Për secilën detyrë që mori përsipër, do të shndërrohej në shembull të angazhimit të tij për komunitetin e për vendin. Në Gjilan u njoh si punëtor e udhëheqës i zellshëm. Bajram Isufi, drejtori i Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, e që më herët ka mbajtur disa pozita në Kuvendin Komunal të Gjilanit, vdiq të premten pasdite. Ai ishte 60 vjeç.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët. Ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të, e kanë cilësuar si profesionist të zotin, njeri të urtë e të ndershëm, i cili shëmbëlleu atdhedashurinë – që e dëshmoi edhe kur iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e zellin për punë, në secilën pozitë që iu besua.
Bajram Isufi u lind më 26 janar në Zhegër të Gjilanit ku kreu edhe shkollimin fillor. Në Universitetin e Mitrovicës u diplomua në Inxhinieri të Teknologjisë Kimike. Më pas studimet master i kreu për Menaxhment Ndërkombëtar. Gjatë karrierës profesionale, drejtoi ndërmarrje dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë kompaninë e dikurshme “Higjiena”, përkatësisht “Eco-Higjienën”, ku qe drejtor ekzekutiv. E vazhdoi angazhimin e tij në institucionet komunale, ku shërbeu si këshilltar komunal dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Gjilanit. Në vitin 2026 mori përgjegjësinë e drejtimit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu” në Gjilan.
Me vendlindjen e tij mbajti lidhje të vazhdueshme edhe në veprimtari kombëtare duke ndjekur traditën si pinjoll i familjes së heroit kombëtar, Idriz Seferi. Ka kontribuuar edhe në jetën sportive. Ishte i angazhuar në zhvillimin dhe mbështetjen hendbollit. Kishte qenë hendbollist, e më pas kryetar i klubit të hendbollit “Zhegra” dhe pjesë e strukturave drejtuese të hendbollit në Kosovë, përfshirë Bordin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët e tij e kanë kujtuar për profesionalizmin në punë, raportet e shkëlqyera e atributet që e bënë emër të shquar në Gjilan.
“Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëpunëtorit tonë, profesionistit dhe njeriut të urtë, Bajram Isufi. Bajrami do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndershmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, duke filluar që nga rreshtimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri tek angazhimi i tij i palodhshëm si Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, ashtu edhe në krye të Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Tregu’. Ai ishte shembull i atdhedashurisë, punës, korrektësisë dhe respektit për çdo qytetar e koleg”, ka shkruar kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Sipas tij, vdekja e Isufit është goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.
Për kolektivin e menaxhmentin e ndërmarrjes që drejtoi së fundmi, tronditës ka qenë kumti për vdekjen e Bajram Isufit.
“Gjatë kohës sa ushtroi detyrën e drejtorit në ndërmarrjen tonë, z. Bajram Isufi dëshmoi përkushtim, profesionalizëm dhe aftësi të veçanta bashkëpunimi. Ai ndërtoi raporte të shkëlqyera me kolegët e ndërmarrjes, tregtarët dhe qytetarët që frekuentonin tregun çdo ditë, si dhe të gjithë ata që kishin kontakte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me shërbimet e NPL ‘Tregu’”, shkruhet në njoftimin e kësaj ndërmarrjeje.