Drita e ka realizuar edhe fitoren e katërt rresht në Superligën e Kosovës në futboll, me golat e Mike Arthurit, Kemelho Nguenas dhe Albert Dabiqajt.
Kampionia në fuqi e Kosovës fitoi të shtunën 3:1 ndaj Vushtrrisë, në ndeshjen e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Arthuri në minutën e 19-të dhe Nguena në minutën e 31-të shënuan për 2:0, ndërsa supergol për Vushtrrinë realizoi Albion Shurdhiqi, tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë. Golin e qetësisë për Dritën, Dabiqaj e realizoi në minutën e 75-të.
Futbollistët e Vushtrrisë që e bojkotuan ndeshjen ndaj Ballkanit dhe e humbën me rezultat zyrtar, u mposhtën për herën e katërt rresht.
Drita vazhdon garën për mbrojtjen e titullit me 23 pikë pas 11 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Vushtrria e fundit mbetet me vetëm tri pikë në 12 ndeshje.
Drita e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Prishtinës.