Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, Finlanda dhe Suedia janë duke konsideruar aplikimin për pranim në aleancën ushtarake të NATO-s, që do të shënonte një lëvizje të madhe politike për rajonin nordik.
Deri ku ka arritur procesi dhe cilat janë top-çështjet që po diskutohen, sipas CNN-it:
Ditët në vijim janë kyçe. Më 12 maj, Finlanda do të vendosë për të aplikuar ose jo për pranim në NATO, ka raportuar gazeta “Iltalehti” të dielën, duke cituar burime nga Qeveria.
Lëvizja do të bëhet në dy hapa. Presidenti Sauli Niinisto fillimisht do të njoftojë për kërkesën për aplikim, ndërkaq grupet parlamentare do të votonin për miratim të aplikimit. S’do të ketë votim plenar, por liderët e grupeve parlamentare do të japin vendimet e tyre.
Në Suedi, parlamenti po i rishikon politikat e sigurisë, duke përfshirë përparësitë dhe kundërshtimet e pranimit në aleancë. Afati për rishikim të qëndrimeve përfundon më 13 maj. Ka një përkrahje të shumicës në parlament për hyrje në NATO.
Partia udhëheqëse, Socialdemokrate, më e madhja në çdo palë zgjedhje qe 100 vjet, do të ketë debat të brendshëm nga 9 deri më 12 maj për të larguar qëndrimin e kamotshëm kundër pranimit në NATO. Partia do të marrë vendim më 24 maj, më së voni.
Nëse Finlanda aplikon, Suedia pritet ta bëjë të njëjtën, pasi s’do të donte të ishte e vetmja autsajdere nordike. Shtetet tjera nordike – Norvegjia, Danimarka dhe Islanda – i janë bashkuar paktit si anëtare themeluese. Sipas disa anketave, shumica e suedezëve janë pro – diçka që s’ka qenë kurrë më përpara, para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.
Finlanda dhe Suedia do të donin të kishin garanci se shtetet anëtare të NATO-s do t’i mbronin gjatë çfarëdo faze të tranzicionit, kur të aplikojnë për pranim.
Ratifikimi mund të zgjasë deri një vit, sipas diplomatëve të NATO-s, pasi që 30 anëtaret e NATO-s duhet të votojnë pro për pranim të anëtareve të reja.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shtetet mund të bashkohen “shpejt” dhe se është i sigurt që mund të gjinden zgjidhje për periudhën e përkohshme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania i kanë premtuar Suedisë “prani më të madhe ushtarake, ushtrime më të thella dhe përkrahje ‘më të madhe politike’ nga shtetet e NATO-s”, gjatë procesit të mundshëm të aplikimit, sipas gazetës suedeze “Aftonbladet”.
Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ka pranuar se dorëzimi i kërkesës për anëtarësim në NATO nuk do t’i fuste dy shtetet nordike menjëherë nën Nenin 5 të NATO-s, që garanton se një sulm në njërin nga aleatët është sulm ndaj të gjithëve.
“Por në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të NATO-s kanë interes që të mos ketë shkelje të sigurisë gjatë periudhës së aplikimit”, ka thënë Haavisto, duke shtuar se Finlanda mundet, për shembull, të zhvillojë stërvitje ushtarake me anëtaret e NATO-s gjatë kësaj periudhe.
Moska në vazhdimësi ka përsëritur paralajmërim për “pasoja serioze” nëse Finlanda e Suedia i bashkohen NATO-s, duke thënë se do t’i shtonte forcat në detin Baltik dhe ka shtuar frikën për mundësinë e zhvillimit të armëve bërthamore në atë hapësirë.
Rusia e Finlanda ndajnë një kufi prej 1300 kilometrash; Gadishulli Kola është bastion strategjik të cilin Moska e konsideron kyç për sigurinë kombëtare të Rusisë. Është shtëpia e flotës veriore ruse dhe qyteti i dytë më i madh rus, St. Petersburg, shtrihet rreth 170 kilometra larg kufirit me Finlandën.