“Gjendja e fëmijëve në Burkina Faso nuk po përmirësohet fare. Po përkeqësohet shpejt e shpejt. Andaj kjo gjendje përbën thirrje për partnerët tanë që të punojnë me ne për të përkrahur qeverinë për të siguruar parandalimin e rekrutimit dhe kur ne ia dalim ta parandalojmë, atëherë do të jemi këtu për fëmijët dhe për mbrojtjen e tyre”, ka thënë Sandra Lattouf, përfaqësuese e Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (Unicef) në Burkina Faso
Të zgjuar nga krismat e natës, banorët e Solhanit u tronditën kur panë se kush ishte në mesin e sulmuesve të rajonit të Burkina Fasos, Sahel: Fëmijët.
Rreth 160 persona mbetën të vrarë në qershor gjatë sulmit më të përgjakshëm prej se shteti i Afrikës Perëndimore ra në duar të luftëtarëve të lidhur me “Al-Qaedan” dhe “Shtetin Islamik”, pesë vjet më parë.
Dëshmitarët e Solhanit kanë thënë se panë fëmijë që po ndihmonin luftëtarët derisa po i kallnin shtëpitë, por nuk panë fëmijë që po qëllonin me armë në drejtim të qytetarëve.
Pesëfishohet numri i fëmijëve-ushtarë
Qeveria ka konfirmuar se fëmijët ishin të përfshirë në sulm.
Dhe derisa shkalla e dhunës po vazhdon që të rritet, po ngrihet edhe numri i të miturve që po rrokin armët dhe po bëhen pjesë e grupeve të ndryshme radikale islamike në vend.
Sandra Lattouf, përfaqësuese e Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (Unicef) në Burkina Faso, ka thënë se “të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë dhe fatkeqësisht Solhani, qyteti ku u krye sulmi, na e përkujton se fëmijët janë rekrutuar dhe po rekrutohen prej entiteteve joshtetërore”.
“Megjithëkëtë, tani për tani nuk kemi informacione të mjaftueshme të përmasave të rekrutimit për shkak se ende nuk janë dokumentuar mjaftueshëm”.
Numri i fëmijëve të rekrutuar nga grupet e armatosura në Burkina Faso është ngritur për pesëfish sivjet, krahasuar me vetëm katër raste të dokumentuara vjet, tregojnë të dhënat që i ka siguruar agjencia amerikane, “Associated Press”, e që janë hartuar ose dokumentuar nga organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe ekspertët e konfliktit.
“Si prindër jemi përnjëmend tepër të frikësuar. Fëmijët janë më të cenueshëm që të rekrutohen prej xhihadistëve, sepse nuk janë të vetëdijshëm mjaftueshëm për të vendosur drejt”, thekson Isma Heella, banor i Dorit dhe babai i një katërvjeçari.
Epiqendër e xhihadizmit

Grupet e ndihmës po shohin përherë e më shumë luftëtarë xhihadistë përgjatë postblloqeve në Sahel – rajon i trazuar që përshkon edhe Burkina Fason, por zgjatet përgjatë kontinentit afrikan në jug të Saharasë.
“Gjendja e fëmijëve në Burkina Faso nuk po përmirësohet fare. Po përkeqësohet shpejt e shpejt. Andaj kjo gjendje përbën thirrje për partnerët tanë që të punojnë me ne për të përkrahur qeverinë për të siguruar parandalimin e rekrutimit, dhe kur ne ia dalim ta parandalojmë, atëherë do të jemi këtu për fëmijët dhe për mbrojtjen e tyre”, ka thënë Lattouf.
Viteve të fundit, Saheli perëndimor është kthyer në epiqendër të dhunës xhhadiste.
Organizatat e shoqërisë civile kanë akuzuar edhe trupat ushtarake për kontribut problemit me abuzimet e kryera kundër civilëve të dyshuar si xhihadistë.
Mungesa e qasjes në shkollim, shërbime shëndetësore dhe elementare i kontribuojnë përkeqësimit të gjendjes dhe mundësisë që fëmijët të bien në duar të grupeve radikale.
“Ata fëmijë nuk kanë qasje në shkollim të mirë, kujdes minimal shëndetësor, dinjitet minimal. Andaj, ata janë caqe të cenueshme dhe lehtë të rekrutueshëm prej grupeve ekstremiste”, ka thënë Maimouna Ba, drejtuese e operacioneve për Gratë për Dinjitet të Sahelit, grupi që bën aktivitet në Dori.
“Ushtria gjithashtu kryen abuzime në sytë e tyre dhe këto aksione i kontribuojnë traumatizimit të tyre përjetësisht”, ka shtuar Ba.
Ushtria i ka këto dyshime, bashkë me akuzat që ishte e avashtë në reagimin ndaj sulmit në Solhan, por nuk ka ofruar ndonjë përgjigje të hollësishme.
Shteti kurrkund

“Shohim fëmijë të cilët janë të zemëruar, sepse e kuptojnë çfarë u ka ndodhur prindërve të tyre, të vrarë pa asnjë shpjegim, pa kurrfarë forme drejtësie”, ka theksuar Ba.
Dhe derisa fëmijët rriten, mund të zemërohen dhe të nisin të shtrojnë pyetje pse shteti nuk po u ndihmon atyre, ka shtuar ajo.
Së paku 14 djem po mbahen në kryeqytetin Ouagadougou të dyshuar për lidhje me grupe të armatosura militante, ka bërë të ditur zyra e prokurorit publik të Burkina Fasos në gjykatën lokale.
Efektet e konfliktit tek fëmijët – përfshirë rekrutimin e tyre si ushtarë, por edhe sulmet ndaj shkollave dhe vetë fëmijëve – janë kthyer në shqetësim që sivjet Burkina Faso është shtuar për herë të parë në raportin e përvitshëm të OKB-së për Fëmijët dhe Konfliktin e Armatosur.
“Disa fëmijë shumë të cenueshëm. Shumë aksione që autoritetet duhet t’i kryejnë në terren për të ndihmuar fëmijët nuk po kryhen fare”, ka thënë Ba.
“Ne shohim në terren fëmijë që janë të uritur, që nuk kanë qasje në shkollim. Andaj këta fëmijë janë tepër të cenueshëm dhe ka ardhur koha që përnjëmend të veprohet”, për të mos lejuar që këta të mitur të bien në duar të grupeve militante islamike në shtetin e zhytur në konflikt dhe kaos në Afrikë”, ka thënë ajo.
Ndikimi i varfërisë
Gjatë një udhëtimi në Dori, qytet në rajonin ku më shumë se 1.200 persona janë arratisur pas sulmit në Solhan, AP-ja ka folur me tetë të mbijetuar, pesë prej të cilëve kanë thënë se as nuk kishin dëgjuar e as parë ndonjë fëmijë që kishte marrë pjesë në aksione luftarake.
Ushtria e patrajnuar dhe e papajisur mirë e Burkina Fasos po ka telashe që të ndalë dhunën, e cila marrë jetën e mijëra personave dhe 1.3 milionë tjerë ka zhvendosur nga shtëpitë pas nisjes së sulmeve.
“Shumica e sulmuesve në Solhan ishin ta zëmë fëmijë ndërmjet moshës 12 dhe 14-vjeçare. Kjo është informata që e kishim ne gjatë kohës së sulmit, se gratë gjithashtu kishin luajtur rol për koncesione ose për caqe”, ka thënë Qusseni Tamboura, zëdhënës i Qeverisë.
Ekspertët e rekrutimit të fëmijëve thonë se varfëria e mjerimi i skajshëm ka shtyrë disa fëmijë të radhiten në radhët e grupeve të armatosura.
Pafuqia e prindërve

Gjendja e përkeqësuar e sigurisë po nxit pakënaqësi e trazira gjithandej vendit. Protestat po mbahen me kërkesat për më shumë aksione konkrete të qeverisë.
Si kundërpërgjigje, presidenti Roch Marc Christian Kabore ka shkarkuar ministrat e tij të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, duke ngarkuar veten edhe me detyrën e ministrit të Mbrojtjes.
Qeveria ende nuk ka nënshkruar një marrëveshje me misionin e Kombeve të Bashkuara që do t’i ndihmonte për trajtimin e fëmijëve si viktima e jo si militantë, duke i liruar ata nga burgjet me qëllim që të vendosen në qendra ku do të mund t’u ofrohej ndihma psikologjike.
Parandalimi i rekrutimit të mëtejshëm njëherësh do të ishte luftim i mjerimit ekonomik dhe krejt kjo kërkon edhe përfshirje të fëmijëve që kanë lënë shkollimin dhe kthimin e tyre në bankat shkollore.
Tani për tani, shumë prindër, tashmë të përballur me sfidën për t’u siguruar ushqim, veshmbathje dhe shkollim fëmijëve të tyre, ndihen të pafuqishëm për t’i mbrojtur.
Përktheu: Rexhep Maloku