Katër muaj pasi përfundoi vitin shkollor me pesë nota të dobëta, një nxënës i gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë është kthye në klasën e 11-të. Kjo, pasi një komision i formuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit e ka rivlerësuar dhe i ka dhënë nota kaluese në të pesë lëndët. Por, ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës ka shprehur shqetësime për këtë rast, për të cilin ka thënë se nuk është i vetmi
Pesë notat e dobëta në klasën e 10-të nuk e penguan një nxënës të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë që, në tetor, të vazhdonte mësimin në klasën e 11-të.
Pas formimit të një komisioni nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, në tetor të këtij viti, iu nënshtrua rivlerësimit dhe mori nota kaluese në të pesë lëndët.
Formimi i komisionit u bë me kërkesë të Ministrisë së Arsimit.
“Komisioni për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave i Inspektoratit të Arsimit, bazuar në paragrafin 7 të nenit 16 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2022, pas konstatimit të parregullsive në procesin e vlerësimit, e ka kthyer rastin në DKA-në e Prishtinës për trajtim. Rrjedhimisht, rasti është kthyer në DKA nga Inspektorati i Arsimit”, thuhet në vendim.
Por, Haki Dili, që është ushtrues i detyrës së drejtorit në gjimnaz, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si Ministria e Arsimit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit e trajtuan rastin.
“Komisionin e formojnë me mësimdhënës të shkollës fillore “Emin Duraku” dhe nxënësi pastaj kalon, i ka të gjitha kaluese në pesë lëndë edhe ai ka ardhë tash me viju mësimin në klasën e 11-të më 12.10.2026. Unë mendoj që këtu nuk ka shku procedura bash në rregull, sepse kemi nxënës që e kanë humbur vitin me një notë të dobët, edhe me tri të dobëta”, ka thënë u.d. i drejtorit në gjimnazin “Ahmet Gashi”.
KOHA ka dërguar pyetje në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë lidhur me këtë rast, por kanë munguar përgjigjet.
E, sipas drejtorit Dila, gjatë dy vjetëve të fundit, janë shfaqur disa raste të ngjashme, të cilat, vlerëson se nuk ndihmojnë në përmirësimin e sistemit arsimor.
“Nëse punojmë në këtë mënyrë na kemi me devalvu edhe më shumë në sistemin e arsimit dhe po ju japim mundësi që edhe nxënësit e dobët të ecin përpara, por edhe në njëfarë mënyre po ndikon goxha keq të vlerësimi i mësimdhënësve për arsye se i godet ata njëfarë nënçmimi për vlerësimin që ata e bëjnë gjatë vitit”, ka thënë Dila.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se institucionet arsimore duhet të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit, e të mos zbatojnë standarde të dyfishta.
“Është e rëndësishme që e njëjta trajektore e gjykimit të drejtë të përcaktohet për të gjithë... a ngel apo jo, a futet në riprovim apo jo, me komision apo jo, për ne është domosdoshmëri që ai vlerësim dhe gjykim të jenë të drejtë, që askujt mos me i humbë e drejta e shkollimit ose e rikthimit në shkollim me standarde të dyfishta për një po e për tjetrin jo”, ka thënë Qehaja.
Bazuar në udhëzimin administrativ për vlerësimin e nxënësve, ata që vijojnë mësimin në klasat nga e 10-a deri në të 12-n, e përsërisin klasën, nëse nuk arrijnë minimumin e domosdoshëm të rezultateve të të nxënit, përkatësisht notën 2, në tri e më shumë lëndë mësimore.