Botë

Viti i mbrapshtë

Katër vjet më parë, shumëkush pyeste në shkrimet përmbledhëse të fundvitit nëse viti 2016 ishte viti më i keq i të gjitha kohërave. Por, duket qartë se 2020-a ia ka shkuar.

Duhet kërkuar prapa në 1968-n për ta gjetur një vit të shënuar me po kaq shumë zhvillime sikurse në këtë të sivjetmin me kaos.

Megjithëkëtë, dymbëdhjetë muajt e kaluar kanë sjellë edhe lajme të mira.

Sidoqoftë, lajmet e mira kanë mbetur nën hije të lajmeve të zeza.

Fillimin e të mbrapshtës së këtij viti e paralajmëroi një zhvillim i funddhjetorit në Kinën e largët. Ai i shpërthimit të një koronavirusi të ri, që pas Wuhanit të Kinës do të buronte gjetkë.

Nuk do ta kursente as edhe një vend të vetëm. Për të mbërritur këtë dhjetor edhe në Antarktidën e akullt, me rrethana jo fort të favorshme për përhapjen e tij.

Dhe penetrimi i tij kudo, përveçse mori mbi 1.7 milionë jetë dhe sëmuri më shumë se 78.7 milionë njerëz kudo në botë, shkaktoi edhe një katrahurë të pashembullt rrugës.

Secili kontinent e secila familje e ndjenë thellë rrënimin e shkaktuar prej tij – me humbjen e vendeve të punës dhe izolimet, pafuqinë edhe vdekjet që nuk gjetën fund.

Në krejt këtë rrugëtim, çdo vend e ka rrëfimin e vet personal. Kina i tregoi muskujt autoritarë për frenimin e virusit. Brazili u plandos derisa presidenti e minimizonte pandeminë, njëjtë sikurse homologu i tij i vendit më të fuqishëm të botës, Donald Trumpi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, padyshim se përveç virusit 365 ditët e vitit në largim janë shënuar edhe me kaos të tjetër lloji e zhvillime të shumta drastike e të paparashikuara, që e japin sinjalin e atyre që do të mund ta shoqëronin edhe vitin e ardhshëm.

Përpjekja për shkarkimin e Trumpit

Image

Mbase në vitet pararendëse përpjekja për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, do ta zinte kryet e listës së zhvillimit të vitit. Madje, do të përbënte alamet lajmi.

Por, në vitin 2020, ia ka dalë që të jetë vetëm i fundit prej dhjetë zhvillimeve kryesore në një listë që ka hartuar në fund të dhjetorit Këshilli Evropian për Marrëdhënieve Ndërkombëtare, një prej organizatave të njohura për monitorimin e zhvillimeve më të mëdha politike anembanë botës.

Trumpi e nisi vitin si presidenti i tretë në histori shkarkimi i të cilit do të kërkohej nga Kongresi, duke iu bashkuar Andrew Johnsonit dhe Bill Clintonit.

Dhoma e Përfaqësuesve kishte kërkuar shkarkimin e Trumpit duke u bazuar në dy pika të akuzës së ngritur ndaj tij: abuzimit me pushtetin dhe pengimin e punës së Kongresit.

Në Senatin amerikan filloi procesi për shkarkimin e tij më 16 janar. Dhe, në fund, pavarësisht dëshmive të ofruara nga menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve, Senati refuzoi kërkesën dhe nuk i mori në pyetje dëshmitarët e mundshëm. Më 5 shkurt, Senati e nxori të pafajshëm Trumpin në të dyja pikat e akuzës.

Vendimi ishte kryekëput në baza partiake. Bazuar në nenin e parë të Kushtetutës amerikane, që merret me aspektin e keqpërdorimit të pushtetit, 48 senatorë votuan për dhe 52 kundër shkarkimit.

Të nesërmen Trumpi deklaroi fitoren e betejës, duke konsideruar se procesi kundër tij ishte ngritur nga “djalli” dhe demokratët që ishin “futur në rrathë viciozë si të ferrit”.

Dhe, pavarësisht këtij zhvillimi të rëndësishëm në historinë presidenciale amerikane, krahasuar me zhvillimet e pastajme në SHBA dhe gjetkë, përpjekja për shkarkim ka zënë vend në mesin e ngjarjeve të vitit.

Revolta ndaj diktatorit të fundit të Evropës

Protestat bjelloruse për zgjedhje të ndershme dhe të drejta rrokën dhe vazhdojnë ta rrokin vëmendjen e botës edhe tani. Është folur gjerë e gjatë viteve të fundit për rënien e demokracisë.

Bjellorusët duket se nuk e kishin kuptuar ende mesazhin. Më 9 gusht, presidenti Aleksandar Lukashenko, i njohur si “diktatori i fundit i Evropës”, pretendoi se kishte fituar tetëdhjetë për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të ish-Republikës sovjetike.

Kështu, ai pretendoi se mori mbështetjen legjitime për mandatin e gjashtë.

Dhe mijëra bjellorusë menjëherë dolën në rrugë duke protestuar kundër zgjedhjeve të kurdisura – dhe po vazhdojnë të protestojnë edhe në muajt e ftohtë të dimrit.

Lukashenko ia doli që t’ua ndalonte garën shumë kandidatëve të mundshëm në zgjedhjet e gushtit. Por, opozita ia doli të bashkohej rreth Svetlana Tikhanovskayas, burri i së cilës, një “Youtuber” i famshëm në vend, shihej si personi që mund ta sfidonte Lukashenkon derisa nuk e arrestoi.

Tikhanovskaya u largua nga vendi pas pretendimit të Lukashenkos për fitore. Autoritetet bjelloruse të sigurisë arrestuan më shumë se17 mijë qytetarë - shumë prej tyre u rrahën brutalisht.

Bashkimi Evropian i vuri sanksione si kundërpërgjigje ndaj dhunës, duke u bashkuar pastaj edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në thirrjen për zgjedhje të reja. Lukashenko ia doli t’u rezistonte demonstruesve duke përdorur forcat e mëdha të sigurisë dhe falë mbështetjes nga Rusia e Vladimir Putinit.

Megjithëkëtë, në fundvit janë shfaqur spekulime se forcat kanë nisur të përçahet lidhur me përmasat e dhunës në reagim. Nëse kjo qëndron, atëherë Bjellorusia do të jetë histori edhe më interesante më 2021.

Ngritje gjakrash ndërmjet SHBA-së e Iranit

Përshkallëzimi i përplasjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, është një tjetër ngjarje që shënoi vitin 2020. Gjakrat vazhdojnë të jenë të nxehura ndërmjet dy vendeve kaherë.

Më 3 janar, një dron amerikan e qëlloi për vdekje Qasem Soleimanin, liderin e forcave speciale ushtarake iraniane, të njohura si Qudsi, në kuadër të Gardës Revolucionare. Sulmi u krye menjëherë pas aterrimit të aeroplanit të tij në Bagdad.

Irani u hakmor gjatë dy muajve të pastajmë, duke qëlluar me raketa në drejtim të bazave amerikane në Irakun fqinj, duke plagosur shumë ushtarë amerikanë dhe duke vrarë dhjetëra irakianë.

Përplasjet shpërthyen përsëri në prill, kur anije të shpejta iraniane provokuan luftanijet amerikane në Gjirin Persik, duke e shtyrë Trumpin që të shkruante në llogarinë e tij në Twitter se kishte urdhëruar ushtrinë “të qëllonte në drejtim” të iranianëve nëse do t’i vazhdonin provokimet.

Irani kërcënoi se mund t’i shkatërrojë luftanijet amerikane.

Në kulmin e përplasjeve, Irani lansoi satelitin e parë ushtarak duke intensifikuar shqetësimet amerikane për kapacitetet e përmirësuara iraniane të lansimit të raketave me rreze të gjata veprimi.

Image

Megjithëse verës u duk se gjakrat paksa u ulën, SHBA-ja i vuri sanksione të reja Iranit si pjesë e “presionit maksimal”, duke i anashkaluar thirrjet evropiane për t’i zbutur sanksionet ekonomike në dritën e pandemisë së koronavirusit.

Gjakrat vluan përsëri në nëntor, kur kryeshkencëtari iranian i programit bërthamor u vra, me gjasë nga Izraeli. Teherani zyrtar u distancua edhe më shumë nga marrëveshja e vitit 2015 për frenimin e programit të saj atomik. Dhe ka shumë mundësi që Irani të tërhiqet krejtësisht nga marrëveshja në fillimin e vitit 2021.

(Mos)marrëveshjet e Trumpit në Lindjen e Mesme

Një fije shprese u shfaq në horizont në verë, në krejt shtetet e Lindjes së Mesme, kur Donald Trumpi bëri të ditur se ndërmjetësoi një ujdi me të cilën Emiratet e Bashkuara Arabe e njihnin Izraelin në këmbim të zotimeve të Izraelit për të hequr dorë së paku përkohësisht nga vazhdimi i aneksimit të Bregut Perëndimor.

Bahrejni kumtoi se i ishte bashkuar ujdisë. Katër ditë më vonë, Trumpi ishte nikoqir i ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë, i asaj çfarë njihet si Marrëveshja Abraham, dhe shprehu shpresën se marrëveshjet do të çonin drejt “paqes së vërtetë në Lindje të Mesme”.

Ani pse marrëveshjet u lartësuan, shumëkush vlerësoi se ato nuk mund të jenë të qëndrueshme gjatë, derisa të mos ketë paqe të përhershme ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve. Dhe diplomacia kishte koston e vet.

Dhe, sikurse në të gjitha ujditë diplomatike, vetëm koha do të dëshmojë nëse marrëveshjet ishin të drejta apo jo. Kjo fushatë e Trumpit në Lindje të Mesme u radhit në vendin e gjashtë të top-zhvillimeve të botës për sivjet.

Racizmi dhe vrasja e George Floydit

Image

Racizmi është mëkati i parë i Amerikës. Por, është një mëkat që shtrihet përtej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 25 maj, George Floyd, një amerikan me ngjyrë 46 vjeç, u arrestua në Minneapolis, pasi nuk e kishte paguar një gjobë prej 20 dollarësh amerikanë. Dhe, derisa po e arrestonin Floydin, njëri prej policëve ia kishte mbajtur gjurin në qafë për tetë minuta e pesëdhjetë sekonda, duke ia marrë jetën.

Vdekja e Floydit në duar të policëve, misioni i të cilëve është për “të shërbyer dhe mbrojtur”, erdhi pas një serie vrasjesh së qindra afro-amerikanëve, përfshirë Trayvon Martinin, Tamir Ricen dhe Breonna Traylorin.

Videoxhirimi i vdekjes së Floydit u bë viral dhe nxiti protesta në mbarë Shtetet e Bashkuara, duke u dhënë vrull demonstratave kundër racizmit sistematik. Por, protestat për drejtësi dhe barazi i kaluan kufijtë. Madje, edhe përtej Amerikës. Nga Parisi në Nairobi e Rio de Janeiro, qytetarët dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër vdekjes së Floydit dhe për t’i spikatur pabarazitë racore në vendet e tyre.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau shkroi se “racizmi është real. Është në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Kanada”. Por, e njëjta mund të thuhet për shumicën e vendeve të botës, përfshirë edhe ato si Kina dhe Irani, që u munduan ta paraqisnin vdekjen e Floydit si dëshmi të hipokrizisë amerikane kundrejt çështjes së të drejtave të njeriut.

Padrejtësia dhe pabarazia vazhdojnë të mbesin sfida botërore, vlerësohet në analizën e Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Bideni ringjall shpresën e normalitetit

Amerikanët si rrallëherë kanë treguar përkushtim të madh në zgjedhjet e sivjetme presidenciale. Dëshmia më e madhe është dalja masive para kutive të votimit: votuan më shumë se 159 milionë syresh. Kjo barabarësohet me 66.7 për qind dalje, shkalla më e lartë që nga viti 1900.

Më shumë se 100 milionë amerikanë votuan qysh para vetë ditës së zgjedhjeve, duke shkuar fizikisht te qendrat e votimit apo me postë. Ishte hera e parë në historinë zgjedhore amerikane që më shumë amerikanë votuan para ditës së zgjedhjeve se në ditën e tyre.

Votimi me postë e ai me dalje masive bënë që emri i fituesit të mos dihej deri më 7 nëntor, tri ditë pas datës së zgjedhjeve, kur u kumtua se Joe Biden i Partisë Demokrate fitoi betejën kundër republikanit Trump.

Por, Trumpi, sikurse pritej, sfidoi krejt sistemin kur kërkoi rinumërim pas ngritjes së akuzave për manipulim masiv të zgjedhjeve. Ama, asnjë nga sfidat e tij ligjore nuk u aprovuan në gjykata.

Më 14 dhjetor, Kolegji Zgjedhor e zgjodhi Bidenin president. Kjo përkon me shprehjen se megjithëse politika e jashtme nuk t’i fiton zgjedhjet, zgjedhjet presidenciale përcaktojnë politikën e jashtme.

Zhvillimet e jashtme sollën pak vota në presidencialet e 2020-s, megjithëse Bideni ofroi qasje ndryshe ndaj botës, krahasuar me Trumpin.

Mbetet të shihet nëse heqja dorë e Bidenit prej politikës së Trumpit “Amerika në rend të parë”, në favor të qasje multilaterale, do të prodhojë në vitin 2021 rezultate më të mira.

Një pyetje e hapur është ajo nëse refuzimi i Trumpit për ta pranuar humbjen do t’u japë zemër diktatorëve dhe autoritarëve.

Krejt këto zhvillime, të cilat nxitën botën mbarë t’i kthente sytë kah Amerika, bëjnë që zgjedhja e Bidenit të konsiderohet zhvillimi i dytë më i madh i vitit.

Dhe pandemia.....

Gjërat që mund të fillojnë avash mund ta përcaktojnë fatin e botës.

Image

Pak njerëzve u ra në sy lajmi, kur u kumtua në dhjetorin e vitit 2019, se Kina kishte nisur ta monitoronte shfaqjen e një virusi të ri, njëfarë pneumonie e re ose edhe kur më 11 janar Kina raportoi vdekjen e parë nga sëmundja.

Pothuajse një vit më vonë, COVID-19 ka ndryshuar jetën sikurse e di mirëfilli çdo njeri në rruzullin tokësor. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur në tetor se më shumë se dhjetë për qind e popullsisë së botës është infektuar me COVID-19; deri në fund të vitit, më shumë se 1.7 milionë njerëz kanë vdekur prej sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi.

Dhe, derisa shtetet zbatuan mbyllje ekonomike për t’ia prerë virusit këmbët, ekonomia botërore pësoi rënie të madhe – në shumë vende tkurrja shkoi deri në katër për qind – dhe fluturuan të dhënat e varfërisë.

Argumentet do të vazhdojnë për vite me radhë lidhur me atë pse u keqmenaxhua kriza, nëse do të ketë lidership politik bipartizan për t’u dhënë zgjidhje sfidave të përhershme qeveritare.

Viti u mbyll me lajmin e madh pozitiv derisa vaksinat u aprovuan në kohë rekorde.

Sfidë e madhe tani do të mbetet shpërndarja e tyre gjithandej dhe në mënyrë të barabartë, derisa bota po mundohet të bëjë punë të mirë për ta ndalur pandeminë e ardhshme.

Koronavirusi i ri nuk do të jetë i fundit i sojit të vet.