Botë

Ukrainasit që s’i binden urdhrit për evakuim, me gjithë rrezikun

Urdhri i 10 gushtit për evakuim vlen për 37 vendbanimet që ushtarët rusë i pushtuan në fillim të luftës 18-mujore. Kundërofensiva ukrainase i çliroi ato në shtator, duke ua krijuar ndjesinë e çlirimit banorëve. E tek u pretendua se rusët mund të provojnë ta rimarrin rajonin, administrata ushtarake e rrethit të Kupianskut i urdhëroi rreth 12 mijë banorët që të kërkonin siguri gjetkë. Por, vetëm pak qindra syresh e morën parasysh paralajmërimin

Bubullima e shkrepjes së mortajave jehon në distancë teksa pesëvjeçari David i afrohet të ëmës me një kërkesë të pafajshme: A mund të luajë me një shkop bejsbolli që ia bëri dhuratë një i afërm?

Valeria Pototska i rrotullon sytë dhe i thotë “jo” të birit për të satën herë. Është lodër për fëmijët e mëdhenj, e qorton ajo. Djali, së cilit nuk i trembet fort syri kur armët shkrepin edhe një tjetër rafal jo shumë larg qytetit të tyre në verilindje të Ukrainës, e shfryen mospajtimin për përgjigjen dhe e pedalin më tutje biçikletën e tij.

Fëmijët e tjerë të lagjes luajnë në sheshin e lojërave në Kupiansk-Vuzlovyi, në dukje të imunizuar nga lufta që po shpaloset rreth 10 kilometra larg tyre. Autoritetet ukrainase e lëshuan këtë muaj urdhrin e detyrueshëm për evakuimin e fshatit dhe dhjetëra zonave të tjera të populluara, teksa lufta u rikthye në krahinën e Kharkivit. Deri më tani shumica e banorëve refuzuar të largohen ani se beteja po i afrohet përherë e më shumë sheshit të tyre të lojërave.

“Është normale”, thotë Pototska për jehonën e armëve që është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Olena Kanivets, shoqja që i qëndron afër, tund kokën në miratim dhe thith cigare.

“Janë të fortët që e morën vendimin për largim”, ndërhyn Kanivetsi.

Vend i pasigurt

Urdhri i 10 gushtit për evakuimit vlen për 37 vendbanimet që ushtarët rusë i pushtuan në fillim të luftës 18-mujore. Kundërofensiva ukrainase i çliroi ato në shtator, duke ua krijuar ndjesinë e çlirimit banorëve.

Tek pretenduan se rusët mund të provojnë ta rimarrin rajonin, administrata ushtarake e rrethit të Kupianskut i urdhëroi rreth 12 mijë banorët që të kërkonin siguri gjetkë.

Vetëm pak qindra syresh e morën parasysh paralajmërimin. Mes mijëra atyre që nuk e morën, disa janë të paralizuar nga detyra e frikshme e zhvendosjes. Të tjerët thonë se i kishin shqyrtuar telashet e zhvendosjes dhe kanë vendosur t’u bëjnë ballë armiqësive. Shumë syresh nënshkruan dokumente që theksonin se kanë zgjedhur qëndrimin me gjithë rrezikun.

Arsyet e tyre ndryshojnë nga ekzistencialja te rutina: frika nga përballja me varfërinë dhe me vetminë në qytetet e largëta e të kushtueshme. Ngurrimi për t’i braktisur shtëpitë në të cilat i investuan kursimet e gjithë jetës për një strehë të stërmbushur me njerëz. Nevojën për më shumë kohë për të rregulluar kopshtin ose për t'u kujdesur për bagëtinë.

Qyteti i Kupianskut, i cili ishte pushtuar njashtu nga rusët për më shumë se gjashtë muaj vitin e shkuar, tani është nën urdhrin e pjesshëm të evakuimit.

Katarina Chesta, një administratore shkolle, thotë se planifikon të qëndrojë edhe nëse urdhri zgjerohet në gjithë qytetin, ngase është e lodhur nga ikja prej luftës.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën lindore më 2014, Chesta pati ikur nga qyteti port i Mariupolit të sulmuar dhe përfundoi në Kupiansk, ku jetonin prindërit e saj. 39-vjeçarja refuzon të ngarkojë valixhen e të ikën sërish.

Sulmet ajrore ruse shpesh e shënjestrojnë Kupianskun dhe e goditën objektin kryesor të shkollës së qytetit në tetor dhe në dhjetor, kështu që Chesta po e përgatit një CV online për vitin e ri akademik.

“Mbase ka të bëjë me natyrën se si jam”, thotë ajo, e ulur në zyrën e saj, e veshur me një fustan të bardhë e me flokë të stiluar në mënyrë elegante. “Disa njerëz duhet të qëndrojnë këtu që të jenë patriotët e qytetit, ta zhvillojnë, të mbijetojë”.

Kharkivi, që kufizohet me Rusinë, u shndërrua sërish në pikë të nxehtë lufte në meskorrik. Asokohe ushtria ruse nisi të grumbullonte trupa, njësite tankesh dhe burime të tjera në drejtim të Kupianskut, në shpresë që t‘u ushtrojë presion trupave ukrainase që luftonin më tutje në jug dhe ta rimerrte territorin e fituar nga Ukraina, tregojnë zyrtarët ushtarakë ukrainas.

Ata thanë se forcat e tyre i penguan rusët në avancim, porse ka luftime intensive në periferi të Synkivkas, një fshat ky rreth 14 kilometra larg Kupianskus.

Image
Katarina Chesta e hap derën e zyrës së saj të punës në Kupiansk

Përballja me rreziqet

Në ilustrimin e rreziqeve për popullsinë lokale, ata thanë se njësitet ruse e bombarduan infrastrukturën civile dhe shtëpitë në kërkimin për ushtarët ukrainas, luftimet e të cilëve u përqendruan në male dhe në zona bujqësore. Granatimet pothuajse të vazhdueshme lënë të vrarë nga disa banorë në javë, sipas administratës ushtarake të Kupianskut.

Të evakuarit dërgohen në një strehimore në Kharkiv. Aty, vullnetarë të Kryqit të Kuq thonë se numri i atyre që kërkojnë strehim është rritur në vendet që u përballën me bombardime më intensive, porse shumica e banorëve vazhdojnë të qëndrojnë.

“Deri në momentin kur granatimet godasin në afërsi, njerëzit refuzojnë të largohen”, tregon vullnetari, Volodymyr Fedulenko.

Për 70-vjeçarin Oleksandr Ivanovich, ai moment mbërriti kur një predhë ia goditi shtëpinë në fshatin Hryshivka dhe ia copëtoi çatinë. Në atë moment, ai po e pastronte oborrin.

“Çfarë të them, është shumë e dhimbshme ta braktisësh shtëpinë”, thotë Ivanovich.

Tatiyana Shapavalova (59), që jeton dy shtëpi më tutje, hipi në furgonin e evakuimit bashkë me fqinjin e saj. Ajo mendonte se pjesa e tyre e Ukrainës do të mbetej relativisht e qetë pasi rusët u larguan nga pjesa më e madhe e Kharkiv vitin e shkuar, por sulmi artilerik i 13 gushtit dëshmoi se e pati gabim.

“Shpresonim se ushtria ukrainase do t'i shtynte tutje rusët, por përditë dëgjojmë se si afrohen përherë e më shumë”, thotë ajo.

E Liudmyla Yermyichuk, banore e fshatit Kivsharivka, kërkoi të evakuohej bashkë me nënën e saj 84-vjeçare. Motra e saj vendosi të qëndronte.

“Planifikojnë ta pastrojnë kopshtin dhe mbase më pas do të shkojnë në Kharkiv”, tregoi ajo nga baza e Kryqit të Kuq në Kupiansk.

Në fshatrat më afër vijës së frontit, banorët i thanë vullnetarit Fedulenko se nuk duan t’i braktisin kafshët e tyre të fermës. E kaluan pjesën më të madhe të kohës në strehimoret e bodrumeve poshtë shtëpive të rrafshuara, tha ai.

“Më duhet t'u them: ‘Jeta juaj është më e rëndësishme se pulat tuaja’”, tregon Fedulenko.

Në Kupyansk-Vuzlovyi lufta e gjatë e krijoi një mjedis që e ndërthur të qetën me vdekjen. Jehona e zjarrit artilerik në mënyrë sporadike e trazon shushurimën e gjetheve të rrahura nga puhiza e fundverës. Punonjësit e bashkisë i kositin me kujdes lëndinat buzë objekteve të bombarduara të shkollave.

Banorët që jetuan nën okupim për një gjysmë viti treguan për përvoja tmerruese.

“Rusët vepruan si mbretër”, tha Pototska. Shumica thanë se do të evakuoheshin po qe se kthimi i trupave ruse do të bëhet i pashmangshëm, porse deri atëherë i mbaheshin shpresës se forcat ukrainase do t'i mposhtin ata.

Kanivetsi, shoqja e Pototskas, e dërgoi të birin e saj 12 vjeç, Yaroslavin, në një kamp 10-ditor veror në Ukrainën perëndimore për t’i krijuar një pauzë nga bombardimet. Lufta e shtrëngoi atë që të rritet shumë shpejt, por “ai ka miq këtu, kjo është shtëpia e tij, andaj mendoj se është më mirë të qëndrojë”, thotë ajo. “Ai nuk ka frikë”.

“Është burrë plak”, tha ajo me dashuri për të birin.

Katër muaj më parë, i biri Dmytro, 14 vjeç, e luti Nataliia Rosolovan të largoheshin pas një nate me granatime të rënda. “Duhet të qëndrojmë edhe për pak kohë”, i tha ajo.

Rosolova (38) e rikujtoi bisedën tek një alarm paralajmërues sulmi ajror ra në lagjen e tyre. Ajo shpjegoi se punon si mjeke dhe se “shumë pak prej nesh kanë mbetur”. Tek po fliste, lodrat e djalit të saj më të vogël janë të shpërndara në një kuti rëre në kopsht. Beh jehona e një predhe që bie diku gjetkë.

Nëse vjen koha që familja të ikë, çantat e anëtarëve janë të paketuara dhe gati për t'u marrë nga dhoma e gjumit e Dmytros.

“Mbase nuk jam aq sa duhet e fortë që të marr vendime kaq të vështira”, thotë e ëma, tek i rrjedhin lotët. “Por, nuk jam armik i fëmijëve të mi. Nëse do të shfaqet nevojë për të ikur, do të ikim”.

Përktheu: Blerta Haxhiu