Prokurorët federalë kanë ndërmarrë hapa për të ngritur akuza ndaj ish-drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, për zbulimin e informacioneve që lidhen me mbrojtjen kombëtare, sipas një dokumenti gjyqësor.
Kjo është hera e tretë që Departamenti i Drejtësisë ndërmerr hapa për të ngritur akuza penale ndaj Comeyt, një kritik prej kohësh i presidentit Donald Trump.
Dokumenti prej tri faqesh jep pak detaje për dy akuzat, por avokatët e Comeyt kanë deklaruar në dokumente të veçanta gjyqësore se çështja lidhet me zbulimin e pretenduar të informacioneve të klasifikuara për gazetën Neë York Times, në tetor të vitit 2016, kur ai drejtonte FBI-në.
Comey ka mohuar çdo shkelje në një video të publikuar të hënën në platformën Substack, duke i cilësuar akuzat si një “shpërdorim të tmerrshëm të pushtetit”.
“Do të ishte pothuajse për të qeshur, nëse nuk do të kishte një shpërdorim kaq të tmerrshëm të pushtetit nga Departamenti i Drejtësisë, ndaj të cilit nuk mund të bëhemi indiferentë”, ka thënë ai në video.
“Asgjë nuk ka ndryshuar tek unë, jam ende i pafajshëm, ende nuk kam frikë nga këta njerëz dhe ende besoj në pavarësinë e gjyqësorit federal”, ka shtuar.
Akuzat ndaj Comeyt janë paraqitur në Washington, përmes një dokumenti të quajtur “criminal information”, i cili është një akt formal me shkrim për ngritjen e akuzave, i dorëzuar drejtpërdrejt nga një prokuror.
Kjo ndryshon nga një aktakuzë penale (indictment), e cila duhet të miratohet nga një juri e madhe, një grup qytetarësh të betuar që shqyrtojnë nëse provat janë mjaftueshëm të forta për të proceduar penalisht një person.