është gati mëkat që një regjisor dhe filmbërës i jashtëzakonshëm, jo vetëm i filmit tajvanez por filmit botëror, në fakt nuk njihet aq sa do të duhej. Kujtojmë që me filmin e tij të fundit “Yi Yi”, para vdekjes së tij të hershme në vitin 2007, ka fituar çmimin për regjisorin më të mirë në Festivalin e Cannes. Mua më ka lënë përshtypje fillimisht ky film, dhe pastaj mënyra se si Yang i qaset një modernizmi në kinemanë tajvaneze. Për ta kuptuar atë, filmbërësit e tjerë dhe gjithë atë që njihet si “Vala e re” e filmit tajvanez, duhet në fakt të kuptohet dhe historia e këtij vendi të vogël por me një ambicie të madhe, me krijimtari të jashtëzakonshme, me kinemanë e cila me regjisorë si Yang, Hou Hsiao-hsien, Tsai Ming-liang dhe disa të tjerë e ridefinojnë kinemanë tajvaneze. Sepse kjo kinema, para kësaj rryme, ka qenë komplet tjetër, e ndikuar sidomos nga kinemaja e Hong-Kongut, nga filmat Kung-Fu dhe një kinema që në thelb ka pasur propaganda. E gjithë kjo është një reagim ndaj një kinemaje të cilën do të duhej ta zbulonin dhe ta rikrijonin, e pikërisht këtë e ka bërë Yang dhe një grup i vogël filmbërësish.

KOHA: Në filmat e Yangut, marrëdhëniet familjare, vetmia, dashuria dhe vështirësia për të komunikuar me njëri-tjetrin janë shumë të pranishme. Pse mendoni se këto tema vazhdojnë të jenë kaq universale?

Nurkollari: Sërish më duhet të kthehem në vitet ‘80 ku shumica e këtyre temave që i përmendët, nuk kanë qenë në kinemanë tajvaneze. Vala e re të cilën e ka iniciuar Yang bashkë me Hou Hsiao-hsien, kanë sjellë pikërisht këto gjëra që i përmendët, pra interesimin për njeriun. Yang është regjisor urban, apo regjisor i filmit urban tajvanez, përderisa Hou Hsiao-hsien është e kundërta, në shumicën e rasteve rural. Janë dy antipode interesante të kinemasë tajvaneze ku njëri merret me tregime nga fshati, tjetri nga qyteti. Në qendër të filmave të Yangut është qyteti dhe njerëzit modernë. Në një intervistë ai përmend pse qyteti është kaq premisë kryesore në filmat e tij dhe ka një arsyetim që për të bërë filma historikë siç bëheshin atë kohë në Tajvan, ka nevojë për shumë fonde, sepse duhet ndërtuar sete të veçanta, kurse filmat e tij nuk kanë nevojë për sete sepse vetvetiu qyteti shërben si i tillë. Ai trajton nevojat, brengat e qytetarit modern, në atë që po ashtu njihet si “boom ekonomik” nga fundi i viteve ‘80 në Tajvan, sepse ndodh industrializimi, modernizimi dhe shumë gjëra moderne mund t’i gjeni pikërisht në filmat e Edward Yang. Sërish më duhet të kthehem te “Yi Yi” dhe i ftoj publikisht njerëzit të shkojnë dhe ta shikojnë këtë film të jashtëzakonshëm që flet për tri gjenerata të një familjeje. Filmi nis me martesë dhe përfundon me një funeral, me dashuri të humbura, me kuriozitet të jashtëzakonshëm të një djaloshi, me fotografi të kokës nga prapa. Dhe kushdo që shkon me e pa filmin do të kuptojë se pse në filmin “Yi Yi” ka shumë skena të njerëzve nga prapa. Ka një arsyetim të cilin nuk do ta shpalosi këtu për të mos ua prishur befasinë, por arsyetimi i regjisorit është i jashtëzakonshëm dhe vjen nga këndvështrimi i një djaloshi të vogël, që është tepër kureshtar dhe atë e shpalos në mënyrë simpatike. Pra këto mund të jenë disa gjëra që tregojnë se pse trajtimet e njeriut modern apo urban janë kaq interesante në filmat e Edward Yangut.

KOHA: Yang shpesh e portretizon jetën urbane dhe modernizimin e Tajvanit me një vështrim shumë të hollë. Çfarë na tregojnë filmat e tij për shoqërinë tajvaneze të asaj kohe?

Nurkollari: Për dikë që nuk e njeh punën e tij, ajo çfarë do të marrë nga filmat e Yang, është se sa kanë orientim perëndimor, deri diku edhe drejt Japonisë, sidomos në estetikë dhe në synime. Në disa nga filmat e tij zë vend vetmia e njeriut urban në një metropol. Diçka tjetër që trajton Yangu në filmat e tij është po ashtu një humor i cekët, jo i tepruar. Por në thelb trajton marrëdhëniet ndërnjerëzore, marrëdhëniet në familje, humanizmin –  mendoj se shumica e filmave të tij kanë të bëjnë me humanizëm të theksuar –  dhe ndoshta na bën që t’i largojmë disa stereotipa për kulturën e Lindjes së Largët, kulturën kineze, japoneze apo të asaj pjese të botës. Unë kam pasur rastin të shkoj në Tajvan dy herë dhe mund të them se Taipei është një qytet i jashtëzakonshëm, me njerëz modernë, shumë pak ka nga stereotipi që shumë prej nesh mund ta kemi pasur për ta. Është vend i pasur, i gjelbër, i bukur dhe natyrisht me të gjitha gjërat që sjell jeta në metropol. Disa nga filmat e Yangut trajtojnë edhe krimin, për shembull në “Taipei Story” ka elemente të krimit në film, por në përgjithësi janë marrëdhëniet ndërnjerëzore që janë në fokusin e filmave të tij.

KOHA: A mendoni se “Yi Yi” është një film specifikisht tajvanez, apo një histori universale për familjen dhe jetën moderne?

Nurkollari: Yang ka dhe një film, i cili është edhe më i gjatë se “Yi Yi”, “A Brighter Summer Day”, që po ashtu ngjarja zhvillohet në Taipei por shumë më herët, diku në vitet ‘50 apo ‘60, dhe është shumë më shumë një film tipik tajvanez edhe në aspektin e storjes, sepse ka ndërlidhje me historinë. Kurse “Yi Yi” mund të ndodhë kudo. Ani pse është film tajvanez, si ngjarje mund të ndodhë edhe në ndonjë qytet tjetër të botës. Është tipik një rrëfim gati novelistik ku protagonistët janë babai, vajza dhe djali. Një tregim për një familje dhe një mospajtim. Një dinamikë familjare në një qytet në zhvillim e sipër, vend që po kalon nëpër modernizëm dhe disa ngjarje dytësore ndodhin në film, të cilat pastaj e formojnë atë qarkun që siç thash më herët, fillon me lindje dhe mbaron me vdekje, apo me dasmë dhe përfundon me funeral. Por për mendimin tim është ndër filmat më të mirë tajvanezë të të gjitha kohërave. Po e ndaj dhe një detaj: në listën e krijuar nga votat e shumë njerëzve eminentë në botën e filmit dhe e cila botohet një herë në dhjetë vjet nga revista “Sight and Sound”, ku listohen 100 filmat më të mirë të të gjitha kohërave, Edward Yang i ka dy filma. Mendoj se kjo flet mjaft për atë se çfarë kinemaje ka krijuar ky regjisor.

KOHA: Edward Yang ishte një nga figurat kryesore të “New Taiwanese Cinema”. Çfarë mendoni se solli ai në këtë lëvizje që ishte e re ose e ndryshme?

Nurkollari: Mendoj se ka qenë gati krejt ndryshe, për atë se çka ka sjellë “vala e re” e kinemasë tajvaneze. E ceka dhe më herët se para asaj, filmat tajvanezë kanë qenë fillimisht propagandistikë, dhe prapë duhet kuptuar situatën socio-politike të Tajvanit ku për më shumë se 40 vjet Tajvani ka qenë në atë që quhet “gjendje e jashtëzakonshme” apo “Martial Law”. Prandaj çfarë filmash janë krijuar atëkohë është diktuar nga gjendja e jashtëzakonshme dhe censura e atëhershme. Dhe me liberalizim dhe përfundim të kësaj gjendjeje në Tajvan ka ndodhur një liberalizim në shumë aspekte, përfshirë dhe kulturën dhe filmin, e pikërisht në këtë periudhë është shfaqur “vala e re” e kinemasë tajvaneze. Yang është kthyer nga Amerika për t’i ndihmuar një mikut të tij ta shkruajë një skenar, para kësaj derisa jetonte në Amerikë, rastësisht kishte parë një film të regjisorit gjerman, Werner Herzog, dhe në një intervistë sërish e kishte cekur se ka kuptuar që nga shkolla e filmit nuk mund të prodhohen filma sikur të Herzogut, dhe është bindur se mund të krijojë filma, pavarësisht se nuk ka ndjekur kurrë shkollën për film, dhe bashkë me Hou Hsiao-hsien kanë iniciuar një gjysmërevolucion në kinemanë tajvaneze, duke sjellë filma ku aktorët nuk ishin profesionistë, forma e të bërit film ka qenë ndryshe nga praktikat e mëhershme, pra ishte gati një çlirim në mënyrën se si bëhet film dhe si duhet të bëhet një film. Kështu u formua një rrymë e cila sot e kësaj dite konsiderohet si diçka e jashtëzakonshme në historinë e kinematografisë botërore.

KOHA: A shihni gjurmë të ndikimit të Edward Yangut te regjisorët bashkëkohorë? Nëse po, cilët janë disa shembuj që ju vijnë në mendje?

Nurkollari: Nëse duhet ta veçoj dikë, prapë do të ndalem te kinemaja e Azisë dhe te një regjisor i famshëm nga Hong-Kongu, i cili quhet Wong Kar-wai. Në filmin e parë të Edward Yangut, kameraman ka qenë një person që pastaj është bërë tejet i popullarizuar, Christopher Doyle, dhe ai ka xhiruar shumicën e filmave të Wong Kar-wait. Mendoj se regjisori kishte kuptuar se mënyra se si bën filma do t'i përshtatej edhe atij. Edhe ai pastaj ka bërë revolucion në Hong-Kong sepse kinemaja e këtij vendi ishte e fokusuar vetëm te filmat që flasin për krimin, artet marciale dhe gjëra të tilla. Wong Kar-wai e ka shndërruar atë në kinema urbane, kinemanë e dashurisë, ka realizuar një film që duhet “In the Mood For Love”, që konsiderohet ndër filmat kryesorë të tij por edhe të kinemasë botërore. Dhe aty e gjej një ndërlidhje mes këtyre dy regjisorëve. Por mendoj se ka edhe shumë regjisorë të tjerë që janë inspiruar, jo vetëm nga Yang, por nga gjithë rryma e kinemasë së re tajvaneze. Hou Hsiao-hsien, i cili është po ashtu nga Tajvani, është emri i dytë i madh i kinemasë tajvaneze. Dhe së fundmi është Tsai Ming-liang, nga i cili pastaj janë inspiruar dhe filmbërës të tjerë përfshirë dhe regjisorin tashmë të famshëm tajlandez, Apichatpong Weerasethakul, dhe e gjithë rryma që tash quhet “slow cinema”. Kështu që ka mjaft inspirime që kanë ardhur nga kinemaja tajvaneze e që janë shpërndarë, natyrisht në Azi, por edhe nëpër botë.

KOHA: Nëse do t’ia prezantonit Edward Yangun një brezi të ri shikuesish që nuk e njeh ende punën e tij, çfarë do t’u thoshit përpara se të shihnin filmin e tij të parë?

Nurkollari:  Do t’u thosha të fillojnë nga fundi nga “Yi Yi”, i cili është filmi i fundit i Yangut, dhe nëse ju pëlqen pastaj të shkojnë prapa te filmat e fillimit të karrierës. Të paktën unë kam bërë kështu. Por mund t’ju them se kanë rastin që përmes “Taiwan Film Weekend” ta shohin në Kosovë një autor, punën e së cilit nuk është edhe aq lehtë ta shohësh. Vetëm viteve të fundit janë digjitalizuar edhe filma të tjerë që ka qenë tepër vështirë për t’i parë. Unë jam shumë i gëzuar që një program sikur ky më në fund po vjen në Kosovë. Uroj të ketë dhe më shumë nisma të tilla, do të tentojmë edhe ne si “DokuFest” ta bëjmë dhe një program dikur më vonë, por ky është rast i jashtëzakonshëm për t’u njohur me filmat e një regjisori të jashtëzakonshëm. Për mendimin tim, vlera e këtij programi është rritur me këtë iniciativë të Zyrës së Taipeit në Budapest dhe uroj që shumë njerëz të shkojnë dhe t'i shohin këta filma në “Kino Armata”.