Nga ai që dikur quhej “praktikanti” më i ri në KTV te njeriu që sot udhëheq ekipin e montazhës. 11 vjet më parë, Azdren Caka hyri në KOHAVISION me shumë pak përvojë në media, por me një lidhje të hershme me televizionin që e kishte dashur që fëmijë. Sot, pas mijëra materialesh të montuara, historish të treguara dhe momentesh të rëndësishme të përcjella përmes ekranit, ai e sheh KTV-në si shumë më tepër se një vend pune
Historia e Azdren Cakës me KOHAVISIONIN kishte nisur shumë më herët sesa dita kur ai u bë pjesë e stafit.
Që në fëmijëri, ai kishte një lidhje të veçantë me këtë televizion. Por ishte një ofertë e një shoku që do ta sillte atë përfundimisht në KTV.
I mahnitur nga një dasmë që kishte montuar, e cila kishte bërë bujë, ku kishte marrë pjesë edhe Rita Ora, i ofroi Azdrenit t’i bashkohet ekipit.
Në vitin 2015, ndonëse i ri në moshë, por jo pa përvojë në montazh, ai e pranoi.
“Më herët nuk kisha punuar në media, thashë ta provoj, se për KTV-në kisha pasur dashuri prej i vogël kur kam qenë dhe më kujtohet kur erdha si 22-vjeçar, të gjithë punëtorët ishin më të moshuar se unë dhe e zura, si të them, ekipin që ka qenë prej fillimit me KTV-në, unë isha më i riu, pak e kisha problem me u ambientu, por më pritën shumë mirë. Fillova punën, storjen e parë e montova me Durim Abdullahun, pak kishin drojë të montonin me mua, edhe gjithë kohën thoshin ‘ky praktikanti’. U bëja pak nervoz... thashë ta dëshmoj veten edhe e di që pata marrë vlerësim të mirë edhe menjëherë u largova prej lajmeve dhe fillova me emisione, sepse puna që e kisha bërë më herët ishte më kreative. Ja pashë hairin, sepse kisha kreativitetin dhe fitova edhe shpejtësinë”, ka thënë Caka.
Këto 11 vjet përvojë pune i dhuruan sfida, momente të bukura e mbi të gjitha një familje të dytë.
“Gjatë kësaj periudhe në KOHAVISION ka pasur shumë sfida, por ka pasur edhe shumë gjëra të mira, sepse këtu i kalojmë 8 orë kohë edhe shpesh kalojmë më shumë kohë se me familjen tonë, edhe në KTV kam takuar aq njerëz të mirë saqë i kam takuar edhe shokët më të mirë që i kam sot, edhe periudha me ta ka qenë periudha më e mirë që e kam pasur. KTV-ja është më shumë se punë, është një familje e dytë”, ka thënë ai.
Puna në montazh, sipas tij, nuk është vetëm një proces teknik.
“Kam montuar shumë storje, shumë dokumentarë të ndryshëm, por ka pasur prej storjeve që tjetër kush ka fituar famë prej saj, është një futbollist Gashjani, një futbollist rom, me Faton Polisin kur e kemi montuar atë storje, ka fituar edhe si storja më e mirë në AGK, por tash ai është transferuar edhe në ligën e parë turke. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi montuar shumë momente historike, si kjo e fundit që ndodhi në Hagë, pavarësia e shumë të tjera...”, ka treguar ai.
Në mesin e materialeve të shumta, Azdreni monton edhe njërin prej emisioneve më të shikuara të KTV-së, “Pikë me Veton Surroin ”.
“Mua më ka rënë të montoj edhe projekte të vogla edhe të mëdha edhe emisione të shumta, ndër to është edhe emisioni që e montoj me drejtoreshën Flaka Surroi, është emisioni “PIKË me Veton Surroin”, është një podcast, i cili është shumë i shikuar në Kosovë. Puna më të është shumë e lehtë, është modeste, e mirë, e edukuar dhe e sjellshme, e ka qasjen shumë të lehtë dhe puna me të veçse më lehtësohet, nuk më vështirësohet”, ka thënë ai.
Një prej periudhave që Azdreni e kujton si më të vështirë është ajo e pandemisë.
Për ekipin e montazhës, ajo kohë u bë edhe më e rëndë, sepse humbën shefin e tyre, Etrit Mehmetin.
“Në atë kohë e patëm vitin më të vështirë ne si montazherë, në atë kohë na vdiq shefi jonë, Etrit Mehmeti, ai ka qenë shefi më i mirë që e kemi pasur, vdekja e tij ka qenë shumë e rëndë për neve. E kemi pasur shumë lehtë me të, më kujtohet fjalët e fundit me të, diçka më doli një problem, edhe thashë shef a të shkoj, kurrë nuk ka refuzuar edhe atë e kujtojmë me mall”, ka kujtuar Azdreni.
Kur jemi te KTV-ja 26-vjeçare, për Azdrenin kanë ndryshuar shumë gjëra, përfshirë edhe pozitën e tij tash si udhëheqës i montazhës.
Cilësitë e tij ndër vite janë bërë pjesë e mënyrës se si ai shihet nga kolegët me të cilët punon çdo ditë.
Përveç si i qetë e bashkëpunues, producentja ekzekutive e KTV-së, Rea Surroi, ka thënë se Azdreni është edhe shumë kreativ.
“Punëtor, korrekt, i përkushtuar, ka dhënë maksimumin e tij. Është një person që e ka një aurë mjaft të lehtë për të bashkëpunuar me të, i qetë dhe kreativ...”, ka deklaruar Surroi.
Edhe autorja Ardiana Dragusha, e përshkruan si person kreativ e profesional, por mbi të gjitha shumë njerëzor.
“Është një prej montazherëve shumë kreativ, shumë bashkëpunues... Ajo çka gjithmonë e theksoj është që me qenë njerëzor pikë së pari, Azdreni i ka këto virtyte”, ka thënë gazetarja Dragusha.
Për fund, Azdreni ka edhe një urim.
“Urime 26-vjetorin KTV! 26 vjet histori, përkushtim, punë dhe sakrificë. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj historie, ju uroj edhe shumë suksese!