Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Trump erklärt das Oval Office zum Nationaldenkmal

Donlat Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv përmes të cilit synon t’i pengojë presidentët e ardhshëm të bëjnë ndryshime të mëdha në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Me këtë vendim, zyra zyrtare e presidentit amerikan, të cilën Trump e ka rinovuar së fundmi, shpallet monument kombëtar. Megjithatë, urdhri nuk ua ndalon presidentëve të ardhshëm të ndryshojnë mobiliet apo dekorin e saj.

Presidentët amerikanë kanë të drejtë të bëjnë disa ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, por projektet e mëdha kërkojnë miratimin e Kongresit, raporton BBC.

“Po e shpallim monument kombëtar dhe askush nuk do të lejohet ta prekë, ta shkatërrojë apo ta shembë për të ndërtuar diçka me një formë paksa të ndryshme”, u tha Trump gazetarëve.

Vendimi i Trumpit vjen disa muaj pasi ai urdhëroi shembjen e plotë të krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë, për t’i hapur rrugë një projekti të ri. Ky projekt është përballur me kundërshtime ligjore dhe nuk është miratuar nga Kongresi amerikan. Megjithatë, punimet kanë vazhduar, me synimin që në atë hapësirë të ndërtohet një sallë e re e madhe për pritje dhe organizime zyrtare.

Duke nënshkruar urdhrin të enjten, Trump tha se Zyra Ovale është një simbol i vendit, njësoj si vetë Shtëpia e Bardhë, dhe përfaqëson madhështinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai shtoi se edhe liderët botërorë që e kanë vizituar gjatë muajve të fundit i kanë vlerësuar ndryshimet dekorative që ka bërë në këtë zyrë.

Trump pretendoi se Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin pasur nevojë për riparime të mëdha para ndërhyrjeve të tij. Ai përmendi dritare të thyera, mure të çara dhe gurë të dëmtuar.

Trump tha se urdhri i ri do ta bëjë të pamundur që dikush ta shkatërrojë ndonjëherë këtë hapësirë historike.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse një president i ardhshëm mund ta shfuqizojë këtë vendim ose nëse ai mund të rrëzohet përmes një procesi gjyqësor.

Greg Werkheiser, nga zyra ligjore “Cultural Heritage Partners”, e specializuar në mbrojtjen e trashëgimisë historike, thotë se ndryshimet e përkohshme, si ndërrimi i mobilieve dhe dekorit, janë plotësisht në diskrecionin e presidentit.

Sipas tij, presidentët mund të bëjnë ndryshime sipas dëshirës, për sa kohë që nuk dëmtojnë veprat e përhershme të artit dhe elementet arkitekturore të ndërtesës.

Werkheiser argumenton se administrata Trump ka treguar pak kujdes për monumentet e tjera historike në Uashington dhe se, përmes proceseve gjyqësore, ka tentuar të dobësojë ligjet që synojnë mbrojtjen e tyre.

Ai e cilësoi urdhrin e ri të Trumpit si “hipokrizi”, duke iu referuar projekteve të tjera që presidenti ka propozuar në kryeqytetin amerikan. Mes tyre është edhe ndërtimi i një harku të madh triumfal, projekt që përkohësisht është pezulluar me vendim të një gjykatësi federal.

“Nga njëra anë, ai flet për rëndësinë e ruajtjes së Zyrës Ovale, ndonëse ky urdhër nuk ka fuqi të qartë ligjore për ta garantuar këtë. Nga ana tjetër, ai po dëmton rëndë ligjet që na mundësojnë të mbrojmë monumentet e tjera historike”, tha Werkheiser.