Botë

Shpresë për irakianët 20 vjet pas pushtimit nga SHBA-ja

Lufta rrëzoi një diktator, burgimi, torturimi dhe ekzekutimi i disidentëve të të cilit i mbajti 20 milionë njerëz në frikë për një çerek shekulli. Por ajo gjithashtu theu atë që kishte qenë një shtet i unifikuar në zemër të botës arabe, duke hapur një vakum pushteti dhe duke e lënë Irakun e pasur me naftë në një komb të plagosur në Lindjen e Mesme

Në brigjet e lumit Tigër në një mbrëmje, së fundmi, të rinj e të reja irakianë me xhins dhe atlete kërcenin nën tingujt e muzikës të një këngëtari vendas të repit, ndërsa një diell i kuq mbrapa perëndonte. Është botë larg terrorit që pasoi pushtimin e SHBA-së 20 vjet më parë.

Kryeqyteti i Irakut sot po vlon nga jeta dhe një ndjenjë ripërtëritjeje, banorët e tij po shijojnë një interludë të rrallë, paqësore në një histori moderne të dhimbshme. Tezgat prej druri të tregut të librave në ajër të hapur të qytetit janë të grumbulluara drejt qiellit me letra të pluhurosura dhe të mbushura me blerës të të gjitha moshave dhe të ardhurave. Në një periferi, dikur një vatër e “Al-Qaidas”, të rinj të pasur bëjnë xhiro me makinat e tyre luksoze, ndërsa një klub çiklizmi organizon udhëtime javore me biçikletë në zonat e mëparshme të luftës. Disa ndërtesa vezulluese shkëlqejnë aty ku dikur binin bomba.

Presidenti Xhorxh W. Bush, e quajti pushtimin e udhëhequr nga SHBA-ja më 20 mars 2003, një mision për të çliruar popullin irakian dhe për të asgjësuar armët e shkatërrimit në masë. Qeveria e Sadam Huseinit u rrëzua në 26 ditë. Dy vjet më vonë, kryeinspektori i armëve i CIA-s raportoi se nuk u gjetën kurrë rezerva armësh bërthamore, kimike ose biologjike.

Lufta rrëzoi një diktator, burgimi, torturimi dhe ekzekutimi i disidentëve të të cilit i mbajti 20 milionë njerëz në frikë për një çerek shekulli. Por ajo gjithashtu theu atë që kishte qenë një shtet i unifikuar në zemër të botës arabe, duke hapur një vakum pushteti dhe duke e lënë Irakun e pasur me naftë në një komb të plagosur në Lindjen e Mesme, të përgatitur për një luftë pushteti midis Iranit, shteteve të Gjirit Arab, Shteteve të Bashkuara, grupet terroriste dhe sektet e partitë rivale të Irakut.

Iraku sot

Sot, gjysma e popullsisë prej 40 milionë banorësh të Irakut nuk është aq e vjetër sa për të kujtuar jetën nën Saddamin apo shumë për pushtimin e SHBA-së. Në dhjetëra intervista të fundit nga Baghdadi në Fallujah, të rinjtë irakianë shprehën keqardhje për humbjen e stabilitetit që pasoi rënien e Saddamit – por ata thanë se lufta është në të kaluarën dhe shumë prej tyre shpresonin për liritë e reja dhe mundësitë për të ndjekur ëndrrat e tyre.

Në një dhomë pritjeje me mermer, me llambadarë në pallatin ku dikur jetonte Saddami, i ulur në një karrige damask të tejmbushur dhe i rrethuar me piktura të artistëve modernë irakianë, presidenti Abdul Latif Rashid, i cili mori detyrën në tetor, foli për perspektivat e vendit. Perceptimi i botës për Irakun si një vend i shkatërruar nga lufta është i ngrirë në kohë, tha ai për “Associated Press” në një intervistë.

Iraku është i pasur; paqja është kthyer, tha ai, dhe ka mundësi përpara për të rinjtë në një vend që po përjeton një bum të popullsisë. "Nëse ata janë pak të durueshëm, unë mendoj se jeta do të përmirësohet në mënyrë drastike në Irak".

Shumica e irakianëve nuk janë aq të fortë. Bisedat nisin me hidhërim se përmbysja e Saddamit e la vendin të thyer dhe të pjekur për dhunë dhe shfrytëzim nga milicitë sektare, politikanët dhe kriminelët e prirur për vetë-pasurim ose që u besuan kombeve të tjera. Megjithatë, duke folur me irakianët e rinj, ndjehet një brez që është gati për të kthyer një faqe.

Shenjat e pushtimit dhe kryengritjes janë fshirë kryesisht nga Bagdadi. Ish-Hoteli Palestina, Sheshi Ferdous, Zona e Gjelbër, rruga e aeroportit e mbuluar nga sulmet me pajisje shpërthyese të improvizuara dhe mitraloza janë rregulluar ose mbuluar me llaç dhe bojë të freskët.

Pushtimi ekziston vetëm në kujtesë: shkrepjet e ndezura dhe tronditjet e bombave amerikane që bien në një kakofoni të zhurmshme; tanke që rrotullohen përgjatë argjinaturës; forcat irakiane që luftojnë përtej Tigrit ose hyjnë në ujë për të shmangur trupat amerikane; viktimat civile dhe përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar për të shpëtuar një koleg gazetar të plagosur rëndë nga një sulm me tank amerikan në ditët e fundit të betejës për Bagdadin. Shtyllat e tymit u ngritën mbi qytet ndërsa civilët irakianë filluan të plaçkitnin ministritë dhe marinsat amerikanë rrëzuan statujën e famshme të Saddamit.

Iluzioni amerikan

Ajo që dukej të ishte një fitore e shpejtë për forcat e udhëhequra nga SHBA-ja ishte thjeshtë iluzion: Humbja më e madhe e jetës erdhi në muajt dhe vitet që pasuan. Pushtimi nxiti një rezistencë kokëfortë guerile, luftime të ashpra për kontrollin e fshatrave dhe qyteteve, një luftë të zgjatur civile dhe ngritjen e grupit të Shtetit Islamik që përhapi terrorin përtej Irakut dhe Sirisë, në të gjithë Lindjen e Mesme, Afrikë, Azi dhe Evropë.

Përvoja e gjatë, jashtëzakonisht e kushtueshme në Irak ekspozoi kufizimet e aftësisë së Amerikës për të eksportuar demokracinë dhe ndëshkoi qasjen e Uashingtonit ndaj angazhimeve të huaja, të paktën përkohësisht. Në Irak, demokracia e tij ende nuk është përcaktuar.

Muret e shpërthimit i kanë lënë vendin billbordeve, restoranteve, kafeneve dhe qendrave tregtare – madje edhe zhvillimet më të larta të pasurive të paluajtshme. Me 7 milionë banorë, Bagdadi është qyteti i dytë më i madh në Lindjen e Mesme pas Cairos dhe rrugët e tij mbushen me makina dhe tregtar gjatë gjithë kohës.

Jeta e përditshme këtu nuk duket aq e ndryshme nga çdo metropol tjetër arab. Por në shkretëtirat e largëta të Irakut verior dhe perëndimor, ka përleshje të herëpashershme me mbetjet e grupit të Shtetit Islamik.

Nuk është veçse një nga problemet e vazhdueshme të vendit. Një tjetër është korrupsioni endemik; një auditim i qeverisë i vitit 2022 zbuloi se një rrjet ish-zyrtarësh dhe biznesmenësh vodhën 2.5 miliardë dollarë.

Në vitin 2019-2020, irakianët e lodhur, veçanërisht të rinjtë, protestuan në të gjithë vendin kundër korrupsionit dhe mungesës së shërbimeve bazë. Pasi më shumë se 600 u vranë nga forcat qeveritare dhe milicitë, parlamenti ra dakord për një sërë ndryshimesh të ligjit zgjedhor të krijuara për të lejuar më shumë pakica dhe grupe të pavarura të ndajnë pushtetin.

Dielli perëndon në Fallujah, qyteti kryesor në rajonin e Anbarit, i cili dikur ishte një vatër për “Al-Qaedan” e Irakut dhe, më vonë, për grupin e Shtetit Islamik. Nën trarët e hekurt të urës së qytetit përtej Eufratit, tre 18-vjeçarë po kthehen në shtëpi nga shkolla për drekë.

Në vitin 2004, kjo urë ishte vendi i një tabloje të tmerrshme. Katër amerikanë nga kontraktuesi ushtarak Blackwater u zunë pritë, trupat e tyre u tërhoqën zvarrë nëpër rrugë, u dogjën dhe u varën si trofe nga kryengritësit vendas, ndërsa disa banorë këndonin duke festuar. Për 18-vjeçarët, është një histori që ata kanë dëgjuar nga familjet e tyre - e largët dhe e parëndësishme për jetën e tyre.

Njëri dëshiron të jetë pilot, dy aspirojnë të bëhen mjekë. Fokusi i tyre është të marrin nota të mira, thonë ata.

Fallujah sot po përjeton një rilindje ndërtimi nën ish-guvernatorin e Anbarit, Mohammed al-Halbousi, tani kryetar i parlamentit të Irakut. Ai ka ndihmuar në drejtimin e miliona dollarëve në fondet e qeverisë për të rindërtuar qytetin, i cili përjetoi valë të përsëritura luftimesh, duke përfshirë dy fushata ushtarake amerikane për të çliruar qytetin nga “Al-Qaida” dhe grupi Shteti Islamik.

Fallujah shkëlqen me apartamente të reja, spitale, parqe argëtimi, një shëtitore dhe një portë të rinovuar për në qytet. Tregjet dhe rrugët e tij janë plot lëvizje.

Në një mbrëmje të fundit, një varg i dyfishtë çiklistësh të emocionuar kaluan një kurs nëpër rrugët e ngarkuara të kryeqytetit për një shëtitje nate. Çiklistët ngritën krahët në një përshëndetje të lumtur ndërsa po largoheshin.

Ndërsa drita e ditës zbriste në një muzg të kuq, nuk ishte e vështirë të imagjinohej se Iraku, si ata, mund të ishte në rrugën drejt një vendi më të mirë.

Përktheu: Forca Jashari