Alarmi i sigurisë është zgjeruar në disa vende evropiane, ku përveç aeroporteve dhe fluturimeve, në shënjestër kanë qenë edhe redaksitë mediatike. Kërcënimet e dërguara përmes postës elektronike paralajmëronin sulme ndaj transportit në Evropë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur prapavijën e tyre
Kërcënimet për bomba ndaj fluturimeve në Evropë vazhduan edhe të premten, duke prekur disa avionë pasagjerësh, ndërsa në shënjestër të kërcënimeve ishin edhe organizata mediatike në Irlandë, Bullgari dhe Britani.
Kërcënimet u dërguan përmes postës elektronike në redaksinë e televizionit bullgar Nova TV dhe transmetuesit publik irlandez RTÉ. Mesazhet, të nënshkruara nga një person që prezantohej si “Mikhail Andropov”, mbanin titullin “Mesazh për Perëndimin” dhe pretendonin se kërcënimet ishin paralajmërim për një seri sulmesh ndaj mjeteve të transportit në Evropë.
Pas marrjes së kërcënimit, selia e RTÉ-së në Dublin u evakuua dhe transmetimi u pezullua përkohësisht. Ndërkohë, transmetuesi britanik Sky konfirmoi se kishte marrë një kërcënim për sigurinë, por vazhdoi transmetimin.
Në Hungari, ministri i Mbrojtjes tha se avionët luftarakë shoqëruan tre avionë pasagjerësh në hapësirën ajrore të vendit, pasi morën kërcënime për bomba. Bëhet fjalë për fluturime nga Brukseli drejt Sofjes dhe nga Praga drejt Qipros e Rumanisë.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu, njoftoi se katër avionë të tjerë që fluturonin mbi territorin francez morën kërcënime për bomba. Të gjithë u ulën të sigurt në aeroportin Orly të Parisit, ku u kryen kontrolle për lëndë shpërthyese.
Kërcënime morën edhe fluturime të kompanive Tarom dhe Ryanair, ndërsa një avion i Wizz Air nga Praga drejt Romës u devijua për në Venecia. Pasagjerët u evakuuan dhe trafiku ajror u pezullua përkohësisht, por kontrollet nuk zbuluan asgjë të dyshimtë.
Në aeroportin e Pragës u shënjestruan gjithsej nëntë fluturime. Ndërsa në Kopenhagë, policia u paraqit në aeroport për të dytën ditë radhazi pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror. Autoritetet thanë se nuk kishte rrezik për pasagjerët.
Qeveria e Irlandës i cilësoi kërcënimet si shumë serioze, duke theksuar se prioritet mbetet siguria e njerëzve të prekur. Sipas saj, policia u njoftua menjëherë dhe, në bashkëpunim me institucionet e shënjestruara, ndërmori masat e nevojshme parandaluese.
Më shumë se 20 fluturime janë prekur nga kërcënime të ngjashme që nga fillimi i javës. Edhe pse kërcënimet e rreme për bomba nuk janë të pazakonta, është e rrallë të regjistrohen kaq shumë në një periudhë kaq të shkurtër.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas kësaj vale kërcënimesh dhe nuk ka prova që ato lidhen me ndonjë shtet apo qeveri. Pretendimi i personit që nënshkroi mesazhet si “Mikhail Andropov” nuk është konfirmuar nga autoritetet. Incidentet po hetohen në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike dhe shqetësimesh për shtimin e kërcënimeve hibride në Evropë.
Nënkryetari i Shoqatës Evropiane të Pilotëve, Paul Reuter, tha se ekuipazhet janë të përgatitura të reagojnë sipas procedurave të sigurisë. Ai e cilësoi të papranueshëm përdorimin e aviacionit civil për të shkaktuar trazira apo për të përhapur kërcënime të rreme.