Që nga fillimi i vitit, burra të mirënjohur nga fusha të ndryshme të jetës në Francë janë akuzuar për abuzime seksuale dhe janë vënë nën hetime
Kur Sandra Mueller e kishte nisur fushatën #MeToo të Francës gjatë vitit 2017, mijëra gra iu përgjigjen thirrjes së saj për “ekspozimin e derrit tuaj” ose në frëngjisht “#balancetonporc”. Por reagimi qe dërrmues.
Disa prej grave më me emër në Francë, me bajraktaren Catherine Deneuve, denoncuan lëvizjen nëpërmjet një letre që përcaktoi reagimin fillestar të Francës ndaj #MeToo. Në vitin 2019, Muller humbi procesin gjyqësor për shpifje kundër shefit të një televizioni, të cilin ajo e kishte denoncuar në Twitter. Ama, Franca dukej se ishte imune ndaj forcave të mëdha globale që po sfidonin dominimin e burrave.
Javën e kaluar, Mulleri e fitoi procesin e apelit. Ani pse nuk kishte fakte të reja, vendimi i Gjykatës së Apelit bëri me dije se si gjërat kanë ndryshuar në dy vjetët e fundit.
“Para vendimit, mendova se do të kishte reagime”, ka thënë Muller në një intervistë telefonike nga New Yorku për gazetën “The New York Times”. Tani jeton atje. “Ka përshtypjen se tani kemi bërë një hap përpara”.
Që prej fillimit të vitit, një grumbull burrash të fuqishëm nga fusha të njohura të Francës – politikës, sportit, mediave, akademisë dhe arteve – u përballën me akuza të drejtpërdrejta dhe publike për abuzime seksuale. Ishte krejt e kundërta e atyre viteve të heshtjes.
Në të njëjtën kohë, të ballafaquar me këto çështje të profilit të lartë dhe ndryshim të opinionit publik, ligjvënësit francezë po nxitojnë që të përcaktojnë moshën 15-vjeçare si kohë e pëlqimit seksual – fiks tre vjet pasi të njëjtit refuzonin një ligj të tillë.

Reagimi i vonshëm
Akuzat e fundit jo vetëm që kanë nxitur hetimet zyrtare, humbjen e pozitave për disa burra të fuqishëm, por edhe dëbimin e drejtpërdrejtë nga jeta publike e disa të tjerëve. Këto akuza kanë nxitur një rimendim të mashkullorësisë dhe arketipit të francezëve si joshës të parezistueshëm – si pjesë e dyshimeve të gjera të aspekteve të shoqërisë franceze në pikun e reagimit konservator ndaj ideve mbi gjininë, racën, postkolonializimin që, sipas tyre, janë importuar nga universitetet amerikane.
“Gjërat po lëvizin aq shpejt sa më merren mendtë”, ka thënë për “NYT” Caroline De Haas, feministe që në vitin 2018 nisi lëvizjen “#NousToutes”, kundër dhunës seksuale. E cilëson veten si shumë optimiste.
Haas thotë se Franca po kalonte nëpër një reagim të vonuar ndaj #MeToo pas një periudhe të “maturimit”, gjatë së cilës shumë francezë filluan të kuptonin dimensionet sociale prapa dhunës seksuale dhe konceptit të pëlqimit seksual.
Kjo ishte e tillë sidomos, vlerëson Haas, pas dëshmisë së Adèle Haenel, aktores së profilit të lartë që rrëfeu për abuzimin dhe Vanessa Springora, kujtimet e së cilës në librin “Consent” dokumentuan abuzimin e saj nga shkrimtari pedofil Gabriel Matzneff.
“Fillimi i vitit 2021 ka qenë njëfarë pastronditje”, thotë Haas. “E qartë është se sot në Francë ne nuk kemi reagimin e njëjtë siç e kishim para katër apo pesë vjetësh kur dëshmohej për dhunën seksuale ndaj personaliteteve”.
Gjatë muajit që iku, Pierre Ménès, një prej gazetarëve më të njohur të sportit në Francë, u pezullua nga puna për kohë të pacaktuar kur u publikua dokumentari “I’m Not a Slut, I’m a Journalist”, që shpërfaqte seksizmin në gazetarinë sportive, ka shkruar gazeta amerikane.
Para vetëm pak vitesh, pakkush guxonte ta kritikonte për sjelljen që tani nuk guxojnë ta mbrojnë në publik, përfshirë puthjen me forcë të grave në televizion dhe kur ia ngriti përpjetë mini-fundin gazetares Marie Portolano – producentes së dokumentarit.
“Bota ka ndryshuar, është #MeToo, nuk mund të shpëtoni, nuk mund të thoni asgjë”, tha Ménès në një intervistë televizive pas publikimit të dokumentarit. Ka thënë se nuk mbante mend incidentin me fund të gazetares, duke shtuar se nuk ishte vetja për shkak të një sëmundjeje fizike.
Lista e gjatë
Lista e burrave të fuqishëm po shkon duke u zgjatur. Në këtë listë është edhe Patrick Poivre d’Arvor, prezantuesi më i famshëm i lajmeve. Ai po hetohet për akuzat e përdhunimit të një gruaje, ndërkaq mbrojti veten në televizion duke thënë se i përkiste një brezi për të cilin “joshja ishte e rëndësishme” dhe përfshinte edhe “puthjet në qafë”. Ka mohuar akuzat për përdhunim.
Aty është edhe Georges Tron, ish-ministër qeverie që në vitin 2018 u lirua nga akuzat e përdhunimit të punëtores, por u dënua me pesë vjet burgim në muajin shkurt me një vendim të Gjykatës së Apelit, që sipas gazetës “Le Monde” pasqyronte faktin se të kuptuarit e shoqërisë rreth pëlqimit seksual pa dyshim se ka ndryshuar”.
Lista zgjerohet edhe me emrin e Gerard Depardieu, yllit më të madh të filmit në Francë dhe Gerald Darmanin, ministrit të fuqishëm të punëve të brendshme. Të dy janë nën hetime në raste të rihapura gjatë vitit që shkoi. Të dy kanë thënë se janë të pafajshëm.

Olivier Duhamel, intelektual i shquar dhe Richard Berry, aktor i famshëm, së fundmi janë nën hetime pas akuzave për incest nga anëtarët e familjeve. Berry ka mohuar akuzat, ndërsa Duhamel nuk ka komentuar akuzat.
Claude Lévêque, artist me famë ndërkombëtare, gjithashtu është nën hetim për dyshimet se ka përdhunuar të mitur. Akuza u bë publike në muajin janar nga njëra prej viktimave. Artisti ka mohuar akuzat.
Dominique Boutonnat, producent filmi të cilin presidenti Emmanuel Macron e emëroi kryetar të Qendrës Kombëtare të Kinemasë gjatë vitit të kaluar, është nën hetime me akuzat për përdhunim në tentativë dhe sulm seksual ndaj kumbarës. Edhe ky ka thënë se është i pafajshëm.
“Kjo valë e fundit në Francë është reagim i vonuar ndaj aferës Matzneff”, thotë Francis Szpiner, avokat i Mullerit. Pretendon se rrëzimi i shkrimtarit pedofil dhe Duhamelit nxiti njerëzit që të kuptonin se burrat e fuqishëm në Francë nuk ishin ‘të paprekshëm’.
Në vitin 2017, menjëherë pas akuzave #MeToo, që përfshinin producentin e Hollywoodit, Harvey Weinstein, Muller, gazetare, e filloi #balancetonporc në Francë. Në një postim në Twitter, ajo rrëfeu se si gjatë festivalit televiziv të Cannes, një ekzekutiv i tha asaj: “Keni gjoks të madh. Jeni tipi im i femrës. Do të të bëj orgazëm gjithë natën”.
Ekzekutivi, Eric Brion nuk mohoi t’i ketë bërë komentet e tilla, ka shkruar “New York Times”. Por për shkak se dyshja nuk punoi bashkë, Brion guxoi të thoshte se komentet nuk ishin ngacmime seksuale dhe ngriti padi për shpifje ndaj Mullerit. Në vendimin e vitit 2019, Gjykata urdhëroi Mullerin që të paguante 15 mijë euro në dëme. Ky vendim u rrëzua gjatë javës së kaluar.
Kthimi i vendimeve
Në vitin 2019, gjykata deklaroi se Mulleri kishte tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes dhe se komentet e saj ishin sulm personal. Kësaj here, gjykata gjeti se Mulleri veproi me mirëbesim, duke shtuar se “lëvizjet #balancetonporc dhe #MeToo kanë tërhequr vëmendje të madhe dhe se janë përshëndetur nga personalitete të ndryshëm dhe mundësuan që gratë të flisnin lirshëm.”
Camille Froidevaux-Metterie, filozofe feministe, thotë se ishte domethënëse se burrat që tani janë nën hetime ishin liderë në shumë fusha. Zbulimet për ata kanë minuar mitet e francezëve si joshës të mëdhenj dhe të një kulture të rafinuar romantike, ku “ne, francezët, në bashkëveprimin tonë të joshjes, dimë të interpretojmë shenjat joverbale dhe kemi këtë art joshjeje, një tregti të butë midis gjinive”, thotë ajo.
“Këta janë burra që mishërojnë, në një farë mënyre rendin e vjetër patriarkal - të burrave me pushtet dhe burrave që kanë përdorur dhe abuzuar me fuqinë e tyre për të shfrytëzuar seksualisht trupat e të tjerëve, qofshin gra apo burra të rinj”, thotë Froidevaux-Metterie, duke shtuar se “ndoshta jemi duke përjetuar goditjen e parë të vërtetë në atë sistem”.
Disa intelektualë konservatorë e cilësojnë listën gjithnjë në rritje të burrave të shquar të akuzuar, si provë të ndotjes së shoqërisë franceze nga idetë amerikane mbi gjininë, racën, fenë dhe postkolonializmin.
Pierre-André Taguieff, historian dhe kritik i madh i ndikimit amerikan, tha në një email se “ideologët neo-feministë dhe neo-antiracistë denoncojnë universalizmin, veçanërisht universalizmin republikan francez, si një mashtrim, një maskë mashtruese të imperializmit, seksizmit dhe racizmit”, ka shkruar gazeta.
Mashtrimi i vetes
Ani pse Taguieff nuk komentoi mbi specifikat e rasteve të fundit, ajo thotë se kjo valë e re e #MeToo përfaqëson një “seksizëm misandrist dhe androfobik që inkurajon një gjueti shtrigash të burrave të racës së bardhë, të zgjedhur në bazë të famës, për të ushqyer zilinë dhe pakënaqësinë shoqërore të elitave të bardha mashkullore”. Taguieff së fundmi ndihmoi në krijimin e "Mbikëqyrësit të dekolonializmit", një grup ky që u printe akuzave kundër asaj që e përshkruan si kërcënim intelektual nga Shtetet e Bashkuara.
Reagimi fillestar i Francës ndaj #MeToo ishte që ta refuzonte si një shtrembërim amerikan të feminizmit, në të njëjtën mënyrë siç po përpiqen të hedhin poshtë konservatorët francezë idetë mbi racën dhe racizmin si koncepte të parëndësishme amerikane, thotë Raphawl Liogier, sociolog francez që jep mësim në “Science Po Aix -en-Provence” dhe i cili së fundmi ishte edhe ligjërues mysafir në Universitetin e Columbia.
Teksa Deneuve dhe gratë e tjera në vitin 2017 denoncuan #MeToo si një produkt i "puritanizmit" dhe kërcënim për “lirinë seksuale”, konservatorët u tërhoqën duke argumentuar se gratë amerikane ishin të shtypura seksualisht dhe në të vërtetë më pak të lira se gratë franceze, thotë Liogier.
“Pra në Francë, linja jonë e mbrojtjes konsistonte në qëndrimin se ‘nuk jemi ne, janë amerikanët’”, thotë ai. “Sot, mbrojtja jonë është shembur”, ka shkruar “New York Times”.