Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Wo landete „Europäisches Serbien“?

Reagimet pas vdekjes se Ratko Mladiqit, kriminelit më të madh të luftës që ka parë Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, dëshmuan se Serbia jo vetëm se nuk dëshiron të përballet me të kaluarën e saj të errët, por e glorifikon atë. Duket se “Serbia evropiane” ekziston vetëm në kokat e disa zyrtarëve të BE-së në Bruksel. Sepse një Serbi, në të cilët ata që e konsiderojnë Mladiqin kriminel janë pakicë, nuk mund të quhet proevropiane. Aq më pak mund të quhet e tillë kur glorifikimi i këtij krimineli vjen nga zyrtarët shtetërorë

Ratko Mladiq, kryekrimineli i luftës që ishte dënuar dhe për gjenocid në Srebrenicë, vdiq në burg ku vuante dënimin e përjetshëm. Dënimi i përjetshëm është ashtu siç e ka emrin dhe do të thotë se i dënuari duhet të vdesë si i burgosur e jo i lirë. Pra deri në fund të jetës duhet të vuajë dënimin. Dënimi i tillë është maksimal dhe në vendet evropiane nuk ekziston dënimi me vdekje. Edhe pse e kanë ditur dhe e dinë këtë nga Serbia, përfshirë edhe nga presidenti i këtij vendi Aleksandar Vuçiq, ishte dërguar kërkesa në Hagë që Mladiq, për shkaqe shëndetësore, të lirohej për t’u kthyer në Serbi. Pasi kjo gjë u refuzua, presidenti i Serbisë e quajti refuzimin si diçka “johumane” duke thënë se “ata donin që Mladiqi të vdesë prapa grilave”. Ta quash “johumane” faktin se një i dënuar për gjenocid vdes në burg, e të mos mendosh në ekzekutimin masiv të mbi 8.000 boshnjakëve (në mesin e të cilëve mijëra të rinj që Mladiq ua shkurtoi jetën në ditën e rinisë) për çka fajtori kryesor ishte Mladiq, është një perversitet i llojit të vet. Po ashtu është skandaloze që të shprehet ngushëllime për vdekjen e një njeriu të tillë, të cilin me të drejtë e quajtën “kasapi i Bosnjës”.

Vdekja e Mladiqit unifikoi gjithë rajonin dhe ndau serbët përsëri nga të gjithë të tjerët në mënyrën se si reaguan pas lajmit për vdekjen e tij. Të pasakta ishin pohimet në disa media në gjuhën serbe, përfshirë edhe ato të moderuara, se “kjo vdekje nxori të shesh ndasitë në rajon”. Sepse nuk pati ndasi në rajon, por ndasitë ishim mes serbëve dhe të gjithë të tjerëve në rajon. Shumica e serbëve, nga politikanët, klerikët fetarë, “qytetarët e thjeshtë”, tifozët e skuadrave të futbollit e deri tek shumica e mediave, ose glorifikuan figurën e Mladiqit ose relativizuan duke përdorur formulimet se “për disa ishte hero e për disa kriminel”. Lidershipi politik i serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, lidershipi politik në Serbi, disa politikanë me përkatësi etnike serbe në Mal të Zi e madje edhe në Maqedoni të Veriut shprehen ngushëllime për Mladiqin duke e trajtuar figurën e tij si pozitive. Këto shprehje të ngushëllimeve tregojnë fytyrën e vërtetë të këtyre politikanëve, të cilët në rrethana normale shtiren kinse janë pro-evropianë. Veprimi i presidentit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili shprehu ngushëllime për vdekjen e Mladiqit nxiti dyshime tash edhe ndaj Malit të Zi se as ky vend nuk është përballur akoma me të kaluarën. E Mali i Zi gjatë luftës ishte aleat në agresionin e Millosheviqit dhe pjesëtarë nga ky shtet morën pjesë në disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës, sidomos në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Një pjesë e Malit të Zi ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur gatishmërinë edhe për të kompensuar viktimat. Por një pjesë, kryesisht ajo që përfaqëson serbët në Mal të Zi, vazhdon të mohojë krimet ndaj të tjerëve. Kroacia reagoi menjëherë, madje duke paralajmëruar se mund të bllokojë rrugën e Malit të Zi në BE, pasi një vend ku kreu i Kuvendit glorifikon një kriminel si Ratko Mladiq nuk e ka vendin në BE. Tash Mali i Zi, pa dyshim i vetmi shtet kandidat që ka gjasa reale për anëtarësim në BE, edhe pse po i përmbush kushtet më mirë se cilido vend tjetër, rrezikon të ngelë në këtë rrugëtim për shkak se brenda pushtetit ka njerëz që glorifikojnë krimet e luftës. E Kroacia në reagimet e saj ka rikujtuar se përballja me të kaluarën, respektimi i verdikteve të gjykatave ndërkombëtare, pajtimi me fqinjët janë parakushte për anëtarësim në BE dhe Kroacia do të insistojë deri në fund në këtë për secilin kandidat. Nga ana tjetër, edhe vetë BE-ja është shprehur se “nuk ka vend as në BE e as në vendet kandidate për glorifikim të kriminelëve të dënuar të luftës”, porosi e cila pos Beogradit, i dërgohet edhe Malit të Zi dhe serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, e cila po ashtu është vend kandidat për BE.

Reagimet pas vdekjes se Ratko Mladiqit, kriminelit më të madh të luftës që ka parë Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, dëshmuan se Serbia jo vetëm se nuk dëshiron të përballet me të kaluarën e saj të errët, por e glorifikon atë. Duket se “Serbia evropiane” ekziston vetëm në kokat e disa zyrtarëve të BE-së në Bruksel. Sepse një Serbi, në të cilët ata që e konsiderojnë Mladiqin kriminel janë pakicë, nuk mund të quhet pro-evropiane. Aq më pak mund të quhet e tillë kur glorifikimi i këtij krimineli vjen nga zyrtarët shtetërorë.

Nëse në Serbi do të ketë varrim me nderime shtetërore apo ushtarake të Mladiqit, dhe nëse në funeralin e tij marrin pjesë përfaqësues të shtetit, atëherë BE-ja do të duhej më në fund të reagojë. Sepse edhe heshtja e BE-së është johumane, pasi Mladiq nuk ishte vetëm një prej kriminelëve, por ishte krimineli kryesor i luftës, i cili personalisht udhëhoqi në terren ekzekutimin masiv të njerëzve vetëm pse ishin të përkatësisë tjetër etnike dhe fetare.

Në vitin 2000 kur nga pushteti në Serbi ra Sllobodan Millosheviqi, BE-ja ishte entuziazmuar. Hapi rrugën e integrimit në BE për rajonin e Ballkanit, duke pohuar se me largimin e Millosheviqit edhe Serbia “po e lë prapa të kaluarën e errët dhe po i kthehet të ardhmes së ndritshme evropiane”. Serbia e sotme nuk duket e tillë, duket më e afërt me Millosheviqin dhe politikën e tij, me Ratko Mladiqin dhe krimet e tij sesa me të ardhmen e ndritshme evropiane në paqe me fqinjët dhe e pastruar nga e kaluara e errët.