Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Steht Europa am Rande einer Cyberangriffs-Epidemie?

Cyberangriff

Ndërsa inteligjenca artificiale po nxjerr në pah dobësitë në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe tensionet gjeopolitike po shfaqen gjithnjë e më shumë në frontin kibernetik, disa ekspertë paralajmërojnë se ngjarjet e javëve të fundit mund të bëhen së shpejti një dukuri e zakonshme

Alex Pearce po kryente kontrollin e zakonshëm të mëngjesit në biznesin e tij të shitjes me shumicë të frutave dhe perimeve në Londër, të hënën e javës së kaluar, kur vuri re diçka të pazakontë.

Drita e shkrirjes së akullit në njësinë numër dy të frigoriferëve ishte ndezur, ndërsa paneli tregonte temperaturën 150 gradë Celsius. E njëjta gjë po ndodhte edhe me njësinë numër 4.

Kur iu afrua njësisë së tij më të madhe të ngrirjes, vuri re se edhe aty drita e shkrirjes së akullit po pulsonte.

Në atë moment, Pearce mendoi nëse bëhej fjalë për një sulm kibernetik. Ai shkoi drejt kutisë që lidhte njësitë ngrirëse me internetin dhe shkëputi kabllon.

Dyshimet e tij rezultuan të sakta.

Mesazhi zyrtar pas sulmeve ndaj frigoriferëve është i qartë: duhet të presim më shumë ndërprerje dhe probleme. Kreu i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar, javën që shkoi, tha se ndodheshin vetëm në “fazat fillestare” të një epoke të re të sulmeve kibernetike. 

“Ka kaq shumë dobësi që ekzistojnë në sistemet tona, të cilat, mund të thuhet, janë duke pritur të shfrytëzohen”, tha drejtori i kësaj qendre, Richard Horne, duke iu referuar dobësive në sistemet e teknologjisë së informacionit, të cilat po zbulohen falë teknologjisë së inteligjencës artificiale.

“Rreziku më serioz me të cilin përballemi në një të ardhme të afërt është thjesht një rritje e jashtëzakonshme e numrit të incidenteve. Mendoj se mund t’u referohemi muajve të fundit dhe të themi se tashmë kemi filluar ta shohim këtë”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, faqet e internetit në mbarë botën u nxorën përkohësisht jashtë funksionit si masë paraprake, pasi teknologjia e inteligjencës artificiale e kompanisë OpenAI, krijueses së ChatGPT-së, ndihmoi në zbulimin e një dobësie në PHP, një gjuhë programimi që përdoret për ndërtimin e një pjese të madhe të internetit.

Po ashtu, muajin e kaluar u sulmuan edhe frigoriferët e supermarketeve franceze, që mund të ketë qenë një provë paraprake për sulmin më të gjerë të javës që shkoi.

“Momenti Wuhan”

Për Azeem Azhar, sipërmarrës dhe njohës i teknologjisë, mënyra se si modelet e inteligjencës artificiale po zbulojnë dobësi që mund të shfrytëzohen nga sulmuesit, i kujtoi momentet e para të pandemisë COVID-19 në Kinë, e cila nisi në qytetin Wuhan. 

Ai e cilësoi këtë si një “moment Wuhan”.

Ky pretendim i Azharit u bë edhe titulli i një shkrimi të publikuar në platformën Substack, ku citohej gjithashtu drejtuesi i kompanisë së sigurisë kibernetike, Matthew Prince, i cili muajin e kaluar tha se do të kemi disa vjet gjatë të cilave çdo javë do të na duket sikur po shembet qielli”.

Janë dy faktorë kryesorë që qëndrojnë në themel të paralajmërimeve të Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike: gjeopolitika dhe inteligjenca artificiale.

Të paktën një ekspert ka thënë se sulmet ndaj frigoriferëve mbajnë gjurmë të operacioneve ruse, ndërsa sulmi ndaj platformës Binance i është atribuar shtetit të Koresë së Veriut. Rusia është gjithashtu një nga të dyshuarit kryesorë për incidentin në Ukrainë.

Javën e kaluar, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike paralajmëroi se deri në vitin 2028, programet keqdashëse të fuqizuara nga inteligjenca artificiale mund të përdoren në sulme kibernetike kundër termocentraleve, aeroporteve dhe spitaleve në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas kësaj organizate, inteligjenca artificiale do t’u ndihmojë sulmuesve në detyra të tilla si identifikimi i objektivave, zbulimi i dobësive në rrjetet e teknologjisë së informacionit dhe krijimi i kodeve keqdashëse.

Megjithatë, ekzistojnë edhe disa rezerva lidhur me këto paralajmërime.

Drejtori i operacioneve të Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, Paul Chichester, tha se hakerët që sulmuan sistemet ngrirëse “nuk kishin fare nevojë” të përdornin inteligjencën artificiale për të zbuluar dobësitë, pasi ato ishin tashmë të njohura. Mes tyre ishin edhe fjalëkalimet standarde të hyrjes, të publikuara në manualet e njërës prej kompanive që prodhojnë sistemet e funksionimit të frigoriferëve.

Kompania Sophos, një prej firmave kryesore të sigurisë kibernetike, tha se nuk kishte vërejtur ndonjë incident madhor te klientët e saj lidhur me dobësinë në PHP, megjithëse, njësoj si kompanitë e tjera të sektorit, kishte regjistruar një numër të konsiderueshëm përpjekjesh për të shfrytëzuar këtë dobësi.
Një ekspert tjetër tha se bota kishte kaluar edhe më parë nëpër situata të ngjashme.

Ciaran Martin, drejtori i parë ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, minimizoi krahasimin me një “moment Wuhan”.

Sipas tij, nuk është hera e parë që bota përballet me një kërcënim të koordinuar. Ai përmendi sulmet kibernetike NotPetya dhe WannaCry të vitit 2017, të cilat u janë atribuar përkatësisht Rusisë dhe Koresë së Veriut, si dhe rritjen e sulmeve “ransomware” (program përmes të cilit bllokohet qasja në kompjuter ose në të dhënat e tij, zakonisht duke i enkriptuar - koduar ato, dhe më pas kërkohen para si shpërblim për zhbllokimin e tyre), në vitin 2021.

Koreja e Veriut, e kufizuar nga sanksionet dhe me mungesë të vazhdueshme të mjeteve financiare, ka krijuar prej kohësh një reputacion për sulmet dhe vjedhjet e kriptomonedhave.

“Është një periudhë e keqe, por jo e paprecedentë”, tha Martin. “Ideja se po përjetojmë një ‘moment Wuhan’ nuk është e vërtetë. Kemi të bëjmë me një nga ato valët e incidenteve që përsëriten çdo disa vjet”, sqaroi ai.

Nxjerrja e dobësive nga AI-ja

Megjithatë, inteligjenca artificiale po nxjerr në pah gjithnjë e më shumë dobësitë e sistemeve.
Me këtë nënkuptohet një e metë në një sistem të teknologjisë së informacionit, të cilën një haker mund ta shfrytëzojë. Me fjalë të tjera, është një derë e lënë paksa hapur, të cilën pronari i sistemit nuk e ka vënë re ose e ka shpërfillur.

Që nga muaji prill, kur kompania e inteligjencës artificiale “Anthropic” publikoi modelin e saj Mythos, i cili ka një aftësi të jashtëzakonshme për të identifikuar dobësitë në sistemet e teknologjisë së informacionit, numri i dobësive të zbuluara nga kompanitë kryesore të teknologjisë është tetëfishuar.
Megjithatë, numri i sulmeve nuk është rritur në të njëjtën masë.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Tal Be’ery, ka shprehur mendimin se hakerët kriminalë po hasin vështirësi për të përfituar financiarisht nga këto dobësi, siç tregon edhe rënia e fundit e të ardhurave nga sulmet me “ransomware”.

“Duket se aktualisht, rritja e numrit të dobësive nuk po përkthehet në një rritje të numrit të shkeljeve të sigurisë”, shkroi Be’ery muajin e kaluar.

Sulmet ndaj frigoriferëve kryhen duke shënjestruar kompanitë që ofrojnë sistemet operative për njësitë ngrirëse komerciale.

Këto sisteme janë të lidhura me internetin, duke u krijuar hakerëve mundësinë të kenë qasje në distancë dhe të arrijnë deri te viktimat përfundimtare.

Kompania daneze, Danfoss, një prej ofruesve të sistemeve të prekura nga sulmet, tha se shumica e pajisjeve të prekura ishin të vjetra dhe nuk merrnin më përditësime të sigurisë.

Ajo theksoi se prej kohësh u kishte rekomanduar klientëve të instalonin përditësimet ose të zëvendësonin programet e vjetruara.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, e cila është pjesë e agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ, tha se këto sulme janë një kujtesë e dobësive që kanë objektet e përditshme të lidhura me internetin, nga altoparlantët inteligjentë deri te ruterët e internetit.

Ollie Whitehouse, drejtori i teknologjisë në këtë qendër, tha se është “krejtësisht e qartë” se pajisje të tilla mund të jenë “të cenueshme” ndaj sulmeve të hakerëve.

Sipas tij, prodhuesit duhet të investojnë më shumë për t’i bërë produktet e tyre të sigurta, ndërsa konsumatorët duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë për pajisje me mbrojtje më të fortë dhe të kujdesen për përditësimin e tyre të vazhdueshëm.

Një nga dobësitë kryesore që shfrytëzojnë hakerët, përfshirë edhe në sulmet ndaj frigoriferëve, janë versionet e produkteve që kanë arritur në fund të ciklit të tyre të përdorimit dhe që nuk prodhohen më nga kompanitë, ose nuk marrin më përditësime të programeve për eliminimin e gabimeve dhe dobësive.

Alex Pearce tha se tani e kupton se sistemi i monitorimit të frigoriferëve të tij, i prodhuar nga kompania amerikane Copeland dhe i instaluar në vitin 2018, ka nevojë për përditësim.

“A kemi nxjerrë një mësim? Po”, tha ai. “Ekziston një dobësi për të cilën ndoshta duhej të kishim qenë në dijeni, por fatmirësisht pasojat për biznesin tonë nuk ishin të rënda”. 

Kërcënimet nga shtetet

Nevoja për të qenë më të kujdesshëm bëhet edhe më e madhe për shkak të kërcënimeve që vijnë nga shtetet. Grupet kriminale kryejnë sulme me programe “ransomware”. Por ekziston edhe një front kibernetik ku veprojnë drejtpërdrejt shtetet.

Tensionet gjeopolitike, të ilustruara nga fushata e luftës hibride që Rusia po zhvillon kundër Evropës, e kanë kthyer këtë zonë gri të konfliktit në një burim të veçantë shqetësimi.

Muajin e kaluar, qeveria britanike nisi fushatën “Be Ready” (Jini të përgatitur), duke u bërë thirrje qytetarëve të sigurojnë rezerva ushqimore për tri ditë dhe deri në nëntë litra ujë të ambalazhuar, në rast të një emergjence të rëndë, qoftë për shkak të kushteve atmosferike, sulmeve kibernetike apo rrethanave të tjera.

Sekretari i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se vendi duhet të përgatitet për kërcënimin e “terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet”, që mund të shënjestrojë infrastrukturën e përditshme.

Një ekspert tha se beson që sulmet ndaj frigoriferëve, pavarësisht thjeshtësisë së dobësive që u shfrytëzuan, kishin karakteristika që të çojnë te Rusia.

Xavier Bellekens, drejtor ekzekutiv i kompanisë së sigurisë kibernetike “Lupovis”, tha se kompania e tij e re kishte ngritur kurthe të quajtura “honeypot”, duke përdorur të njëjtët kontrollues frigoriferësh që u shënjestruan nga sulmuesit në Evropë.

Ndër teknikat e përdorura nga hakerët që ranë në këto kurthe ishte edhe shfrytëzimi i ofruesve të shërbimeve të internetit që tregohen veçanërisht tolerantë ndaj aktiviteteve keqdashëse. Kjo është një taktikë që lidhet me aktivitete të mëparshme keqdashëse të kryera nga hakerë rusë.

“A jemi të sigurt se bëhet fjalë për grupe ruse? Jo, nuk jemi. Por disa elemente na çojnë në atë drejtim”, tha ai.

Në frontin e kësaj lufte hibride, ngjarjet e fundit nuk kanë shkaktuar habi. Ekspertët dhe zyrtarët në Finlandë thanë se sulmet ndaj frigoriferëve nuk ishin të papritura, por pjesë e një modeli që e kishin parë të përhapej prej vitesh.

Finlanda ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë. Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, sulmet kibernetike të të gjitha llojeve janë shtuar ndjeshëm.

Vitin e kaluar, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Finlandës regjistroi afro 21.000 incidente, që shënjestruan një popullsi prej më pak se gjashtë milionë banorësh. Në vitin 2022, numri i tyre ishte rreth 13.000.

Këtë vit, hakerët arritën të komprometonin deri në 50.000 telefona celularë të qeverisë finlandeze, ndërsa vitin e kaluar nxorën jashtë funksionit faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes së vendit.

Ky është një trend që po vërehet në të gjithë Evropën dhe vendet e NATO-s, por është veçanërisht i theksuar në shtetet që kufizohen me Rusinë.

Megjithatë, Rusia nuk është arsyeja e vetme për rritjen e kërcënimeve kibernetike, tha Samuli Bergström, zëvendëspresident i kompanisë së sigurisë kibernetike WithSecure, me seli në Helsinki.

Sipas tij, edhe inteligjenca artificiale po kontribuon në shtimin e sulmeve. Ai gjithashtu përsëriti paralajmërimet për pajisjet e lidhura me internetin.

“Këta sulmues kryesisht shfrytëzojnë mundësitë që u paraqiten. Kur shohin diçka të lidhur me internetin, ka shumë gjasa ta sulmojnë. Nëse keni një pajisje të lidhur me internetin, duhet të supozoni se herët a vonë ajo do të jetë objekt sulmi”, shpjegoi Bergström.

Bergström dhe ekspertë të tjerë theksuan gjithashtu se aktorët shtetërorë rusë nuk janë të vetmit përgjegjës për këto sulme dhe as domosdoshmërisht më të sofistikuarit.

Në botë ekziston një ekonomi e madhe dhe e padukshme e hakerëve. Disa prej tyre janë aktivistë, të tjerë janë mercenarë që veprojnë për përfitime financiare. Një numër i konsiderueshëm kanë lidhje me shtete të ndryshme, si Rusia dhe Irani.

Megjithatë, këto lidhje mund të jenë të dobëta ose joformale, gjë që ua vështirëson zyrtarëve identifikimin e saktë të motiveve që qëndrojnë pas një sulmi të caktuar.

Çfarë do të thotë kjo për Evropën?

Aktorët që përbëjnë kërcënim kibernetik në mbarë botën po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar dhe kanë gjithnjë e më shumë burime në dispozicion. Ata janë më të aftë të identifikojnë dobësitë e sistemeve dhe t’i shfrytëzojnë ato.

Këto zhvillime kanë nxitur edhe skenarë alarmues: a mund të ndërpritet energjia elektrike në një vend gjatë mesit të dimrit, apo mund të paralizohet plotësisht aktiviteti tregtar?

Finlanda dhe shumica e vendeve evropiane kanë plane për t’u përballur me ndërprerjen e sistemeve të pagesave ose me një sulm ndaj rrjetit elektrik.

Megjithatë, kërcënimet kibernetike nuk janë të njëjta me luftën konvencionale.

Një bombardim i një centrali elektrik mund ta nxjerrë jashtë funksionit rrjetin e energjisë për muaj të tërë, madje edhe më gjatë, duke pasur parasysh se blerja e transformatorëve mund të kërkojë vite pritjeje.

Sulmet kibernetike nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtin efekt. Programet kompjuterike mund të përditësohen dhe dobësitë të korrigjohen shumë më shpejt, ndërsa zakonisht është e mundur që një pajisje të shkëputet nga interneti.

Sipas disa zyrtarëve, qëllimi i këtyre sulmeve kibernetike, të paktën kur bëhet fjalë për aktorët shtetërorë, mund të jetë më shumë psikologjik sesa diçka tjetër.

Shndërrimi i frigoriferëve në furra ose komprometimi i një banke gjaku janë ngjarje dramatike që mbeten gjatë në kujtesën e njerëzve.

Megjithatë, dobësitë që u shfrytëzuan në këto raste ka të ngjarë të jenë korrigjuar tashmë. 
Pavarësisht kësaj, ende ekzistojnë shumë dobësi dhe sisteme të vjetruara që mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.