Duke i përqendruar trupat që mund të sulmojnë Ukrainën nga shumë drejtime, Putini ka demonstruar një gatishmëri për ta përshkallëzuar krizën në mënyrë që t’i arrijë qëllimet e tij
Me Rusinë që po vazhdon ngritjen masive ushtarake pranë Ukrainës dhe me Perëndimin që po i refuzon rreptësisht kërkesat e Moskës për sigurinë, një dritare për diplomacinë në krizë duket se po shkon duke u mbyllur.
Megjithëkëtë, edhe pse Moska po vazhdon të forcojë qëllimet e saj dhe të zhvillojë lojëra luftarake gjithëpërfshirëse, presidenti rus Vladimir Putin po e mban të hapur dritaren për më shumë negociata në një lojë të llogaritur kufiri që synon t’i bindë Washingtonin dhe aleatët e tij t’i pranojnë kërkesat e Rusisë.
Perëndimi ka frikë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë i afërt, teksa kjo e fundit pohon se nuk ka planë ta bëjë këtë, mirëpo dëshiron që shqetësimet e saj të sigurisë të zënë vend. Vështrimi i strategjisë së Kremlinit në ngecje:
Kërkesat dhe përgjigjet
Rusia ka shprehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj ta pengojnë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike nga anëtarësimi i tyre në NATO, të përmbahen nga vendosja e ndonjë arme pranë Rusisë dhe t’i largojnë forcat e aleancës nga Evropa Lindore.
Washingtoni dhe NATO-ja i kanë refuzuar këto kërkesa si “të dështuara”, mirëpo ata gjithashtu po ofrojnë një mundësi t’i diskutojnë kufizimet e mundshme në vendosjen e raketave, transparencë më të madhe të stërvitjeve ushtarake dhe disa masa të tjera të ndërtimit të besimit.
Putini nuk ka dhënë ende përgjigje zyrtare të Moskës ndaj këtyre propozimeve perëndimore, mirëpo ai tashmë i ka përshkruar ato si dytësore , ndërkohë që ka paralajmëruar se nuk do ta pranonte “jo-në” si përgjigje në kërkesat e tij kryesore. Ai e ka kundërshtuar argumentin perëndimor se NATO-ja ka politikën e dyerve të hapura, duke sqaruar se ajo e kërcënon Rusinë dhe shkel parimin e “pandashmërisë së sigurisë” të sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare.

Muskujt ushtarakë
Me Perëndimin që refuzon kërkesat e tij kryesore, Kremlini i ka ngritur aksionet duke grumbulluar mbi 100.000 trupa pranë Ukrainës dhe duke kryer një seri manovrash ushtarake nga Oqeani Arktik deri në Detin e Zi.
Si pjesë e shfaqjes së forcës, Moska ka zhvendosur ngarkesa trenash me trupa, tanke dhe armë nga Lindja e Largët dhe Siberia në Bjellorusi për lojëra të përbashkëta luftarake, duke i shtuar shqetësimet perëndimore se Rusia mund t'i përdorë ato si mbulesë për një pushtim.
Washingtoni dhe aleatët e tij po rrisin mundësinë e sanksioneve të paprecedentë në rast të një pushtimi, duke përfshirë një ndalim të mundshëm të transaksioneve me dollarë, kufizime drakoniane në importet kryesore të teknologjisë si mikroçipet dhe mbylljen e një gazsjellësi të sapondërtuar rus për në Gjermani.
Administrata e presidentit Joe Biden, po ashtu, ka vendosur trupa amerikane shtesë në Poloni, Rumani dhe Gjermani si shenjë e përkushtimit të Washingtonit për ta mbrojtur krahun lindor të NATO-s. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë dorëzuar avionë me armë dhe municione në Ukrainë.
Përshkallëzimi i llogaritur
Duke i përqendruar trupat që mund të sulmojnë Ukrainën nga shumë drejtime, Putini ka demonstruar një gatishmëri për ta përshkallëzuar krizën në mënyrë që t’i arrijë qëllimet e tij.
“Putini duket se ka vetëbesim të tepruar e po shfaq një nivel të lartë tolerance ndaj rrezikut”, ka bërë të ditur Ben Hodges, i cili shërbeu si gjeneral komandues i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, kurse tani punon në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane. “Duket sikur Putini synon të ushtrojë presion maksimal mbi Perëndimin në këtë krizë të vetëprodhuar, me shpresën që Ukraina a NATO-ja përfundimisht do të bëjnë lëshime”.
Disa vëzhgues presin që Putini të rrisë më tej tensionet duke zgjeruar shtrirjen dhe zonën e stërvitjeve ushtarake.
Fyodor Lukyanov, kreu i Këshillit për Politikat e Jashtme dhe të Mbrojtjes me qendër në Moskë, i cili i ndjek nga afër mendimet e Kremlinit, ka parashikuar se një refuzim perëndimor për t’i diskutuar kërkesat kryesore të Rusisë do të shkaktonte një raund të ri përshkallëzimi.
“Logjikisht, Rusisë do t’i duhet ta rrisë nivelin e tensioneve”, ka theksuar Lukyanov. “Nëse qëllimet e vendosura nuk po arrihen atëherë duhet ta rrisni presionin – para së gjithash përmes një demonstrimi të forcës”.
Lukyanov është shprehur se përderisa pushtimi i Ukrainës nuk është ajo që dëshiron Putini, ai mund ta sfidojë Perëndimin me mjete të tjera.
“E gjithë ideja e parashikuar nga Putini... nuk ishte të zgjidhej kriza e Ukrainës me anë të luftës, por të sillte Perëndimin në tryezën e negociatave për parimet e marrëveshjeve të sigurisë evropiane”, vuri në dukje Lukyanov. “Në momentin që Rusia fillon një luftë kundër Ukrainës, e gjithë loja e mëparshme do të përfundojë dhe ndeshja e re do të ndodhë në një nivel absolutisht të ndryshëm rreziku. Dhe gjithçka që dimë për zotin Putin është se ai nuk është kumarxhi. Ai është lojtar që bën llogaritje”.
Kompromiset e mundshme

Teksa Putini dhe zyrtarët e tij kanë këmbëngulur se presin që SHBA-ja dhe NATO-ja të përkulen ndaj kërkesave të Rusisë – një perspektivë që duket komplet, mirëpo e pamundur – disa vëzhgues të Kremlinit presin që Moska përfundimisht të pranojë një kompromis që do të ndihmonte në shmangien e armiqësive dhe do t’u lejonte të gjitha palëve ta shpëtonin fytyrën.
Edhe pse aleatët perëndimorë nuk do të heqin dorë nga politika e dyerve të hapura të NATO-s, ata nuk kanë ndërmend ta përqafojnë Ukrainën ose ndonjë shtet tjetër ish-sovjetik së shpejti. Disa analistë shfaqën një ide për një moratorium të mundshëm për zgjerimin e aleancës.
Gwendolyn Sasse, bashkëpunëtor i Carnegie Europe që drejton Qendrën për Studimet e Evropës Lindore dhe Ndërkombëtare në Berlin, ka shprehur skepticizëm, duke thënë se “më e keqja do të ishte të sinjalizonim se ka përçarje në NATO”, duke vënë në dukje se edhe Putini mund të mos jetë i kënaqur me të.
Një mundësi tjetër është “finlandizimi” i Ukrainës, që do të thotë se vendi do të fitonte një status neutral, siç bëri Finlanda pas Luftës së Dytë Botërore. Politika e ndihmoi atë të ruante lidhje miqësore me Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Një veprim i tillë do ta përfaqësonte një rishikim të mprehtë të kursit të Kievit drejt anëtarësimit në NATO dhe ka të ngjarë të nxiste kritika të forta të brendshme, megjithatë publiku ukrainas përfundimisht mund të mirëpresë ndryshimin e politikës si një e keqe më e vogël, në krahasim me pushtimin rus.
I pyetur për idenë e “finlandizimit”, presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve të hënën se “ky është një nga modelet në tryezë”, mirëpo ai u tërhoq të nesërmen kur e vizitoi Kievin.
Një kompromis tjetër i mundshëm ka të ngjarë të përfshijë hapa për të zbutur tensionet në Ukrainën lindore, e cila është kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia qëkur një rebelim u ndez atje më 2014 menjëherë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Moska.
Rusia i ka kërkuar Perëndimit që të bëjë presion ndaj Ukrainës që t’i përmbushë detyrimet e saj sipas një marrëveshjeje paqeje të vitit 2015, e cila u ndërmjetësua nga Franca dhe Gjermania dhe kërkonte që Kievi të ofronte vetëqeverisje për territoret e kontrolluara nga rebelët. Marrëveshja është parë nga ukrainasit si një tradhti ndaj interesave kombëtare të vendit dhe zbatimi i saj ka ngecur.
Macroni këtë javë e përshkroi marrëveshjen si “rruga e vetme që lejon ndërtimin e paqes ... dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”.
Përktheu: Blerta Haxhiu