Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë lënduar pasi një autobus është përmbysur në një autostradë në Kroaci të dielën, kanë bërë të ditur autoritetet policore.
Sipas policisë, autobusi me targa të Serbisë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur rreth orës 07:25 të mëngjesit, derisa po qarkullonte në drejtim të kryeqytetit kroat, Zagrebit. Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura.
Aksidenti ka ndodhur në autostradën A3, e cila shtrihet nga kufiri me Serbinë, kalon pranë Zagrebit dhe vazhdon në drejtim të Sllovenisë.
Sipas shërbimeve emergjente, në autobus ndodheshin 33 udhëtarë dhe dy shoferë në momentin e aksidentit. Rreth 20 persona kanë pësuar lëndime, disa prej tyre në gjendje të rëndë, ka deklaruar Dario Kezeric, komandant i zjarrfikësve të qarkut të Zagrebit, për transmetuesin publik HRT.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë barrierën e dëmtuar mbrojtëse të autostradës dhe autobusin e përmbysur anash rrugës. Në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipet emergjente, ndërsa për ndërhyrje është thirrur edhe një helikopter, raportoi HRT.