Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për mungesën e përgatitjeve të mjaftueshme në sektorin e energjisë për përballimin e dimrit që po vjen, duke vënë në pikëpyetje mirëmbajtjen dhe menaxhimin e kapaciteteve ekzistuese të prodhimit.
Gjatë debatit për energjinë në Kuvendin e Kosovës, Mustafa ka thënë se shqetësimi kryesor duhet të jetë nëse vendi është i përgatitur për dimrin dhe sa do t’u kushtojë qytetarëve mungesa e prodhimit vendor të energjisë.
Ai ka theksuar se, ndonëse tregjet ndërkombëtare përballen me sfida të shumta, një pjesë e konsiderueshme e problemeve në sektorin energjetik të Kosovës lidhet me planifikimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve vendore.
“Në vend që të flasim për kapacitete të reja, tema është kthyer te remontet e kapaciteteve ekzistuese që nuk po kryhen me sukses e po dështojnë njëra pas tjetrës”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka kritikuar edhe paralajmërimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për formimin e një task-force me akterët kryesorë të sektorit të energjisë, si një nga masat për përballimin e dimrit.
Mustafa ka rikujtuar se një mekanizëm i ngjashëm ishte krijuar edhe në vitin 2021, duke kërkuar të dihet se çfarë rekomandimesh ishin dhënë atëherë dhe sa prej tyre janë zbatuar.
“Nëse pas kaq vitesh zgjidhja jonë kryesore vazhdon të jetë krijimi i një task-force, atëherë pyetja është çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve për ta përgatitur Kosovën për dimra të vështirë?”, ka thënë ai.