Gjermania ka ndaluar përdorimin e dronëve të prodhuar në Kinë në bazat ushtarake dhe poligonet e stërvitjes, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Vendimi vjen në kohën kur ushtritë perëndimore po shtojnë kufizimet ndaj teknologjisë kineze, nga frika se pajisjet e tilla mund të përdoren për të mbledhur dhe transmetuar informacione të ndjeshme drejt Pekinit zyrtar.
Sipas gazetës gjermane “Der Spiegel”, dronët kinezë, të blerë nga njësitë ushtarake vitet e fundit me mbikëqyrje të kufizuar burokratike, do të tërhiqen nga përdorimi sa më shpejt të jetë e mundur. Ndalimi ka hyrë në fuqi menjëherë.
Më herët, komandantët lokalë kishin të drejtë të blinin dronë sipas një strategjie të vitit 2024, e cila përfshinte një listë të sistemeve të miratuara, mes tyre edhe disa modele të prodhuesit kinez DJI, kompania më e madhe në botë për prodhimin e dronëve.
Meqë ushtria nuk ka një regjistër qendror të blerjeve të kryera nga njësitë individuale, është vendosur ndalimi i përgjithshëm.
Ky vendim pason masa të ngjashme të ndërmarra nga ushtritë e tjera perëndimore. Ushtria amerikane ka ndaluar automjetet elektrike të prodhuesit kinez BYD në bazën ajrore Kadena, në ishullin japonez Okinawa, një nga bazat më të rëndësishme amerikane në Azinë Lindore.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se automjetet e tilla paraqesin rrezik për personelin dhe operacionet ushtarake, megjithëse nuk kanë identifikuar një kërcënim konkret.
Edhe Polonia, në shkurt, ka ndaluar hyrjen e automjeteve të prodhuara në Kinë në objektet ushtarake, për shkak të shqetësimeve se sensorët e integruar mund të përdoren për të mbledhur të dhëna të ndjeshme. Megjithatë, ato mund të lejohen në zona të sigurta nëse funksionet e caktuara çaktivizohen dhe zbatohen masa shtesë mbrojtëse.
Shqetësimet përfshijnë edhe teknologjinë e zakonshme të automjeteve moderne, si mikrofonat, kamerat dhe pajisjet GPS. Në shtator, qeveria holandeze paralajmëroi se këto funksione mund të shfrytëzohen nga shtete armiqësore për të spiunuar përdoruesit.
Ndërkohë, vitin e kaluar, kompanitë britanike të mbrojtjes, që punojnë për qeverinë, kishin paralajmëruar punonjësit të mos i lidhnin telefonat e tyre me automjetet elektrike kineze, nga frika e rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme.
Javën e kaluar, një grup eurodeputetësh i kërkoi Komisionit Evropian të vlerësojë nëse automjetet BYD paraqesin kërcënim për sigurinë dhe nëse duhet t'u nënshtrohen kufizimeve, përfshirë përjashtimin nga prokurimet publike.