Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Über 700 Patienten stellten ihr eigenes Material für Operationen in der Orthopädie zur Verfügung.

Orthopädie

Mbi 700 pacientë që janë operuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë detyruar ta sigurojnë vetë materialin osteosintetik, që përdoret për fiksimin dhe stabilizimin e kockave gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi klinika kishte mungesë.

Tenderi për furnizimin me to ishte i bllokuar nga viti i kaluar deri në qershor të këtij viti.

KOHA që në korrik i ka dërguar pyetje Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, duke kërkuar të dhëna për numrin e operimeve të kryera në Klinikën e Ortopedisë gjatë tri vjetëve të fundit. 

Përgjigjja është siguruar vetëm në tetor, pas disa muajsh pritjeje.

“Pavarësisht vështirësive në furnizim dhe kufizimeve organizative, Klinika e Ortopedisë ka realizuar gjithsej 6.216 raste operative. Nga këto, në 745 raste pacientët kanë siguruar vetë materialin osteosintetik që ka munguar, ndërsa për rastet e tjera materialet janë siguruar nga Klinika. Pra, në 88% të rasteve materiali është siguruar nga Klinika, ndërsa në vetëm 12% të rasteve pacientët e kanë siguruar vetë materialin”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka kërkuar nga SHSKUK-ja edhe të dhëna për vitet e lindjes së pacientëve, për të cilët materialet janë siguruar nga vetë klinika.

Por, nga SHSKUK-ja kanë thënë se nuk i kanë këto të dhëna të gatshme, duke iu referuar mungesës së stafit përgjegjës për arkivim dhe sistemit jofunksional të informimit shëndetësor.

“Aktualisht, Klinika nuk ka arkivist dhe detyrat e arkivimit kryhen nga administratori, krahas përgjegjësive të tjera. Gjithashtu, në mungesë të një sistemi funksional të informimit shëndetësor, nxjerrja e vitit të lindjes për secilin nga 6.216 rastet kërkon kontroll manual të dokumentacionit individual. Për këtë arsye, përgatitja e kësaj liste të plotë nuk është e realizueshme me kapacitetet aktuale administrative”, thuhet në përgjigje.

Pas raportimeve të KOHËS për pacientët që janë detyruar t’i sigurojnë vetë materialet për operim, Avokati i Popullit ka nisur një hetim. 

Zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Çollaku, ka thënë se hetimi është në fazën përfundimtare.

“Pritet që të mblidhen edhe disa informacione dhe të dhëna të tjera nga autoritetet publike. Pasi të përmbyllet, Avokati i Popullit do të dalë me një raport hetimor, duke paraqitur natyrisht edhe rekomandimet e veta para autoriteteve përgjegjëse dhe para publikut”, ka thënë ai.

KOHA ka raportuar edhe për rastin e një 60-vjeçari me aftësi të kufizuara, i cili vuante nga gonartroza e shkallës së tretë, sëmundje degjenerative e gjurit që shkakton dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në ecje dhe kufizim të lëvizjes.

Për pesë vjet, ai ka pritur në listën e pritjes për operim. Por, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ishte detyruar që, me ndihmën e familjarëve, ndërhyrjen ta kryente në një institucion privat.