Botë

Viti i konflikteve

Kur po afrohet fundi i vitit, këto janë dhjetë ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2023

2023 ishte vit i përpjekjeve në skenën botërore, teksa forcat e mospajtimeve u shtuan ndjeshëm. Luftërat e vjetra vazhduan dhe shpërthyen të rejat. Konkurrenca gjeopolitike u ashpërsua deri në pikën sa shefat e shteteve zinin vend nëpër ballinat e mediave ndërkombëtare, ani pse shumë pak bëhej progres në takimet sy më sy. Thënë troç, lajme të mira kishte pak. Është bërë përzgjedhje prej 10 ngjarjeve botërore të vitit 2023. Shumë prej këtyre ngjarjeve do të vazhdojnë edhe në vitin 2024 ndoshta edhe përtej.

Recesioni i demokracisë

Recesioni global i demokracisë ka vazhduar. Optimistët kanë parashikuar valën e katërt të zgjerimit global të demokracisë. Ky parashikim dështoi për vitin 2023. “Freedom House” e nisi vitin duke kumtuar se viti 2022 ishte viti i shtatëmbëdhjetë me radhë në të cilin liria dhe demokracia globale u tkurrën. Si vërtetim i kësaj është vazhdimi i epidemisë së grusht shteteve në Afrikë. Në korrik ushtria e Nigerit rrëzoi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike. Shtetet fqinje kërcënuan se do të ndërhynin nëse grusht shteti nuk anulohej, por juntat ushtarake që drejtonin Malin dhe Burkina Fason kërcënuan me luftë. Qeveria e Indisë vazhdoi të përdorte ligjin dhe frikësimin për të heshtur kritikët, dhe shumë demokraci të tjera kufizuan lirinë e shprehjes. Vazhdoi tendenca e kandidatëve që pretendonin se do të humbnin zgjedhjet e tyre vetëm nëse votat do të manipuloheshin. Partitë e ekstremit të djathtë dolën mirë në të gjithë Evropën, duke ringjallur kujtimet se si u shembën demokracitë evropiane një shekull më parë. Donald Trump i quajti kundërshtarët e tij “parazitë”. Deklaroi se nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të ishte diktator “përveç ditës së parë”.

Gara për gjithësinë

Gara për gjithësinë është nxehur. Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë këshilla ishte: “Shkoni drejt Perëndimit”. Sot këshilla mund të jetë: “Shkoni në gjithësi”. Shtetet dhe kompanitë po bëjnë garë se kush të shkojë më përpara në gjithësi. Shtatëdhjetë e shtatë vende kanë agjenci hapësinore; gjashtëmbëdhjetë shtete mund të lëshojnë raketa në hapësirë. Hëna ka qenë me interes të veçantë. Përpjekja e Rusisë t’u nisur drejt Hënës përfundoi pa efekt në muajin gusht, kur raketa nuk mund të aterronte siç duhet në sipërfaqen e satelitit të Tokës. Ditë më vonë, India u bë vendi i katërt që zbarkoi mjet pa pilot në Hënë, dhe e para që e bëri këtë pranë rajonit polar jugor të hënës. Dy javë më vonë, India nisi misionin për të studiuar diellin. Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu programe ambicioze të Hënës, me NASA-në që synon të kthejë astronautët në Hënë deri në vitin 2025.

India vendi më i populluar në botë

Sivjet India kaloi Kinën si vendi më i populluar në botë. Për shekullin e kaluar, nëse jo më gjatë, Kina ka pasur popullsinë më të madhe në botë. Kjo përfundoi në vitin 2023. India tani është e para. Popullsia e saj vlerësohet të jetë 1.43 miliardë njerëz. India ka gjasa të mbetet vendi më i populluar për dekadat e ardhshme. Popullsia e Kinës po tkurret dhe po plaket. Demografët parashikojnë se popullsia kineze do të bjerë me 100 milionë njerëz deri në mesin e shekullit, ose më shumë se popullsia e të gjitha vendeve, përveç pesëmbëdhjetë vendeve në botë sot. Gjatë të njëjtës periudhë kohore, mosha mesatare e Kinës do të rritet nga tridhjetë e nëntë vjeç në pesëdhjetenjë. Popullsia e Indisë ndërkohë duhet të arrijë gati 1.7 miliardë nga mesi i shekullit me moshën mesatare me tridhjetenëntë vjet. Vendet me popullsi më të re dhe në rritje priren të kenë fuqi punëtore më të gjallë që konsumojnë më shumë dhe si rezultat gëzojnë ritme më të larta të rritjes ekonomike.

Azerbajxhani merr Nagorno-Karabakhun

Lëkundjet e rënies së Bashkimit Sovjetik vazhduan të ndihen tri dekada më vonë. Shtetet që dolën nga kolapsi sovjetik kishin kufij që shpesh nuk përputheshin me vendin ku jetonin grupet kombëtare - duke mbjellë farat për konflikt. Enklava Nagorno-Karabakh në Azerbajxhan, për shembull, ishte e populluar pothuajse tërësisht nga armenë etnikë të painteresuar për t'u qeverisur nga Bakuja. Në fund të vitit 1991, Nagorno-Karabaku shpalli Pavarësinë, duke shkaktuar luftë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kur luftimet përfunduan në 1994 me armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, Nagoro-Karabakh kishte fituar de fakto pavarësinë së bashku me një pjesë të territorit të Azerbajxhanit. Pavarësisht sulmeve të ndërprera ndërkufitare, armëpushimi zgjati deri në nisjen e luftimeve në shkallë të gjerë në shtator 2020. Pas gjashtë javësh, Rusia negocioi armëpushimin e ri. Ky armëpushim ia mundësoi Azerbajxhanit kontrollit e pjesës më të madhe të Nagorno-Karabakhut Tensionet mbetën të larta. Në shtator 2023, Azerbajxhani sulmoi përsëri. Brenda disa ditësh, ajo pushtoi territorin që nuk e kontrollonte tashmë dhe njoftoi se do të fillonte “riintegrimin” e enklavës. Brenda një jave, më shumë se njëqind mijë armenë, ose afërsisht 85 për qind e popullsisë së Nagorno-Karabakhut, ikën drejt Armenisë.

Lufta civile në Sudan

2023 supozohej të ishte viti kur Sudani do të bëhej demokraci. Në vend të kësaj, populli sudanez nisi luftë civile. Konflikti i kishte rrënjët në protestat që çuan ushtrinë e Sudanit në prill 2019 për të përmbysur diktatorin e gjatë të vendit Omar al-Bashir. Junta e re ushtarake arriti marrëveshje me grupet civile për të ndarë pushtetin dhe për të punuar drejt zgjedhjeve. Megjithatë, në tetor 2021, Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Mohamed Hamdan “Hemedti” Dagalo, kreu i forcave speciale, udhëhoqën një tjetër grusht shtet. Në dhjetor 2022, dy burrat iu dorëzuan presionit popullor dhe ranë dakord t’i prinin tranzicionit dyvjeçar drejt sundimit civil. Kjo marrëveshje i bëri Burhan dhe Hemedtin të barabartë dhe bëri thirrje që RSF të integrohej në SAF. As ajo marrëveshje dhe as martesa e favorit mes dy burrave nuk zgjatën. Më 15 prill 2023, forcat RSF sulmuan bazat e SAF në të gjithë vendin. Përpjekjet për të negociuar armëpushimin nuk shkuan mirë.

Inteligjenca artificiale

Inteligjenca shpërtheu në ndërgjegjen e publikut vitin e kaluar me lëshimin e ChatGPT. Në vitin 2023, teknologjia e bazuar në të ashtuquajturat modele të gjuhëve të mëdha jo vetëm që u përmirësua - versioni i fundit i ChatGPT thuhet se është dhjetë herë më i avancuar se paraardhësi i tij. Qeveritë, kompanitë dhe individët lëvizën shpejt për të shfrytëzuar potencialin e IA-së. Kjo shkaktoi debate të nxehta nëse IA-ja po nis epokën e re të krijimtarisë dhe prosperitetit njerëzor, apo po hap një kuti të Pandorës që do të prodhojë të ardhmen plot makth. Optimistët ishin të mendimit se IA-ja po bën zbulime shkencore me ritëm të paprecedentë në një sërë fushash, duke mundësuar dizajnimin e shpejtë të ilaçeve, zhbllokimin e mistereve mjekësore dhe zgjidhjen e problemeve matematikore në dukje të pazgjidhshme. Pesimistët paralajmëruan se teknologjia po zhvillohet më shpejt se aftësia e njerëzve për të vlerësuar dhe zbutur dëmin që mund të shkaktojë, qoftë kjo duke krijuar papunësi masive, duke forcuar pabarazitë ekzistuese shoqërore ose duke shkaktuar zhdukjen e njerëzimit.

Tensionet SHBA-Kinë

Me fillimin e vitit 2023, tensionet SHBA-Kinë dukej se po lehtësoheshin. Nëntorin që shkoi, Joe Bideni dhe Xi Jinping patën takim produktiv në margjinat e samitit të G-20 në Bali. Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte paralajmëruar vizitë në Pekin ishte vendosur të vizitonte Pekinin në shkurt për të diskutuar rreth kornizave në rivalitetin gjithnjë e më të tensionuar gjeopolitik mes dy vendeve. Mirëpo balona spiune e Kinës u shfaq mbi SHBA-në. Përshkoi pothuajse gjithë territorin amerikan. Dhe në fund u shpërthye nga aeroplanët luftarakë të SHBA-së. Pekini këmbëngulte se balona ishte kishte dalë jashtë kursit, pretendim të cilin e refuzoi SHBA-ja. Ky incident shtyri vizitën e paralajmëruar të Blinkenit në Pekin. Ai e realizoi vizitën shumë javë më vonë. Bideni dhe Jinping u takuan në nëntor në margjinat e Forumit të Liderëve 2023 në San Francisko. Bisedimet prodhuan disa marrëveshje të vogla por avancime të mëdha.

Kundërofensiva ukrainase

Shpresat ishin të mëdha në fillim të vitit 2023 se kundërofensiva ukrainase mund të thyente kontrollin e Rusisë në Ukrainën lindore dhe ndoshta Krimenë. Kundërofensiva e shumëpritur filloi në qershor. Pavarësisht se u shkaktuan humbje masive trupave ruse, vijat e betejës lëviznin ngadalë. Ushtria ruse kishte përdorur dimrin dhe pranverën për të përgatitur mbrojtjen e frikshme. Në fillim të nëntorit, gjenerali i forcave të Ukrainës i përshkroi luftimet si “ngërç” dhe pranoi se “me shumë gjasa nuk do të ketë avancim të thellë dhe të mirë”. Në të vërtetë, siç foli gjenerali, Rusia kishte fituar më shumë territor gjatë vitit sesa Ukraina. Bisedat diplomatike u kthyen shpejt në atë nëse Ukraina mund të mbante, e lëre më të fitonte luftën që dukej se favorizonte Rusinë duke pasur parasysh ekonominë dhe popullsinë e saj shumë më të madhe. Pavarësisht se pësoi humbje të tmerrshme, Rusia kishte dyfishin e numrit të trupave në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2023 në krahasim me fillimin e pushtimit dhe ekonomia ruse ishte në bazë lufte. Ndërkohë, “lodhja e Ukrainës” kishte filluar të shfaqej në Perëndim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, pasi ligjvënësit republikanë refuzuan t'i dërgonin Kievit më shumë ndihmë.

Lufta e pafund në Lindjen e Mesme

Lindja e Mesme dukej premtuese në fund të shtatorit 2023. Marrëveshjet e Abrahamit po thellonin lidhjet midis Izraelit dhe vendeve arabe. U shtuan spekulimet se Arabia Saudite së shpejti mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Armëpushimi në luftën e ashpër civile të Jemenit ishte duke vazhduar. Këto tendenca e shtynë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, të deklaronte se: “Rajoni i Lindjes së Mesme është më i qetë sot se sa ka qenë në dy dekadat e fundit”. Kjo ndryshoi vetëm tetë ditë më vonë, më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin. Rreth 1200 izraelitë u vranë, dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit. Rreth 240 persona u morën peng. Duke u zotuar për të zhdukur Hamasin, Izraeli filloi sulmet ajrore kundër Gazës dhe më pas pushtoi Gazën veriore. Një pauzë e negociuar në luftimet në fund të nëntorit siguroi lirimin e afërsisht njëqind pengjeve. Por luftimet rifilluan shpejt me trupat izraelite që avancuan në jug të Gazës.

Kriza klimatike

Ndryshimet klimatike nuk janë më kërcënim për të ardhmen. Është realiteti i ri i botës. 2023 është ndoshta viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Temperaturat globale nuk kanë qenë kaq të larta në 125 mijë vjetët e fundit dhe ato janë gati të kalojnë kufirin prej 2 gradë celsius të parashikuar në Marrëveshjen e Parisit të 2015-s. Sivjet ka pasur ngjarje ekstreme të motit në mbarë globin, duke filluar nga zjarret historike, thatësira ekstreme e deri te përmbytjet rekord. Optimistët vunë në dukje zhvillimet që mund t'i kthenin gjërat. Investimet totale në energjinë e pastër janë rritur. Kostoja e energjisë së erës dhe diellit vazhdon të bjerë dhe shumë emetues do të arrijnë kulmin e emetimeve në dekadat e ardhshme. Hidrogjeni po shpallet si burim i energjisë së pastër. Sipërmarrjet e para komerciale që synojnë thithjen e dyoksidit të karbonit nga atmosfera po bëhen funksionale, ndërkohë që shkencëtarët eksperimentojnë me “erozionin e përmirësuar të shkëmbinjve” që përdor minerale si bazalt për të thithur pasivisht dyoksidin e karbonit. Megjithatë, mbeten dyshime serioze se sa shpejt mund të zhvillohen teknologjitë të tilla, veçanërisht pasi prodhimi i karburanteve fosile dhe emetimet vazhdojnë të rriten.

Përktheu: Gent Mehmeti