Pas reagimeve të shumta për projektin e Ulpianës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndërtimi i një objekti dhe një parkingu nëntokësor, ka qenë vetëm propozim. Ai ka theksuar se nëse qytetaret janë kundër, projekti nuk do të vazhdojë para. Por nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar duke thënë se nuk mjafton vetëm ky reagim, por duhet të tërhiqet vendimi i marrë në Kuvend Komunal
Presioni publik ka bërë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të tërhiqet nga projekti “Prishtina 2030 Legacy”.
Pas reagimeve të shumta të banorëve të lagjes “Ulpiana” lidhur me projektin i cili parashihte ndërtimin e një objekti si dhe të parkingut nëntokësor në hapësirën nën Fontanë, Rama ka thënë të martën se e gjitha ishte vetëm propozim dhe se nuk do të bëhet asgjë pa pajtimin e banorëve të zonës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken nga parkingu nëntokësor, nëse do të realizohet si projekt.
Megjithëse Kuvendi Komunal tashmë ka caktuar lokacionin për ndërtim, Rama është shprehur se objekti do të bëhet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Krejt kjo është propozim. Nëse banorët e Ulpianës nuk e duan, nuk ecim përpara. Fillimisht e diskutojmë me juve! Pastaj, nëse ka mbështetje, propozimi shkon për votim në kuvendin komunal, te përfaqësuesit që i keni zgjedh ju!”, ka shkruar Rama.
Por në partinë opozitare në Kuvendin Komunal, Vetëvendosje thonë se nuk mjafton që Rama të tërhiqet vetëm me fjalë.
Asambleistja Nexhmije Gjema, ka kërkuar që të anulohet edhe vendimi i marrë në Kuvendin Komunal të Prishtinës sa më parë.
Gjema po ashtu ka thënë se bëhet fjalë për 13 mijë metra katrorë të përfshirë në projekt, por për 33 mijë.
“Këto parcela, nëse hyni në gjeoportal, janë të shpërndara në lokacione të tjera, këtu nuk dihet për çfarë parcelash bëhet fjalë. Vetëm për dy parcela është sjellë pronësia ndërsa për tri të tjera nuk është sjellë fare”, ka thënë ajo.
Ajo ka sqaruar se vendimi përfshin edhe prona që janë ndarë për ambasadën gjermane në Lagjen e Spitalit si dhe dy ndërtesa të soliterëve në Ulpianë.
“Prej 5 parcelave, e para është në zonën që e përfshin konviktin, e dyta përfshin këto ndërtime banesore edhe fushën e sportit. Pra këtu vërehet se përfshihen edhe dy ndërtesa të soliterëve dhe pjesa e fundit që përfshihet në zonën e oborrit të QKUK-së, është prona që i është dhënë prej 2020 në shfrytëzim ambasadës gjermane për 99 vjet”, ka thënë Gjema.
Caktimi i lokacionit për ndërtimin e një objekti dhe te parkingu nëntokësor në emër të organizimit të Lojërave Mesdhetare, ka nxitur reagime jo vetëm të banorëve.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, të hënën, ka thënë se vendimi i Kuvendit Komunal nuk ka të bëjë fare me Lojërat Mesdhetare.