Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Der General, der starb und weiterhin lebt

Ratko Mlladiqi nuk u dënua si simbol i një gjakpirësi të vetmuar, por si bartës institucional i një besimi kolektiv në “pastërtinë serbe”. Ndërsa bëhen përgatitjet për varrimin e tij, gjenerali Mlladiq po merr dy rrugë

1.

“Për mua ky nuk meriton kurfar titulli përveç kriminel. E nëse për ty ky qenka gjeneral, atherë unë të shprehi ngushllime”.

Kështu shkruan (pa përmirësime gjuhësore) një komentues në postimin tim në Facebook, ditën kur komentova lajmin për vdekjen e gjeneralit Mlladiq.

Një tjetër u përpoq të mos fyente, por megjithatë ta shprehte mospajtimin: “Gjenerali?! Mund te kishit shkruar: Krimineli qe vdiq dhe do te vazhdoj te mbahet mend si kriminel. Me iritoi titulli”.

Komentuesit nuk ndalen te përmbajtja e postimit tim; ndoshta kanë vetëkufizime për të kuptuar një tekst më të gjatë së një fjali, ndoshta jo - nuk mund të paragjykoj. Ajo që kanë të përbashkët (së bashku me disa të tjerë) është mospajtimi — të përdorim një term gjenerik - që në tekstin tim, të burgosurin Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ta quaj me gradën e tij ushtarake: gjeneral.

Në perceptimin e tyre, mbase “gjeneral” është titull - diçka si “zotëri”, “shok” ose “ekselencë” - e jo gradë ushtarake, e fituar përmes shkollimit dhe shërbimit aktiv, përfshirë luftën; pra, shenjë e autoritetit profesional dhe e përgjegjësisë komanduese, që ushtrohet nën ligjet në fuqi, para së gjithash nën ligjet e luftës.

2.

Ratko Mlladiqi i kishte fituar gradat fillimisht në Akademinë Ushtarake të APJ-së dhe gjatë shërbimit aktiv në këtë ushtri; pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ai vazhdoi në strukturat ushtarake të RFJ-së dhe pastaj mori komandën e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Si komandant dhe përgjegjës kryesor i kësaj ushtrie, si dhe udhëheqës i drejtpërdrejtë i operacioneve të saj, ai u dënua me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kur urdhëroi dhe zbatoi veprimet ushtarake në Srebrenicë, të cilat Gjykata e Hagës i cilësoi me aktgjykim të formës së prerë si gjenocid, Ratko Mlladiqi ishte gjeneral-kolonel i Ushtrisë së Republikës Serbe. Kur filloi dhe përfundoi vuajtjen e dënimit të përjetshëm, institucionet serbe vazhdonin ta trajtonin si gjeneral-kolonel në pension.

Ratko Mlladiqi mund të quhet kriminel, monstër, fundërrinë njerëzore, banor i përjetshëm i ferrit dhe çfarëdo tjetër që pasqyron ndjenjat e shkruesit apo të folësit ndaj njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimin më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Por, pa i përjashtuar këto dhe epitete të tjera, ai ishte gjeneral-koloneli Ratko Mlladiq, i cili i kreu krimet pikërisht nga ajo pozitë. Në zinxhirin komandues nuk ka rëndësi nëse je fundërrinë, monstër apo kriminel: asnjëra prej këtyre nuk të kualifikon që urdhri yt të zbatohet nga vartësit. Urdhri i gjeneral-kolonelit, Ratko Mlladiq, u zbatua sepse ai kishte autoritetin institucional për ta dhënë. Ishte pjesë e një operacioni të planifikuar nga shtabi ushtarak, kishte bekimin e udhëheqjes politike dhe u zbatua nga një ushtri që nuk shfaqi as pengesën më të vogël morale, as ndjenjën e detyrimit për t’i respektuar ligjet e luftës.

Pra, me urdhrin e gjeneral-kolonelit Ratko Mlladiq, Ushtria e Republikës Serbe ndau mbi tetë mijë burra e djem në Srebrenicë dhe zhvilloi një proces industrial pushkatimesh që zgjati disa ditë. Në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ai nuk u dënua thjesht si një individ gjakpirës - të tillë ka pasur me bollëk në atë dhe në çdo luftë tjetër - por për krime që mund t’i kryente pikërisht falë pozitës së gjeneral-kolonelit: kishte kapacitetin të jepte urdhra gjenocidalë dhe një ushtri të gatshme për t’i zbatuar.

Në Hagë, përmes dënimit të Mlladiqit, nuk u dënua juridikisht një popull ose një entitet; u dokumentua funksionimi i një sistemi të bazuar në supremacizëm dhe të drejtuar kah spastrimi etnik i një territori. Nuk ishte fjala vetëm për çmendurinë apo urrejtjen personale të një eprori si Mlladiqi; ishte fjala për një sistem të tërë besimi kolektiv, i cili në korrik të vitit 1995 nuk pati dilemë se tetë mijë njerëz duhej të vriteshin me pedanterinë e një procesi industrial.

Ratko Mlladiqi nuk u dënua si gjakpirës i vetmuar, por si bartës i një pushteti institucional, pjesë e një sistemi të besimit kolektiv se duhej kërkuar “pastërtia serbe”.

3.

Gjenerali Ratko Mlladiq vdiq më 27 gusht 2026, në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin e përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në Dayton, po atë vit, u nënshkrua marrëveshja që e njohu Republikën Serbe si njërin prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës. Udhëheqësit kryesorë politikë dhe ushtarakë që drejtuan projektin e saj gjatë luftës përfunduan të dënuar nga Gjykata e Hagës. Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi u dënuan, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë - për një gjenocid që ishte pjesë e dhunës me të cilën u krijua dhe u konsolidua realiteti territorial që më pas hyri në marrëveshjen e Dejtonit.
Për vjet me radhë, gjeneral-koloneli në pension, Ratko Mlladiq, u mbrojt dhe u strehua nga struktura ushtarake dhe të sigurisë në Serbi; pas vitit 2002 vazhdoi të fshihej në një rrjet mbështetësish deri në arrestimin e tij më 2011.

Presidenti Vuçiq zhvilloi më 2024 një fushatë intensive diplomatike në OKB kundër rezolutës që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Disa orë pas lajmit për vdekjen e Mlladiqit u lajmërua figura më e rëndësishme politike e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe tha se “sot vdiq njeriu që ishte komandant i Ushtrisë së RS-së në luftën për lirinë e popullit serb, që e udhëhoqi Ushtrinë e RS-së që nga dita e parë e themelimit të saj”. Kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq - njeriu tek i cili disa shihnin gjeneratën e re të politikanëve serbë - deklaroi se “për popullin serb, Ratko Mlladiq mbetet një njeri, emri i të cilit është thellësisht i shkruar në historinë tonë. Shumë e kujtojnë si dikë që i mbajti mbi shpatulla momentet më të vështira të popullit të tij, që u sakrifikua për popullin e tij dhe emri e vepra e të cilit do të vazhdojnë të jetojnë”.

4. 

Ndërsa bëhen përgatitjet për varrimin e tij, gjenerali Mlladiq po merr dy rrugë.

Njëra është rruga fizike e kufomës së futur në arkivol: ajo do të tregojë se çfarë nderimi shtetëror do t’u bëhet krimeve të tij dhe sistemit që i shërbeu, në Republikën serbe ose në Serbi.

Rruga tjetër është vazhdimi i jetës brenda rezervuarit të madh të nacionalizmit serb, i cili doli nga katër luftëra pa u ballafaquar me veten, me të kaluarën dhe me të vërtetën. Në atë rezervuar, gjenerali Ratko Mlladiq është simboli i supremacizmit të institucionalizuar serb: një botë në të cilën ekzekutimi i mbi tetë mijë boshnjakëve nuk është çështje morali apo ligji, por thjesht çështje e operacionalizimit teknik.

Në atë hapësirë, ku shumica nuk pranon se pati gjenocid, gjenerali Mlladiq vazhdon të jetojë, i mishëruar në institucionet e shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe, entitetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Kështu, duke parafrazuar shkrimtarin amerikan, Mark Twain, lajmet për vdekjen e gjeneralit Ratko Mlladiq duket se janë bukur të ekzagjeruara.