Inflacioni në SHBA u rrit në nivel të ri rekord në katër dekadat e fundit, duke i tkurrur buxhetet e familjeve me çmime shumë të larta për gazin, ushqimin dhe qiranë
Blueberry bison tamales, sallatë me zarzavate të llojeve të ndryshme, supë kremoze me oriz e karota, gjeldeti i pjekur me kunguj. Ky vakt vendas i Amerikës, i kombinuar nga ushqimet tradicionale të fiseve anembanë Shteteve të Bashkuara dhe i përgatitur me “Ketapanen” – shprehje për dashurinë nga menominee – i ka kushtuar hotelieres Jessica Pamonicutt 976 dollarë për ta ushqyer një grup prej 50 personash nëntorin e kaluar.
Sot i kushton gati dyfish më shumë.
Pamonicutt është shefja ekzekutive e biznesit të hotelerisë me bazë në Çikago, Ketapanen Kitchen. Ajo është qytetare e fisit indian menominee të Wisconsinit, mirëpo është rritur në qytetin Windy, shtëpia e një prej popullsive më të mëdha vendase në vend, sipas Qendrës Indianë Amerikane të Çikagos.
Promovimi i traditës indigjene
Biznesi i saj synon të ofrojë ushqime të mira për shëndetin, me përbërës indigjenë për komunitetin vendas të Çikagos dhe t’i edukojë njerëzit rreth kontributeve indigjene në ushqimet e përditshme amerikane.
Një ditë, ajo synon t’i blejë të gjithë përbërësit nga furnizuesit vendas dhe t’i sigurojë komunitetit qasje të përballueshme në ushqimet e shëndetshme indigjene, “mirëpo, krejt kjo puna e inflacionit e ka ngadalësuar procesin”, është shprehur ajo.
Inflacioni në SHBA u rrit në nivel të rekord, duke i tkurrur buxhetet e familjeve me çmime shumë të larta për gazin, ushqimin dhe qiranë.
Ushqimet tradicionale indigjene – si orizi i egër, perimet dhe frutat e freskëta në Midwest – janë shpesh të padisponueshme ose shumë të shtrenjta për familjet vendase në zonat urbane si Çikago, dhe rritja e fundit e inflacionit ka bërë që këto ushqime të bëhen edhe më të papërballueshme.
Rreziku i sëmundjeve shkakton problem – kurse ushqimi i shëndetshëm është çelësi për ta luftuar diabetin, i cili prek amerikanët vendas në shkallën më të lartë të çdo grupi etnik në Shtetet e Bashkuara.
“Ka shumë përfitime nga të ngrënit e ushqimeve tradicionale vendase”, ka theksuar Jessica Thurin, dietologe në Klinikën e Komunitetit Amerikan në Minneapolis. “Trupi e di saktësisht se si ta përpunojë dhe ta përdorë atë ushqim. Këto ushqime janë natyrale nga toka”.
Mundësi të kufizuara
Mirëpo, shumë njerëz ku shërben klinika janë me të ardhura të ulëta dhe nuk e kanë luksin të zgjedhin se nga vjen ushqimi i tyre.
“Në këto situata, ka mundësi të kufizuara ushqimore të shëndetshme, për të mos përmendur opsionet e kufizuara të ushqimit tradicional”, ka theksuar Thurin.
Përveç përfitimeve shëndetësore, ushqimet tradicionale kanë vlera të rëndësishme kulturore dhe emocionale.
“Është thjesht rehati”, është shprehur Danielle Lucas, pasardhëse 39-vjeçare Sincangu Lakota nga fisi rosebud sioux në Dakotën e Jugut.
Nëna e Lucasit, Evelyn Red Lodge, ka thënë se nuk ka përgatitur receta tradicionale të Rrafshnaltës së Madhe, si salca e manave wojapi, që nga maji, ngaqë çmimet e përbërësve kryesorë – manaferrat dhe mishi – janë rritur shumë.
Pamonicutt po ashtu po i ndien vështirësitë. Midis dimrit të kaluar dhe kësaj pranvere, çmimi i bizonit u rrit nga 13.99 dollarë në 23.99 për sterlina.
Kostot e transportit janë aq të larta sa shefja e kuzhinës tha se shpesh është më e lirë të kalosh qindra kilometra për të blerë përbërës, edhe me çmime të larta të gazit. Madje asaj i është dashur të krijojë rrjetin e saj: prindërit e 45-vjeçares tani po rritin të korra për biznesin e saj në pronën e tyre në Wisconsin pranë kufirit të Illinoisit.

Ndikimi i urbanizimit
Gina Roxas, koordinatore e programit në Qendrën Kulturore Trickster në Schaumburg, Illinois, një periferi e Çikagos, ka rënë gjithashtu dakord të kultivojë ushqime vendase për ta ndihmuar kuzhinieren të minimizojë kostot.
Kur një qese me oriz të egër kushton 20 dollarë, “përfundon duke shkuar në një vend të ushqimit të shpejtë për ta ushqyer familjen”, ka theksuar Roxas.
Më shumë se 70% e amerikanëve vendas banojnë në zonat urbane – rezultat i politikave federale të dekadave që i shtyjnë familjet t’i lënë rezervuarët dhe të asimilohen në shoqërinë amerikane.
Dorene Wiese, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Amerikane Indiane të Illinoisit, me bazë në Çikago, ka treguar se anëtarët e komunitetit të saj duhet t'i japin përparësi pagesës së qirasë në vend të konsumimit të ushqimeve të shëndetshme dhe tradicionale.
Edhe pse kuzhinierët e specializuar, si Pamonicutt, synojnë të ushqejnë komunitetet e tyre, kostoja e shërbimit të saj të hotelerisë premium është jashtë gamës së çmimeve për shumë vendas urbanë. Vaktet e saj përfundojnë duke ushqyer shumicën e audiencës jovendase në muze ose ngjarje kulturore që mund ta paguajnë faturën, ka bërë të ditur Wiese, qytetare e grupit të Minesotës White Earth të Indianëve Ojibwe.
Dana Thompson, bashkëpronare e kompanisë The Sioux Chef dhe drejtoreshë ekzekutive e një organizate jofitimprurëse ushqimore të Minneapolis, është një tjetër biznesmene vendase që përpiqet ta zgjerojë qasjen e komunitetit të saj urban në ushqimet tradicionale lokale si peshku i liqenit, orizi i egër dhe zarzavate të egra në mes të rritjes së çmimit të ushqimit.
Çmime astronomike
Thompson, nga njerëzit e Sisseton Wahpeton Oyate dhe Mdewakanton Dakota, tha se inflacioni “po ndikon vërtet në sistemet ushqimore që kemi këtu”, të cilat përfshijnë dhjetëra prodhues indigjenë, lokalë dhe organikë të ushqimit.
Inflacioni po pengon në mënyrë të ngjashme përpjekjet e Qendrës Indiane Amerikane të Çikagos për ta përmirësuar sigurinë ushqimore. Drejtori Ekzekutiv, Melodi Serna, i grupit Turtle Mountain të Indianëve Chippewa dhe Kombit Oneida të Wisconsinit, ka shpjeguar se çmimet aktuale të pakove ushqimore që ata shpërndajnë – me ushqime tradicionale si peshku, mish dreri, produktet e qumështit dhe prodhimet – janë “astronomike”.
“Atëherë kur isha në gjendje t’i siguroja ndoshta 100 kuti, tani jemi në gjendje t’i ofrojmë vetëm 50 sosh”, ka bërë të ditur Serna.
Për 57-vjeçaren Emmie King, banore e Çikagos dhe qytetare e popullsisë navajo, marrja e përbërësve të freskët me të cilët u rrit në Nju Meksiko është shumë më e vështirë në qytet, veçanërisht me inflacionin që ka prekur buxhetin e saj.
Ajo gjen mënyra për ta kursyer ushqimin që e blen, në mënyrë që të zgjasë më shumë, duke blerë mish me shumicë dhe duke e ngrirë në pjesë të vogla për ta shtuar në gatime më vonë. “Marr atë që kam nevojë, në vend të asaj që dua”, tha ajo.
Përktheu: Blerta Haxhiu