Golden Eagle Ylli e ka mposhtur Sigal Prishtinën me rezultatin 92:79.
Ndeshja e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë i takoi xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ylli, që në çerekun e parë, krijoi epërsi prej 13 pikësh, 27:14.
Skuadra nga Suhareka vazhdoi dominimin edhe në çerekun e dytë, duke e mbyllur pjesën e parë me 20 pikë epërsi, 52:32.
Prishtina u rikthye në lojë në çerekun e tretë, duke e ngushtuar epërsinë në 62:54.
Megjithatë, loja e mirë e Prishtinës në çerekun e tretë nuk mjaftoi, pasi Ylli e fitoi edhe dhjetëminutëshin e fundit, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 92:79.
Më i dalluari në fitoren e Yllit ishte Khalil Shabazz me 32 pikë, tri kërcime dhe nëntë asistime.
U veçua edhe Connor Withers me 19 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.
Ndërsa lojë të mirë te Prishtina patën Daniel Hankins-Sanford me 15 pikë, 13 kërcime dhe një asistim dhe Bryson Dawkins me 23 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime.
Për Yllin është fitorja e gjashtë e edicionit. Ka edhe katër disfata.
Ndërkohë Prishtina ka katër fitore dhe gjashtë humbje.