Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Die Axt des Archäologischen Museums

Jemi një shoqëri që, si pak të tjera, kemi dhënë tri presidente, njëra prej tyre edhe kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve dhe, sërish, gjëllojmë në mendësinë e sëpatave. Dhe të suxhukut

Familja jonë imagjinare jetonte këtu, jo larg Prishtinës, në vendin që sot e njohim si Tjerrtorja. Gratë tirrnin e prej balte punonin perëndi që dukeshin si gra. Ishte mjeshtëri që e kishin mësuar nga gjyshet që, po ashtu, për mijëra vjet punonin perëndesha a perëndi në figurina. Njërën e kishin ulur në fron. Sot e quajmë Hyjnesha në fron. Përgjithësisht ishte një familje paqësore si epoka, në të cilën jetonin. Në paqen dhe rehatinë e tyre, një ditë prej ditësh, një varg njerëzish po u shfaqej në horizont. Po vinin mbi kuaj. Me sëpata. Burra.

Ishim ne. Indoevropianët. Në gjininë mashkullore.

Marija Gimbutas, studiuesja lituaneze, që e ka studiuar atë periudhë, ka një libër që do të mund të përmblidhej si: Kur zotat ishin gra, nuk kishte luftë.

Kishte vërejtur se në Evropën e vjetër, para ardhjes së indoevropianëve, në kohën e figurinave nga balta, nuk kishte pasur armë lufte e fortifikime.

Plot nuk janë dakord me hipotezën e saj, mbase me të drejtë.

Mirëpo, askush nuk e mohon karakterin rrënjësisht patriarkal të indoevropianëve. Ishte shoqëri patrilineare (merret emri i babait) dhe patrilokale (jetohet në shtëpinë e burrit). E dimë nga gjuhësia. Gruan (snusós, prej nga nuse në shqipen) e rrëmbenin, por pastaj paguanin për të.  Nejse, pa kupon fiskal. Ph₂tēr ishte i zoti i shtëpisë (diçka si baci në shoqërinë tonë), ndërsa méh₂tēr (prej nga me ndryshim semantik motër në shqipen) ishte gruaja e tij. Ka emërtime për babain dhe nënën e burrit (swéḱuros prej nga vjehërr në shqipen), por jo për ata të gruas. Ata boll që kishin marrë pagesën.

Ishte koha kur edhe zotat u bënë burra, me aty-këtu ndonjë méh₂tēr që pasqyron stereotipin e gruas në shoqërinë patriarkale, sa për kuotë gjinore (p.sh. Venera).

Ndërkohë, burri u bë zot i qiellit dhe i shtëpisë dhe me to, zot i rrëfimeve të përbashkëta. U bë pjesë e religjioneve abrahamike, e Kanunit të Lekë Dukagjinit: “Grueja âsht shakull për me bajtë”. Sot, pesëmijë vjet më pas, kjo ka arritur shkallën, sa edhe nuk është më e dallueshme se sa maskuliniste është narrativa.

Një ndër mahitë e mia më të zakonshme me shoqet e mia feministe është t’ua jap fjalinë: “Lexuesit e pëlqejnë Kadarenë” dhe t’i pyes nëse ka diçka që nuk shkon në këtë fjali. Nuk e dallojnë dhe as nuk u pengon se “lexuesit” përfshin gjininë mashkullore si emërtim i përbashkët për të dyja gjinitë. “Por, në gjuhën shqipen, gjini përfaqësuese është gjinia mashkullore”, më thonë, thuajse unë si profesor i shqipes nuk e ditkam. Ideja kryesore është të ndryshojë kjo mendësi që gjinia mashkullore të jetë gjini përfaqësuese. Në librat e mi studimorë, unë e përdor gjininë femërore si përfaqësuese. Shkruaj, po e zëmë, “Lexuesja e pëlqeu Kadarenë”.

Mirëpo, kështu jemi rritur.

Kur, në rininë time njëherë, po bëhesha gati të dilja dhe po stresohesha, se nuk po më pëlqente këmisha që kisha përzgjedhur, gjyshja më bërtiti: “Ti ki suxhukin! Nuk duhet me ta ni çka veshë!”

Shpejt pata mësuar edhe të kundërtën që argumenti i gjyshes nuk vlente jashtë pragut të saj.  

Ajo që e bën dallimin mes një shoqërie patriarkale, si ajo e indoevropianeve dhe e indoevropianëve që erdhën para 5000 e kusur vjetësh në Evropë dhe e asaj që Gimbutas e konsideronte matristike, ku nuk ka dallim mes burrit dhe gruas, është forca fizike. Me asgjë tjetër një burrë nuk është superior ndaj gruas. Çdo rrëfim i dhunës është në thelb patriarkal.

Kjo dhunë mund të jetë ndryshe-ndryshe.

Disa gra bëjnë operacione plastike në trup. Žižeku do ta quante dhunë sistemore. Ato i nënshtrohen dhunës (briskut) për t’u dukur më bukur, sepse sistemi maskulinist bukurinë dhe seksualitetin i kthen në monedhë: punësim, burrë të pasur e status.

Mirëpo, gjithnjë më e dhimbshme është dhuna subjektive.

Në Muzeun Arkeologjik në Tiranë, kolegu Adem Bunguri më pati treguar një sëpatë të moçme të sjellë, me gjasë, nga indoevropianët e hershëm.

Me një sëpatë të ngjashme u vra në Vitomiricë, Arlinda Zekaj.

Në bisedën pak para se ajo të vritej, bisedë që u bë publike në rrjetet sociale, polici me emrin Faruk po i thoshte: “Nuk jom i obligum me u marrë me ty”. Po i thoshte se ishte i lodhur dhe: “…na (policia demek v. j.) jemi n’rregull. Na e kemi obligim me të çu deri te dera e shpisë”.

Dhe e çunë.

Mirëpo, Arlinda nuk u vra vetëm se shteti dështoi. Po, ka njëmijë defekte në zinxhir deri në vrasjen e saj, por vrasjet nuk mund t’i shikojmë vetëm si defekte administrative dhe statistika. Ajo u vra se donte të kthehej në shtëpinë e saj dhe ne ende nuk kemi vendosur si shoqëri se kujt i takon shtëpia.

Jemi ende ata njerëzit që erdhën me sëpata e kuaj në vendlindjen e familjes paqësore që prodhonte figurina prej balte.

Me fjalë të tjera: Të gjitha ne jemi gra.