Epoka e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në futbollin ndërkombëtar ka marrë fund. Dhe këtë javë, në Ligën e Kombeve të UEFA-s, sulmuesit më të mirë të Evropës vazhdojnë ndjekjen e gjatë për të arritur shifrat e jashtëzakonshme të golave të shënuar nga dy legjendat.
Tërheqja zyrtare e Cristiano Ronaldos nga përfaqësuesja e Portugalisë, javën e kaluar, e lë rekordin e tij prej 146 golave si objektiv madhor për Harry Kane (91 gola), Kylian Mbappe (67 gola) dhe Erling Haaland (65 gola).
Nëse luan të enjten kundër Kroacisë, Harry Kane do të vendosë rekord për Anglinë me 126 paraqitje. Të dielën Anglia përballet me Spanjën, e cila e nis javën me një ecuri prej 42 ndeshjesh pa humbje.
Mbappe dhe Franca përballen me Italinë në Milano të enjten, ndërsa tri ditë më pas e presin Turqinë.
Haaland dhe Norvegjia fillimisht e presin Uellsin, në ndeshje vendimtare, e më pas të martën udhëtojnë drejt Danimarkës.
Në grupin e katërt të Ligës A, Gjermania e Jurgen Kloppit renditet pas Holandës dhe Greqisë. Gjermanët kanë fituar vetëm një nga katër ndeshjet e para me Kloppin në krye.
Renditja përfundimtare do të përcaktojë fituesit dhe ekipet e vendeve të dyta në të katër grupet e Ligës A, që do kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kombeve. Në mars janë çerekfinalet, kurse turneu final me katër përfaqësueset më të mira zhvillohet në qershor.
Me ndeshjet që nisin të enjten dhe përfundojnë të martën, përcaktohen edhe vazot për shortin e 6 dhjetorit në Belfast. Do të përcaktohen grupet e kualifikimeve për Euro 2028.
Rekordi i “paarritshëm” i Ronaldos
Shifra prej 146 golave e Ronaldos, e arritur në 234 ndeshje përgjatë 23 vjetëve, ka gjasë të mbetet e paarritshme të paktën deri në Botërorin 2030. Muajin e kaluar Messi e mbylli karrierën me Argjentinën, duke u renditur i dyti në historinë e golashënuesve në futbollin ndërkombëtar me 126 gola. Legjenda iraniane, Ali Daei, është i treti në listë me 108 gola.
Tre lojtarët e radhës në listë janë aktivë. Romelu Lukaku ka 94 gola, Robert Lewandowski i ka 92 dhe Kane 91.
Vrullshëm po afrohen Mbappe dhe Haaland, që ka mbi një gol mesatarisht për ndeshje me Norvegjinë.
Seria e Spanjës “testohet” nga Çekia
Të enjten mbrëma (20:45), Spanja do të jetë pa Lamine Yamalin në ndeshjen ndaj Çekisë. Seria prej 42 ndeshjeve pa humbje e Spanjës përfshin edhe barazimin 2:2 në finalen e Ligës së Kombeve 2025, të cilën Portugalia e fitoi pas gjuajtjes së penalltive. Askush nuk e ka mundur Spanjën brenda 90 minutave apo vazhdimeve që nga marsi i vitit 2024, kur Kolumbia fitoi 1:0 në miqësren në Londër.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka ftuar për herë të parë mbrojtësin Jacobo Ramon, i cilin ka lënë mbresa të mira pas largimit nga Real Madridi për te Como.
Të dielën Spanja e pret Anglinë në stadiumin e Atletico Madridit. Vëllezërit Jude dhe Jobe Bellingham janë për herë të parë së bashku në përfaqësuesen angleze.
Trajneri i Francës, Zinedine Zidane, pati fillim më të mbarë të karrierës ndërkombëtare krahasuar me Jurgen Kloppin e Gjermanisë. Zidane gjithashtu vazhdon të impresionojë gjatë stërvitjeve.
“Les Bleus” do të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kombeve nëse mposhtin Italinë në “San Siro”, të enjten.
Më pas Franca e pret Turqinë, që renditet e fundit dhe rrezikon rënien në B. Ajo ndeshje luhet në Bordeaux, ku karriera e Zidane mori hov në mesin e viteve ‘90.
Te Turqia në ndeshjen e së enjtes ndaj Belgjikës (18:00), debuton selektori Sergen Yalçin, që muajin e kaluar e zëvendësoi italianin Vincenzo Montella. Ai u shkarkua për mungesë rezultatesh.
Gjermania e Kloppit luan në udhëtim ndaj Serbisë, ndërsa në stadium do të ketë vetëm fëmijë dhe pak shikues gjermanë. Federata serbe është dënuar për shkeljet e shumta të tifozëve.
Më pas Gjermania e pret ekipin holandez në stadiumin olimpik në Berlin.
Në nivelet më të ulëta të Ligës së Kombeve po ashtu ka ndeshje të forta dhe garë interesante. Zvicra mund të sigurojë kthim të shpejtë në nivelin më të lartë, nëse merr barazim ndaj Sllovenisë të premten.
Irlanda e Veriut kryeson grupin e saj në Ligën B, pa gol të pësuar në katër ndeshjet e para. Luan ndaj Ukrainës të shtunën.