Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se javën e ardhshme pritet të prezantohen frytet e para të punës për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e apelit në Hagë.
Çitaku i bëri këto deklarime të premten në një takim të përbashkët të Kryesisë së PDK-së, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve.
Siç njoftohet nga PDK-ja, Çitaku ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohen strategjia shtetërore për mbrojtjen në apel dhe iniciativa e re ligjore për Gjykatën Speciale.
Kjo iniciativë, sipas partisë, do të mbështetet në tekstin e miratuar nga Kuvendi në tetor dhe do të përfshijë kontributet e PDK-së, ekspertëve dhe grupit punues.
Çitaku ka vlerësuar se uniteti i partive parlamentare shqiptare në mbështetje të luftës së Kosovës dhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë ka “peshë historike”, duke falënderuar partitë dhe të gjithë të angazhuarit për bashkëpunimin në këtë çështje.
Ajo ka theksuar se mbrojtja në apel mbetet prioritet absolut i PDK-së.
“PDK do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ligji për Gjykatën Speciale, i miratuar më 6 tetor, ishte kthyer në Kuvend me kërkesë të PDK-së. Kjo parti pastaj kishte kërkuar që ligji të miratohej sërish dhe më pas të amandamentohej, por për këtë nuk ishte arritur dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje. Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ishte i gatshëm të mbështeste një iniciativë të re ligjore. Dje, PDK-ja ra dakord me propozim e VV-së që të ketë nismë të re ligjore.
Ndërkohë, katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë dënuar në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.