Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Landwirte beklagen steigende Produktionskosten und geringe Gewinne.

Landwirtschaft

Kur ka nisur sezoni i të mbjellave, fermerët janë ankuar për rritjen e shpenzimeve, dhe ngritjen e kostos së prodhimit. E, njohës të bujqësisë thonë se shkaku i kësaj situate, qytetarët mund të dekurajohen të merren me përpunimin e tokës.

Rezana Bozhlani

Fermeri Valon Vehapi po përgatit tokën për sezonin e ri të mbjelljeve, por thotë se këtë vit kostoja e prodhimit është rritur ndjeshëm. 

Shtrenjtimi i naftës, farërave e plehrave artificiale ia ka shtuar shpenzimet, pa u reflektuar kjo në çmimet me të cilat ky fermer nga Lipjani thotë se i shet prodhimet. 

“Shpenzimet këtë vit janë më të mëdha se krejt vitet tjera, tu nis prej derivateve, ku ne jemi furnizuar me naftë diku rreth 1 euro e 90 cent “kilogrami”, që ka qenë e pa përballueshme sepse këto makina shpenzojnë bukur shumë. Me dalë me tri makina të mëdha, në ditë i harxhojnë diku rreth 1 mijë euro naftë. Edhe prej inputeve tjera plehu sa ka qenë 51 cent kilogrami, tash është diku 72 cent kilogrami”, ka thënë Vehapi. 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, në tremujorin e tretë të këtij viti, çmimet e produkteve dhe materialeve që përdorin fermerët për prodhim janë rritur për 8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa ato që përdoren drejtpërdrejt në prodhim janë shtrenjtuar për 12 për qind.

Profesori i bujqësisë Imer Rusinovci ka vlerësuar se fermerët përballen me gjendje të vështirë, për shkak të kostos së prodhimit. 

“Realisht bujqësia në Kosovë është në një pozicion shumë të disfavorshëm për faktin se një pjesë e madhe e fermerëve qofshin punues, qofshin përpunues janë të demotivuar, si rezultat i këtij shtimi të madh të kostos së prodhimit”, u shpreh Rusinovci. 

E, Vehapi ka thënë se këtë vit ka punuar pa fitim, meqë thekson se në treg vetëm produkteve bujqësore të importuara u është rritur çmimi, por jo atyre vendore.

“Këta po thonë se janë ngritur edhe produktet, por produktet nuk janë ngritur, janë ngritur disa produkte siç janë hurmat, kivi, bananja e ato të tjerat, të cilat ne nuk i prodhojmë, këto të prodhimit vendor nuk janë ngritur fare”, ka deklaruar Vehapi. 

Edhe profesori Rusinovci e pohon këtë. 

“Nëse flasim për sektorin e prodhimit bimor, një nga mbjelljet strategjike është gruri i cili ka një çmim relativisht të ulët, sepse e përcakton berza ndërkombëtare dhe ai prej përfundimit të fushatës së korrje shirjeve, nga fundi i korrikut deri në ditët aktuale sot, është me një çmim relativisht të ulët 18 cent”.

Në Kosovë, janë shfrytëzuar rreth 450 mijë hektarë tokë bujqësore, prej të cilave rreth 200 mijë hektarë kanë qenë tokë e punueshme. Ndonëse bujqësia konsiderohet një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, shteti vazhdon të ketë varësi të konsiderueshme nga importi i produkteve ushqimore.